Shehi: Basha të mos gabojë si Berisha, zërat kritikë në PD duhen

Flet për “Koha Jonë”, kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi

Intervistoi: Redjon Shtylla

Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se në zgjedhjet e ardhshme, 35 % e listës së deputetëve për këtë parti do të jetë nga radhët e të rinjve, ka ngritur pikëpyetje të shumta. Ndër ta ka reaguar për “Koha Jonë” kreu i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili është shprehur: “Në opozitë dhe në PD, ka vend për të gjithë, si për të vjetrit edhe për të rinjtë. z.Basha duhet t’i bëjë mirë llogaritjet”. E ndërsa për reformën zgjedhore, Shehi shpreh pesimizmin për një Kod të ri në zgjedhjet e ardhshme, por ka një mesazh për PD-në. “Deklarata për mospjesëmarrje në zgjedhje nuk më duken as të shëndetshme për opozitën sepse po krijon një klimë pesimizmi”. E në fund, ai deklaron se nuk ka ndërmend që të dorëhiqet nga politika. “Jam më i vjetri nga të rinjtë që pretendon z.Basha dhe jam më i riu nga të vjetrit, të cilët themeluan PD-në”.

E reja e fundit lidhur me reformën zgjedhore, është deklarata e z.Balla, që kërkon të zgjatet mandati i komisionit. Për ju, ka më vlerë ky komision kur ka kaluar kaq kohë dhe asgjë nuk është hedhur në letër të bardhë?

Në sensin moral kjo nuk ka më vlerë sepse u bë gati 2 vjet që komisioni nuk ka bërë asnjë gjë dhe unë e shikoj që nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë gjë. Por megjithatë, si një njeri që shpreson që duhet përmirësuar diçka në ligjin zgjedhor, them edhe pse ka diçka qesharake në këtë mes, le t’ia japim këtë shans. Unë shpreh dyshimin tim që kjo është një lloj manovre me thënë që ne po mundohemi në ekstrem, për të bërë punë dhe se nuk kemi kohë e që mandati qe i shkurtër. Po t’ia jepja kohën që z.Balla kërkon, kjo për të shpresuar që do të ndryshojë diçka në ligjin zgjedhor, por nuk kam shpresë sepse e kemi shtyrë tre herë deri më sot dhe ka pasur kohë të mjaftueshme.

Në një kohë, kur Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve, mendoni që opozita do të hyjë në zgjedhje me Kodin aktual apo për PD-në do të jetë një betejë hyrja në zgjedhje me Kodin e ri Zgjedhor?

Unë gjykoj se zgjedhjet do të bëhen, me këtë Kod apo me një Kod të ri. Shpresoj që të bëhen me një Kod të ri, më të mirë sesa aktuali, si dhe idetë që hidhen se a do të hyjë opozita në zgjedhje, më duken të gabuara. Ne kemi hyrë përherë në zgjedhje dhe kur Kodi ka qenë i pavaforshëm për disa parti si puna jonë, të vogla alternative. Gjykoj se PD-ja nuk ka asnjë motiv për të refuzuar zgjedhjet sepse ky kod është rezultat i marrëveshjes së Partisë Demokratike dhe për të qenë i sinqertë, ky Kod është i dy palëve jo vetëm i PS-së. Deklarata për mospjesëmarrje në zgjedhje nuk më duken as të shëndetshme për opozitën sepse po krijon një klimë pesimizmi. Fitorja është e mundur nëse kemi një strategjike qoftë dhe me këtë Kod.

Thelbësisht, për ju pika më e vlefshme që zgjedhjet e ardhshme të na gjejmë me një ndryshim?

Pika më me vlerë që ka mbetur sot në rrafshin politik, do të ishte një korrektim nacional, përtej realiteteve lokale të përfaqësuara në 12 qarqe, do t’i jepte një sens unifikimi votës së shqiptarëve, për të cilët keni nevojë të gjithë dhe mund të realizohet. Në sensin burokratik do të thoja që numërimi të bëhet elektronik dhe besoj që mund të bëhet, me disa makineri në qendrat e votimit dhe kjo do të prodhonte një efekt pozitiv që për herë të parë, nuk do kishim dyshim që votat ishin transferuar nga një parti në tjetrën. E tretë do të ishte sikur procesi zgjedhor të thjeshtëzohet pak, në kuptimin mediatik, që të mos kemi këtë zhurmë, flamuj, koncerte festive, banderola e që fushata të reduktohet në minimunin e vet të mundshëm, të mos trubullohen shqiptarët nën presionin e zhurmës dhe kjo mund të bëhet. Unë do të propozoja që në rrugë, në shtylla të mos vendosen posterat e partive politike e që oraret e transmetimeve në media dhe të reklamave që jenë mininale, kjo do të sillte një atmosferë pozitive dhe do të largonte shumë para të pista që ju drejtohen zgjedhjeve, që i kanë korruptuar.

E shihni një fitore të opozitës me aleatë e saj besnikë apo edhe me koalicione të reja? Apo PD-ja duhet të fitojë besimin e qytetarëve, si aleatin kryesor që i jep votëbesimin?

Unë gjykoj që opozita duhet të ketë një aleancë me qytetarin sepse ai është votuesi potencial dhe ai që mund të përmbysë realitetin politik, Aleancat me partitë  janë praktika zgjedhore, që nuk kanë vlerë të madhe kjo në sensin pragmatik, të këtyre intrigave politike. Opozita nuk ka pse i refuzon disa situata, disa rrethana favorizuese të problematikave të maxhorancës, por kryesorja  ajo që e përmbys situatën, ajo që e ngre moralin për të ndryshuar pushtetin është raporti i ri me qytetarin dhe këto të tjerat t’i lëmë për fazën e dytë post elektorale, mundësitë e koordinimeve e numrave të ndryshme, këtë lloj inxhinierie politike, unë do thoja që në fillim duhet t’i dalin përballë qytetarëve me sinqeritet, që ne duam votën për të ndryshuar disa gjëra dhe kjo do të ishte shumë e rëndësishme.

E mbështesni idenë e z.Basha që në listën për deputetë, 35% të jenë të rinj? Ka pasur interpretime që deklarata është një mesazh për deputetët e cilësuar si të “gardës së vjetër”. Si e shihni listën e deputetëve të PD-së, me të rinjtë, me deputetët aktualë e bashkë me ta në listë edhe kritikët e z.Basha?

Në opozitë dhe në PD, ka vend për të gjithë, si për të vjetrit edhe për të rinjtë. Ajo që ka deklaruar z.Basha, i referohet një lloj distancimi nga politika e vjetër e Berishës dhe unë do ta konsideroja pozitive. E nëse kjo është një artificë e brendshme për t’i dhënë një mesazh atyre që nuk janë me Bashën brenda në PD, për t’i larguar se do të vijnë disa të rinj, them se nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Basha duhet të ketë zgjuarsi që të kombinojë partinë me të rinjtë që sjellin ndryshimin dhe disa nga ata që kanë dhënë kontribut brenda PD-së. Të vjetrit zakonisht brenda pushtetit e përfaqësojnë shefat dhe jo nëpunësit e shefave, nga këtu fillon morali politik. Duhet të ketë një lloj sqarimi që të mos krijohen konfuzione të panevojshme, e që mund të jetë i dëmshëm për vetë Bashën. Brenda PD-së ka vend për të gjithë e ky le të shihet si një shans për rinovim. Kjo duhet sepse Basha nuk ka pse merr gjithashtu, përgjegjësitë e qeverisë së vjetër. Basha duhet ta thotë sinqerisht dhe nuk nevojë që të bëjë këto lloj bilardo politike, për ta kuptuar. Unë them se Basha ka të drejtë për të kërkuar hapësira për të ecur përpara por këtë duhet ta bëjë me shumë transparencë.

A do të ishte një ogur i mbarë për zgjedhjet e 2017 që, z.Basha të largojë zërat që dëmtojë qëndrimet dhe opozitën e PD-së?

Lulzim Bashën e dëmton pesha e vjetër e gabimeve e qeverisë së vjetër. Diversiteti i mendimeve brenda partisë, them se e pasqyron PD-në sepse do t’u varfëronte nëse do të largonte personazhet që kanë pasur kurajën që të shprehnin gjërat që janë ndryshe nga ai. Basha duhet ta kuptojë që epoka e re nuk fillon me anagrafin me moshën, nuk fillon me ndryshim që është Basha apo Berisha, por epoka e re fillon me ndryshimin që, në kohën e Berishës nuk pranoheshin të ndryshmit dhe në kohën e Bashës pranohen dhe nëse nuk kupton këtë, nuk ka kuptuar asgjë në atë që ka thënë e që janë gjëra të pavlera.

Reforma në Drejtësi që ka mbajtur peshë debatin politik, për ambasadorin Lu, debate mbi Vetingun dhe për përkthimin gabim, i ka cilësuar si gënjeshtra, se reforma po pengohet nga ata që e kanë frikë? Duhet të jetë PD-ja më transparente?

Politika ka frikë, kjo politika jonë ka qenë e korruptuar, ajo që ka qenë dje dhe kjo që është sot, duhet të ketë frikë nga një drejtësi e re, e transformuar më e ndershme se kjo e sotmja. Është e vërtetë ajo që thotë ambasadori, por problemi është se, një drejtësi e mirë nuk duhet ta bëjë një grup që ka në plan të marrë të drejtat abuzive që kishte grupi tjetër. Ky grup i maxhorancës së sotme nuk kërkon të bëjë drejtësi, kërkon të marrë në kontroll disa të drejta abuzive që kishte grupi paraardhës i pushtetit dhe kjo nuk prodhon ndonjë drejtësi. Z.Lu duhet të kuptojë këtë lloj situate dhe do të më pëlqente që të shihnin ndonjë rezultat sado minimal të këtyre angazhimeve, të kësaj zhurme që këtu do të largohen persona të korruptuar nga politika aktuale. Ligji i dekriminalizimit mbi një vit në pushtet, ende nuk ka larguar dhe nuk ka dhënë asnjë lloj efekti.

Kemi menduar që të braktisni politikën?

Unë kam një fat të madh, që listën e bëj dhe e kam vënë vetë në krye të listës për Tiranën. Do t’i drejtohem edhe një herë bashkëqytetarëve të mijë, që të më votojnë e që të kem të drejtën dhe mundësinë për të thënë disa të vërteta që të tjerët nuk e kanë dhe të mbështes disa alternativa të krahut të djathtë, në një shtet, ku dominon e majta. Kjo është detyra ime dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem. Jam më i vjetri nga të rinjtë që pretendon z.Basha dhe jam më i riu nga të vjetrit, të cilët themeluan PD-në.

SHKARKO APP