Shoqata e Bashkive të Shqipërisë: Sistemi njëpartiak sjell rrisqe të mëdha

Deklaratë e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Të ndërgjegjshëm se mbrojtja dhe forcimi i demokracisë dhe autonomisë vendore kanë si bazë pluralizmin e vërtetë si parimi bazë në një shoqëri demokratike dhe në përputhje me statusin tonë si një organizatë në mbrotje të autoriteteve vendore dhe demokracisë lokale, konstatojmë si më poshtë:

Në vijim të procesit të votimeve organizuar dje, më datë 30 qershor, Shoqata e Bashkive shpreh shqetësimin dhe zhgënjimin e thellë për situatën e demokracisë vendore, demokraci që u fundos muajt e fundit nga mazhoranca dhe qeveria aktuale.

Këto votime të zhvilluara në kushtet e anullimit nga Presidenti i Republikës të datës së zgjedhjeve vendore ishin shumë larg standarteve të një cikli kushtetues elektoral. Në kuadrin rregullues ligjor kishte paqartësi që sollën dhe përplasje institucionale, çka vunë në pozita të vështira vendorët lidhur me përgjegjësitë administrative të këtij procesi.

Në datë 30 qershor, procesi i zhvilluar nuk mund të sillte asgjë të re për votuesin, në numër historik më të ulët, cka tregon se procesi nuk siguroi mundësi zgjedhje për të gjithë. Është e pafalshme që edhe në këtë ditë makineria qeveritare abuzoi me shpërndarjen e pushtetit në bashki apo me agjensitë qeveritare në nivel vendor për të siguruar rritjen e numrit të votuesve.

Pas 30 viteve të ratifikimit të Kartës Europiane për Qeverisjen Vendore dhe përpjekjeve të shumta të të zgjedhurve vendorë për konsolidimin e subsidiaritetit, pas votimeve të djeshme, pushteti vendor në Shqipëri rrezikon të shndërrohet thjesht në një zgjatim të qeverisë qendore për të eleminuar mendimin ndryshe, vizionin ndryshe që përfaqësues opozitarë i sjellin këtij pushteti. Kjo situatë eliminon pluralizimin politik jo vetëm në drejtimin ekzekutiv të bashkive me 61 kryetarët por akoma më keq kjo situatë sjell 61 këshilla, që do të funksiononin pa opozitë, pa kundërshtim konstruktiv duke u rreshtuar në të njëjtin kah.

Sistemi një partiak që po kërkohet të instalohet sjell për shoqërinë risqe të mëdha lidhur me cënimin e parimeve të përgjithshme të shtetit të së drejtës duke mos pasur përfaqësim të plotë të qytetarëve.

Ky sistem krijon premisat për arbitraritet dhe abuzim me fuqinë e tepërt pasi do të kemi parlamente vendore një partiake, të të njëjtës parti me Kryetarin duke rrezikuar mekanizmat e “check and balance” në bashki dhe cënuar rolin vendimmarrës të këshillave si organe publike.

Më tej, sistemi një partiak do të sjellë kufizime dhe barriera të papranueshme për shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë në vendimmarrjen lokale, të cilëve mund t’ju hiqen hapësirat për sugjerime a rekomandime ndryshe.

Risku tjetër që vjen me pushtetin e tepërt dhe me mbështetjen e plotë politike nga këshillat vendorë do të çojë në ulje ose keqpërdorim të interesit për bashkëpunim ndërkombëtar.

Situata aktuale është vite larg vizionit të demokracisë vendore të sanksionuar dhe në Kushtetutë.

Me anë të këtij qëndrimi, ne duam të informojmë publikun e gjerë por dhe institucione ndërkombëtare të interesuara për presionin politik dhe të paligjshëm ushtruar mbi Kryetarët e bashkive këtyre muajve të fundit. Rastet janë të shumta por ndër më flagrantet janë shkarkimi i Kryetarit të Vaut të Dejës, z. Zef Hila, procedimi penal për znj. Voltana Ademi dhe z. Agron Kapllanaj, Z. Fran Frrokaj etj. Veprimet e ndjekura nga qeveria janë tërësisht arbitrare duke iu shmangur procedurave ligjore.

Fatkeqësisht, gjatë votimeve ky presion u shtri dhe më tej, jo vetëm tek administrata lokale, por dhe tek çdo njeri me të drejtë vote deri tek përfituesit e ndihmës ekonomike, invalidët apo çdo grup tjetër që merr një ndihmë shumë të merituar nga Bashkia.

Keqpërdorimi i burimeve administrative nga organet publike cënon vlerat themelore demokratike që janë thelbi i procesit elektoral europian. Votuesit duhet të gëzojnë lirinë të krijojnë bindjen e tyre pa presionin e organeve publike, të cilat duhet të jenë neutralë gjatë gjithë kohës.

Sa më sipër, me përgjegjësinë institucionale dhe bindjen për të kontribuar drejt përmirësimit të sistemit, demokracisë lokale dhe pluralizmit, ju bëjmë thirrje aktorëve politikë:

Të bashkohen rreth vlerave kombëtare, demokratike dhe qytetare;

Të vendosin piketa të përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Europian para interesave të ngushta partiake;

T’u rikthejnë qytetarëve mundësinë e organizimit të zgjedhjeve kushtetuese e të lira për të gjithë dhe para së gjithash të rivendosin kushtetueshmërinë dhe zbatimin e ligjit në vend

SHKARKO APP