Shkarkimet nga administrata, Qeveria kërkon ekspertizë ndërkombëtare
Ministrja Milena Harito pohoi se prej shtatorit 2013 nuk ka vendime të formës së prerë për të shkarkuarit nga mazhoranca aktuale, për shkak se çështjet po kalojnë në shkallë të ndryshme të gjykimit. Për t’i paraprirë një problemi të mundshëm, zgjidhja do të asistohet nga ndërkombëtarët.
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seancë dëgjimore për Progres Raportin e KE 2014, me Ministrin për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. E pranishme në mbledhje për t’iu përgjigjur interesit të deputetëve ishte dhe Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçia.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj tha se sot hapet sipari i kalendarit të seancave dëgjimore me institucionet për progres raportin e vitit 2014.
“Është pozitiv fakti që progres raporti ka vlerësuar me nota shumë pozitive përpjekjet e bëra gjatë këtij viti nga Parlamenti për kontrollin parlamentar, për seancat dëgjimore të organizuara dhe për t’i dhënë më shumë hapësirë për t’u dëgjuar organizatave të shoqërisë civile.
Në vazhdim të kësaj tradite pozitive, Kryetari i Kuvendit ka orientuar komisionet parlamentare në Konferencën e Kryetarëve për ta konsoliduar më tej këtë përvojë të vitit të kaluar dhe në frymën e kësaj vendimmarrjeje dhe të vetë progres raportit.
Ne fillojmë sot seancat dëgjimore me përfaqësues të ekzekutivit dhe me drejtues të institucioneve të pavarura, ata që sipas Kushtetutës dhe ligjeve organike dhe Rregullores së Kuvendit raportojnë dhe informojnë në Komisionin e Ligjeve”, tha Xhafaj.
Ministrja Harito vlerësoi punën e bërë deri më tani, ndërsa garantoi se të gjitha rekrutimet në punë do të kenë si kriter të vetëm meritën.
“Kemi kaluar nga një shërbim civil që përbëhej më parë nga 3 mijë vetë, në një shërbim që përbëhet nga një shërbim 9 mijë vetë, nga 87 mijë afërsisht që ka e gjithë administrata publike. Janë plot 180 institucione. Për të gjithë këta që përfshihen në shërbimin civil, ligji parashikonte që të verifikohej dosja e çdo punonjësi ekzistues. Ligji ka kërkesa të veçanta për punonjësit e shërbimit civil. Pra, të gjithë ata që janë në punë mund të përfitojnë statusin e nëpunësit civil nëse plotësojnë kushtet. Është bërë edhe një vendim për të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtet e arsimit të cilëve iu është lënë një periudhë dy vjeçare”, tha Harito.
Në fjalën e saj, znj. Harito komentoi dhe procesin e konkurseve për pozicionet e lira në administratën publike.
“Janë konkurse në grup, nuk janë konkurse për çdo pozicion pune për çdo institucion. Administrata planifikon se sa juristë, inxhinierë duhen. Nuk përzgjedh më institucioni kandidatin, por është kandidati sipas vendit që merr në renditje, që përzgjedh institucionin. Jam e kënaqur që t’ju njoftoj se janë hapur procedurat e para për 117 pozicione. Procedura u bë e gjitha online dhe kemi pasur 5300 aplikime për 117 pozicione”, tha Harito.
Pjesë nga debati në Komision
Albana Koçiu: Kemi marrë më saktë garanci që do të kemi një mbështetje dhe një ekspertizë të huaj për të vlersuar situatën dhe si do të duhet që gjithë institucionet të udhëzohen të veprojnë për t’i zbatur këto vendime.
Milena Harito: Kemi një sërë vendimesh gjyqësore me një shumëllojshmëri rastesh. Qartësisht këto vendimet do të zbatohen, nuk ka zgjidhje tjeter përveçse të zbatohen.
Xhemal Qefalia: Sa nga këto janë zbatur dhe janë rikthyer nëpër vendet e punës që kanë fituar vendimet gjyqësore?
Albana Kociu: Deri në fund të vitit 2013 kemi të rregjistruar 90 vendime të formës së prerë në pozicione shërbim civil, marrim në konsideratë nga shtatori 2013 deri në 2014 nuk kemi vendime të formës së prerë që të kene ezauruar të gjithë shkallët e gjyqësorit dhe të themi që këto janë vendimet të formës së prerë.
Nga 90 vendime gjykate para se e majta të merte pushtetin vetëm 14 persona janë rikthyer në punë. Sipas Ministres Harito, për shkak të punësimeve të parregullta për të njëjtin vend pune ka 2 ose 3 vendime gjyqësore
Milena Harito: Ka një shumëllojshmëri rastesh, nganjëherë vendet janë mbyllur, nganjëherë janë 3-4 vendimet për të njëjtin pozicion, pra do një trajtim global.
Albana Kociu: Unë di që Ministria e Financave ka bërë një vlerësim të vendimeve të formës së prerë deri në fund të vitit 2013 dhe janë pikërisht këto vendime të cilat Ministria e Financave po i likuidon, para po shlyen detyrimin.
Bashkim Fino: Ligjin e Shërbimit Civil nga 3 mijë e kemi çuar 9 mijë. Pra në qoftë se për ata 6000 mijë të tjerët kur qe PD-ja në pushtet mund të ikte dhe të vinte në punë si i donte qejfi me një të rënë të lapsit sot ne nuk e bëjmë dot. Kam informacion ,por nuk dua ta shpreh këtu që ka njerëz me vendime gjyqi 8 vjet në xhep.