Shkatërrohet natura në Gramsh, pemët shekullore bëhen shkrumb e hi (FOTO)
Natura është shkatërruar. Zjarrfikësit e Gramshit, pas dy ditëve luftë me flakët, kanë mundur të shuajnë zjarrin në pyllin e malit të Koshnicës, njësia Skëndërbegas. Ajo që la pas zjarri është një pamje e dhimbshme, pyjet të djegura, pemë të shkrumbuara duke krijuar një pamje të trishtë, kur nuk shikon më kurorën e gjelbër të pyjeve.
Flakët përpinë me dhjetëra hektarë pyje, pisha, pemë shekullore dhe shumë gjallesa e kafshë që pyllin e gjelbra e të gjallëruar nga jeta, e kishin shtëpinë e tyre. Sot kjo ka mbetur vetëm në fantazinë tonë, pasi pamja e mbetur është e shkretë, pa jetë. Autoritet i bëjnë thirrje njerëzve të tregohen të përgjegjshëm, pasi një gjest i vogël i pamenduar, kushton me dhjetra e qindra hektarë të djegur pyje. Në skenarin më të keq, rrezikon banesat dhe shtëpitë e banorëve.
Që në ditët e para të gushtit, vendi po përballet me flakë të frikshme. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako bëri me dije përmes një deklarate për mediat, se përgjatë muajit korrik janë evidentuar në të gjithë vendin tonë 168 vatra zjarri, kur shumica prej tyre janë të qëllimshme.
Çako tha se janë djegur 598 hektarë sipërfaqe si pasojë e flakëve, teksa u ka dhënë një mesazh të fortë të gjitha bashkive që nuk janë treguar bashkëpunuese në këtë situatë. Ai është shprehur se disa prej tyre por pa përmendur emra konkret, kërkojnë ndërhyrjen nga EC pa i ezauruar të gjitha kapacitetet e tyre, që për të cilin theksoi se është në shkelje të ligjit, duke i paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi.