Shehu: Infrastruktura dhe turizmi, prioritet për zhvillimin e Lurës
Kandidati për kryebashkiak i Dibrës, Sherefedin Shehu, i shoqëruar nga deputetët Arben Imami dhe Gent Strazimiri, u takua me banorë të Lurës. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore dhe zhvillimi i turizmit ishin prioritetet e shpalosura nga kandidati Shehu për këtë zonë.
Që vitin e parë, tha Shehu, do të nisë rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe investimet për furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa në planin afatgjatë zhvillimi do të bëhet i planifikuar dhe për këtë do të hartohet plani i zhvillimit urban.
“Që të vijnë investitorët, këtu duhet rruga. Ju garantoj se rruga që vjen nga Rrësheni dhe ajo nga Përlati do të fillojë brenda vitit. Po ashtu, vitin tjetër, deri në hyrje të urës së Lushës, do të fillojë asfaltimi dhe gradualisht edhe në krahun e Dibrës do të fillojë lidhja me asfaltin. Do të ketë një plan të zhvillimit urban”, premtoi kandidati i djathtë.
Lura, si një nga zonat më të bukura të Shqipërisë ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit. Krahas infrastrukturës, Shehu theksoi se ka nisur diskutimet me institucione ndërkombëtare për të investuar në shtëpitë karakteristike të Lurës dhe për t’i kthyer ato në destinacione mikpritëse për turistët.
Lura, tha Sherefedin Shehu, ka dhe traditën familjare, kështu që këto kulla meritojnë të jenë mikpritëse. Unë kam vendosur kontaktet që tani me Agjencinë Gjermane për Zhvillim dhe ajo ka një program për turizmin familjar që ka filluar nga zona e Korabit, dhe do ta sjellim edhe këtu në Lurë.
Turizmi, theksoi Shehu, është një mundësi e mirë për zhvillimin e zonës dhe punësimin.
KOHA JONË SONDAZH

