SHBA përgënjeshtron njoftimet se në Kosovë po dërgohen afganë “të papranueshëm”

Nga VOA-

Ambasada amerikane në Prishtinë ka përgënjeshtruar njoftimet se po dërgon në Kosovë persona që nuk kanë arritur të kalojnë procesin e sigurisë dhe kanë nevojë për kontrolle më të hollësishme të së kaluarës.

Përmes një deklarate, ambasada e Shteteve të Bashkuara vëren se disa lexues kanë krijuar “përshtypjen e pasaktë” nga raportimet e medias se “Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë, të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk qëndron”.

Ambasada vëren më tej se “procesi për marrjen e vizës speciale të emigrantit ose të statusit të refugjatit është kompleks dhe disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve”.

“Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i lejon Shtetet e Bashkuara të strehojnë përkohësisht në kampin Bondsteel një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit, ose lidhjet tjera me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë në këtë proces,” thuhet në deklaratë.

Më tej ambasada nënvizon mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për rolin që po luan Kosova për të ndihmuar në zhvendosjen e të evakuuarve nga Afganistani.

Deklarata e ambasadës amerikane në Prishtinë pason raportimin e agjencisë së lajmeve Associated Press të shtunën se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të dërgojnë afganët që nuk kanë kaluar fazën e parë të kontrollit në Kosovë, ku autoritetet kanë pranuar t’i strehojnë refugjatët për deri në një vit, gjatë kohës kur bëhen kontrolle shtesë të sigurisë. Agjencia e lajmeve ia atribuon deklaratën një zyrtari amerikan, i cili foli me AP me kusht që të mos identifikohej me emër.

Ndërkohë po shtohet numri i afganëve që miratohen për transferim nga qendrat e tranzitit, që janë ngritur me ngut në Katar, Gjermani dhe Itali si dhe në pika më të vogla të përpunimit të dokumenteve në vende të tjera. Këta të evakuuar dërgohen më pas në Filadelfia apo Uashington, por t’u sistemuar në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë se parashikojnë që pjesa më e madhe ose të gjithë të evakuuarit afganë për të cilët procesi ka ngecur dhe kërkon analizë shtesë, ta kalojnë kontrollin e sigurisë.

Si Gjermania, ashtu edhe Italia kanë dhënë si afat maksimal dy javë kohë për të kontrolluar dhe miratuar nxjerrjen e të evakuuarve nga vendet e tyre.

Udhëheqësit e Kosovës kanë pranuar të lejojnë qëndrimin deri në një vit të të evakuuarve nga Afganistani, me mundësinë për zgjatjen më tej të këtij afati.

Organizatat për refugjatët thanë se SHBA nuk është treguar transparente apo efiçente në menaxhimin e lëvizjes së refugjatëve në qendrat e tranzitit.

“Ka një mungesë të madhe transparence nga administrata lidhur me ato që po ndodhin… kush ndodhet në këto qendra, me kë mund të flitet kur u dalin probleme” të evakuuarve në këto pika, thotë Adam Bates, jurist i Projektit Ndërkombëtar për Ndihmë ndaj Refugjatëve, një ndër organizatat kryesore amerikane që po punojnë me refugjatët afganë që u larguan për t’u shpëtuar talebanëve.

SHKARKO APP