Shembja e Teatrit, Manjani: Mund të fshihni numrat e policëve, por jo fytyrën tuaj

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar për qëndrimin e Ministrisë së Brendshme lidhur me heqjen e numrave identifikues të policëve që morën pjesë në operaconin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Manjani shprehet se mund të fshihen numrat e disa policëve, por jo fytyra e tyre dhe emrat e shefave që kanë dhënë urdhrin. Ish-ministri shprehet se me heqjen e numrave të policëve, Ministria e Brendshme e ka kthyer këtë institucion në një bandë.

“E kanë kot këtë meselenë e heqjes së numrave dhe identitetit të policisë kur përballet me njerëzit! Policit mund ti heqësh numrin, por jo fytyrën. Kjo e fundit mbahet mend në jetë të jetëve… Faqja e zezë nuk zbardhet duke heqë numrat e identitetit!  Nga ana tjetër, drejtuesit e policisë që shkelin ligjin tek i cili janë betuar, kanë emra mbiemra dhe përgjegjësi para ligjit, të ciën nuk e heqin dot. Herët a vonë. Vizualisht një polici pa identitet ligjor e shtetëror është në fakt më e sinqerta, sepse përfaqëson fytyrën e vërtetë të bandës që sundon.

Keni parë ndonjë bandë me numra identifikimi ju?! Unë jo. Ndaj them, që e kanë kot.

Nuk fshihen dot! P.S. kohë e artë për kriminelët e mashtruesit kjo, sepse mund të veshin uniforma policie pa numër e mund të bëjnë kërdinë. Lutem që jo, por e mundshme është..”,- shkruan Manjani në Facebook.

SHKARKO APP