Shënohet 100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore
Nga radio gjermane DW/
Në Francë po zhvillohen ceremonitë e festimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Atje janë mbledhur krerët e dhjetëra vendeve të ndryshme – fituesit dhe humbësit e Luftës.
Një ndër ceremonitë më të rëndësishme një ditë para shënimit sot (11 nëntor) të përvjetorit ishte pritja e kancelares gjermane Angela Merkel nga presidenti i Francës Emmanuel Macron. Takimi dhe ceremonitë e përbashkëta të Macron dhe Merkel ishin për presidentin francez me një domethënie shumë të madhe. Por ato ishin më të lehta se biseda më parë e tij me presidentin amerikan Donald Trump, i cili e ka kritikuar ashpër presidentin e Francës për shkak të kërkesës së tij për krijimin e një ushtrie evropiane. Trump dhe Macron ruajtën fasadën e mirësjelljes, por tërë kohën ekzistonte mundësia e shpërthimit të deklaratave kundërthënëse.
Compiègne simbol i hakmarrjes dhe pajtimit
Në Compiègne është nënshkruar me 11 nëntor 1918 Marrëveshja për armëpushimin, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Ata u takuan në një vagon që simbolizonte vendin e nënshkrimit të Marrëveshjes, por vagoni nuk ishte origjinal, sepse ai është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë Compiègne konsiderohet si vendi i hakmarrjes por edhe i pajtimit mes palëve të luftës.
Historia gjermano-franceze është shumë e komplikuar. Për francezët Lufta e Parë Botërore është ende “La grande guerre”, (Lufta e madhe), në të cilën kanë humbur jetën 1,4 milionë ushtarë francezë. Ndërsa në Gjermani edhe më tej ekziston një hije e fuqishme e fajit dhe krimeve, sepse gati në çdo fshat francez ekziston një përmendore që të kujton viktimat e kësaj lufte.
Së bashku drejt të ardhmes
Emmanuel Macron rikujtoi viktimat e shumta të Luftës së Parë Botërore, por edhe momentin e tendosjeve të tanishme. “Ne po përjetojmë një moment i cili i ngjanë kohës mes dy luftërave”. Këtu mendon ai tek rritja e nacionalizmave dhe forcimi i mitologjive për viktimat, që mund të jetë shumë i rrezikshëm edhe për kohën e sotme.
Presidenti francez ka kërkuar krijimin e një ushtrie të përbashkët evropiane, por kjo është kritikuar ashpër nga presidenti amerikan. Trump ka kërkuar nga partnerët evropianë që t’i plotësojnë detyrat e tyre dhe të paguajnë më shumë për NATO-n. Por Macron e ka numëruar madje edhe SHBA, krahas Rusisë dhe Kinës, ndër rreziqet për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
Një histori me shumë fytyra
Në Gjermani mësohet në shkolla për rëndësinë e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Francës, në veçanti Marrëveshja e pajtimit, e nënshkruar në vitin 1963 në pallatin Elysée, mes Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer. Por edhe takimi historik i vitit 1984 mes François Mitterand dhe Helmut Kohl në Verdun, ku ata paprituar morën njëri-tjetrin për dore dhe shënuan një faqe të re të historisë.
Raportet mes Gjermanisë dhe Francës, ndonëse ato kanë një histori shumë të rëndë pas vete, konsiderohen si boshti i Evropës së sotme dhe Bashkimit Evropian.
Trump, Putin, Erdogan, Thaçi…
Në Francë kanë shkuar në ceremonitë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore krerët e vendeve fituese dhe humbëse të kësaj lufte. Kjo luftë ka shënuar përfundimin e disa perandorive – ndër to ajo Osmane, Rusisë Cariste dhe Austro-Hungareze. Për të shënuar këtë ngjarje historike janë mbledhur dhjetëra liderë të shteteve të ndryshme, ndër ta edhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ai amerikan Trump, presidenti i Turqisë Erdogan. Ndër të ftuarit janë edhe presidentët e Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilët do të kenë takime të shumta, të cilat do t’i shfrtytëzojnë për të bindur bashkëbiseduaesit që ta mbështesin palën e tyre në dialogun e Bruskelit.