Sherr për udhëtimin e Edi Ramës dje në PARIS
“Për ç’arsye Edi Rama përdor avionin e shtetit shqiptar si plaçkë personale? Në këto ditë kaq të vështira për qytetarët si mundet që një kryeministër të shpenzojë për luksin e tij 100.000 euro të shqiptarëve për charter personal? Ndërkohë që ka ende shumë shqiptarë që presin të riatdhesohen ai përdor avionin e shtetit shqiptar për arsye personale”,- deklaroi dje Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Gazmend Bardhi.
Deklaratave të selisë blu ju përgjigj këshilltari i Edi Ramës dhe Drejtori i Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga. Në një reagim në shkurtër në Tëitter, Fuga shprehet se: “E turpshme akuza për udhëtimin 24orësh të KM në Paris me avionin, që siç e kemi sqaruar publikisht, përdoret veç për arsye pune, bazuar në një marrëveshje të posaçme me AIR ALBANIA pa qëllim fitimi. Ata që akuzojnë mesa duket vetëm këto që shpifin për ne kanë bërë kur qeverisnin!”.
Veç pjesës së akuzave ndaj PD-së, në deklaratën e Endri Fugës pranohet se kryeministri ka udhëtuar për në Paris gjatë fundjavës me një avion të “Air Albania”. Pa hyrë në detajet e kontratës së lekëve të biletës së “Air Albania” me qeverinë, vetëm fakti i udhëtimit të Edi Ramës këto ditë është një problem më vete. Këshilltari i kreut të qeverisë thotë se Edi Rama ndodhet në Paris për arsye pune. Në faqen zyrtare të qeverisë dhe në Facebookun e kryeministrit nuk ka asnjë njoftim për takime të kreut të qeverisë. Për më tepër, si në çdo vend të botës edhe në Francë fundjava për administratën dhe zyrtarët është pushim. Nëse Edi Rama ishte në vizitë pune, përse Kryeministri nuk bëri asnjë njoftim për mediat, por u desh ta denonconte PD që të merrej vesh ku ndodhej kryeministri? Nga vizita në Francë e kreut të qeverisë ka vetëm një lajm që nuk ka lidhje me axhendën zyrtare dhe nuk klasifikohet si punë qeveritare. Në gazetën “Le Monde” pardje u publikua një artikulli Edi Ramës, ku kryeministri mbronte shembjen e Teatrit Kombëtar dhe akuzonte artistët, median dhe opozitën për prodhim lajmesh të rreme. Të botosh një shkrim në gazetat franceze nuk është gjë e parëndësishme, por jo aq sa të marrësh një avion personal, rojet, gjithë enturazhin qeveritar e të prenotosh hotel dhe shërbimet që duhen për një udhëtim delegacionit qeveritar. Një shkrim botohet edhe duke e dërguar me email dhe mbase nuk është kjo që Endri Fuga ka pasur në mendje kur ka shkuar vizitë pune. Nuk besohet se ka shkuar për “Le Monde”, por diçka tjetër fshihet.
Por udhëtimi i Edi Ramës drejt Parisit, veç problemit moral ka dhe probleme ligjore që lidhen me situatën ku ndodhet Shqipëria. Për shkak të pandemisë së koronvirusit, vet kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka pezulluar udhëtimet jashtë vendit. Me vizitën në Francë kryeministri hyn te shkelësit e parë të urdhrave që ka dhënë vetë. Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i kujtonte dje kreut të qeverisë kërcënimet që u bënte qytetarëve që donin të vinin në atdhe dhe lënien e tyre për ditë të tëra në kufi. “E mbani mend si i gjëmonte shqiptarët e ardhur nga Italia në mars?! Me dru e gjoba. Po ata shqiptarët e tjerë që i la pas portës së kufirit tonë me Greqinë për 1 javë rresht?! E mbani mend si thoshte? “Nuk e hap kufirin”… Po për vete përse e hapi?! Jemi ende nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Apo e harruat shtyrjen arrogante antikushtetuese që bëri…!”,- deklaron Ylli Manjani në një postim në Facebook.
Kur një kryeministër merr avion charter dhe niset, gjatë pandemisë, në udhëtim sekret në Paris, kjo nuk është më çështje private. Qeveria e ka detyrim transparencën dhe informimin e publikur për çdo qindarkë që harxhohet për zyrtarët e lartë. Por në rastin e udhëtimit të Edi Ramës nuk kemi vetëm fshehjen e shpenzimeve, por edhe fshehjen e motivit të udhëtimit.
Kryeministri duhet të bëjë publik arësyen e vajtjes në Paris. Në rast të kundërt dyshimet marrin dhenë dhe kthehen kundër tij.