Shpallen fituesit e sondazhit të KOHA JONE online. Çmimi special shkon për Vjosa Osmanin

Sondazhi online i www.kohajone.com (i përvitshëm) nisur me datë 10 nëntor 2020 për “Njeriu i Vitit”, “Politikani i Vitit”, “Gazetari i Vitit”, “Moderatori Televiziv i Vitit”, “Biznesmeni i Vitit” u mbyll me datë 29 dhjetor, ora 12.00.

Në përfundim të sondazhit online rezultatet janë këto:

1-“Njeriu i Vitit 2020” fiton Skënder Brataj

2-“Politikania e Vitit 2020” fiton Monika Kryemadhi

3-“Moderatori televiziv i Vitit 2020” fiton Arian Çani

4-“Gazetari i Vitit 2020” fiton Agron Gjekmarkaj

5-“Biznesmeni i Vitit 2020” fiton Kadri Morinaj

Ndërkohë këtë vit redaksia e gazetës KOHA JONE vendosi të jap vetë një Çmim Special, të cilin ia adreson Vjosa Osmanit.

Njeriu i Vitit 2020-mjeku Skënder Brataj

Në foto: Skënder Brataj

Viti 2020 nisi mbrapsht për botën, por edhe për Shqipërinë. Covid-19 drithëroi gjithë popullin, tronditi ekonominë, mori jetë njerëzish; me pak fjalë ndryshoi krejt një shoqëri në mënyrën e jetesës dhe sjelljes.

Në mars, kur “shtetrrethimi” ishte e vetmja zgjidhje, sirenat e ambulancave ishin e vetmja “muzikë” shqiptare. Spitalet u vunë në gatishmëri, kryeministri nxirrte kokën herë pas herë nga “bunkieri” në Surrel, në kryeqytet bënin paradën e ditës, autoblindat.

Njerëzit donin shpresë, donin një fjalë të mirë, përveç autoambulancës. Doli 127, një mënyrë qetësimi, ndihme; ishte edhe si psikologji. E në këtë katrahurë, përveç mjekëve që dilnin e flisnin apo shumica rrinin mbi kokat e njerëzve të sëmurë në spitale, kur më shumë kishte frikë se sa realitet; u gjend një mënyrë për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve.

Skënder Brataj, ose siç thirrej “njeriu-127” doli në skenë. Në media, në terren te njerëzit, në autoambulancë, duke shkuar me vrap nëpër shtëpi; ishte kudo.

Skënder Brataj, orator dhe profesionist, ai, natyrisht me qindra e qindra të tjerë mjekë, infermierë, specialistë, reparte ndihmëse të mjekësisë; u kthyen në shpresë për qytetarët. Për të qenë realist, Skënderi, ishte një prej tyre, por simbolika e mbijetesës dhe shpresës përballë një sëmundje që askush nuk dinte se ç’ishte, e ktheu atë në popullor.

Dhe e votuan online si Njeriun e Vitit! E kanë votuar Skënder Brataj, por me sa duket votuesit kanë patur parasysh çdo mjek dhe personel mjekësor në Shqipëri.

CV e shkurtër e Skënder Brataj:

Ai është diplomuar ne Universitetin e Tiranes, Fakulteti i Mjekësisë ne vitin 1992. Më pas u diplomua edhe në Universitetin e Torinos (Itali), po për mjekësi në vitin 1996.

Master: Emergjenca-Urgjenca, Regjione Piemonte Itali, 1998-1999

Diplomë: Emergjenza-Urgjenza, Universiteti i Torinos,Fakulteti i Mjeksise  2003-2004

Master: Mjekësia Anti-aging(Agora Milano), 2007-2009.

Master: Mjekësia Estetike dhe Terapia Estetike ne Universitetin e Camerinos (Itali) 2009-2011

Eksperienca pune

Maj 1998 – gusht 1998 Guardia Medica ne Spitalin e Chivasos

Shtator 1998 – gusht 2004 ASL n°1 Torino, Emergjenca-Urgjenca

Gusht 2004 – dhjetor 2012 ASO C.T.O/Maria Adelaide

Janar 2013 – shkurt 2015, ASOU (Azienda Sanitaria Ospedaliera Universitare) Citta della Salute e della Scienza di Torino.

Nga 26.03.2015 dhe në vazhdim, Drejtor i Qendrës Kombëtare te Urgjencës Mjekësore,Tiranë.

Eksperienca e punës në këto spitale është si më poshtë:

DEA (Dipartimento di Emergenza-Urgjenza e Accettazione)

DEA C.T.O/Granditraumi Torino Tetor 1999-Tetor 2005 DEA .H.Mauriziano di Torino 2006-2011

DEA H.Martini di Torino 2006-2010

DEA. H.Molinette 2010 Centrale Operativa 118 Torino nga viti 1998 dhe ne vazhdim

Assistenza Sanitaria di Sport Events Torino 2005

Assistenza Sanitaria delle Olimpiadi Torino 2006

Assistenza Sanitaria delle Paraolimpiadi Torino 2006

Assistenza Sanitaria delle Universiadi Torino 2007 Missione Umanitaria in Albania zona Dukagjin con Associazzione non governativa Anemon 2007.

Missione Umanitaria Reggio Emilia per termetin 2012.

Certifikatë mirënjohje nga Regjioni i Piemontit me Medalje për aktivitetin e zhvilluar ne mbrojtjen civile, mbrojtjen kundër zjarrit, menaxhimin e emergjencave dhe urgjencave mjekësore jashtë regjionit dhe ndërkombëtare nga viti 2010-2012.

Certifikatë mirënjohjeje nga Organizata George C. Marshall Albania me:

“The Marshall Medal of Honour” “To Dr Skender Brataj For his outstanding contribution on risking his life to save another during COVID 19 pandemic situation in Albania”. 

Publikime shkencore:

Kongresi i Kardiologise Torino 2001 Kongresi ERC (Eurepean Resuscitation Counsil) Firence 2005 Kongresi Assimefac 2005 Congresso FIMEUC Roma 2011 Congresso SIMECNA Qershor 2014-Nëntor 2014 Congresso SIMECNA 2017 Congresso SIMECNA 2019 Congresso SIMEU

2018 Rimini Kongresi i parë i Shoqatës së mjekëve shqiptare të urgjencave Tiranë 2015.

Kongresi i VI i Shoqatës Emergjente Prishtinë 2015.

Kongresi ASTES 2017 Kongrei ASTES 2018

Kongresi ASTES 2019 Konferenca e I 1-ST International Scientific Conferenc ;

Advaced Management of Trauma;-ISCAMT 2017 Venue-Aleksandër Moisiu Universiti 28-29 April 2017.

Docenca:

Corso Universitario Emergenza-Urgenza per medici Universita di Torino Regione Piemonte Istruttore 118 Animatore di formazione Certificatore regionale 118 Istruttore corso regionale emergenza territoriale per medici BLSD Facolta di Medicina di Torino( 2004) MIMMS(Major Indcident Medical Management and Support) Primo Soccorso Trasferimento intra e inter ospedaliero del paziente critico Trauma

Docent dhe kordinator i sherbimit te Emergjenc-Urgjences 118 Regjioni Piemonte ne vitin 2009 ne trajnimin e mjekeve shqipëtar (corso di primo soccorso ai medici albanesi a Tirana)

Docente AHA (American Heart Assotation)

BLS (Basic Life Support) BLSD(Basic Life Support end Defirilation) PALS(Pediatric Advanced Life Support) ACLS (Advaced Cardiac Life Suport)

Përfaqësime

Anëtar AHA (American Heart Assotation) USA

Përfaqësues per SIMEU (Societa Italiana Medicina Emergenza-Urgenza) dhe ITC Italia, ne 2010 per Guide Lines Internazionli AHA, Chicago.

Anëtar dhe përfaqësues N.A.E.M.T (National Association of Emergency Medical Technician) Albania 2018

Anëtar i ITC (Italian Training Centre) Itali

Anëtar N.A.E.M.T(National Association of Emergency Medical Technician)USA

President N.A.E.M.T(National Association of Emergency Medical Technician)Albania 2018

Anëtar SIMEU (Societa Italiana Medicina Emergenza-Urgenza),

Këshilltar N.F (National Faculty) per formimin AHA(American Heart Asotation).

Drejtues i komisionit PALS (Pediatric Advanced Life Support).

Anëtar FIMEUC(Federazione Italiana Medicina Emergenza-Urgenza e Catastrofi)Itali.

Drejtues i komisionit te katastofave prane kesaje federate per tre vjet.

Anëtar SIMECNA(Societa Internazionale di Medicina e Chirurgia Nano- Ablativa) Itali. Themelues i shoqatës dhe përfaqësues i sekretarisë shkencore.

Anëtar, Shoqata e Mjekeve te Urgjencave Shqiptare.

Pedagog i jashtëm Fakulteti i Mjekësisë Tiranë nga viti 2016.

Anëtar i Komitetit te Eksperteve për Covid-19.

Politikania e Vitit 2020- Monika Kryemadhi

Në foto: Monika Kryemadhi

Monika mbetet një motiv i madh opozitar dhe një organizatore brilante elektorale.

Monika Kryemadhi ka lënë gjurmë si një grua me karakter të fortë vite përpara se ajo të merrte kryesimin e LSI. Por ishte pikërisht ky pozicion drejtimi, i cili nxori në pah aftësi të tjera lidershipi tek ajo, duke e bërë një nga aktorët kryesor të zhvillimeve në vend.

Ajo nuk u bë njohur në LSI, ishte nga të rinjtë me kurajoz në të majtën shqiptare në vitet e para të pluralizmit, në atëkohë kur pak veta ofroheshin në PS, parti e cila vinte nga komunizmi; Monika militoi dhe ngjiti shkallët e karrierës, vetë pa asnjë ndihmë.

Roli i saj në politikë dhe tani në drejtimin e LSI-së është dhe një zhvillim pozitiv edhe për fuqizimin e gruas shqiptare në përgjithësi. Kush do ta mendonte përpara Monika Kryemadhit se gratë mund të drejtonin përmes sfidave, ndërsa sot publiku shqiptar sheh se si gra të tjera marrin inspirim për të shfaqur aftësitë e tyre. Kryemadhi e ka drejtuar partinë në momentet shumë të vështira pas vitit 2017. Me zgjedhjen e Ilir Metës, President dhe drejtimin e partisë në zgjedhje nga Petrit Vasili, ndonëse partia mori numrin më të madh të votave dhe të mandatëve në Parlament, LSI u pozicionua në opozitë. Rrjedhimisht, kjo situatë e pa Kryemadhin në një pozicion të pazakontë jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe vetë brenda LSI. E kalitur me durim dhe e mbështetur nga një lidership i ri idealistësh, ajo e udhëhoqi LSI që të kapërcente me sukses 4 vitet më të vështira të ekzistencës së saj si parti politike.

Me një parti që vinte pas 4 viteve qeverisje, Kryemadhi ndërpreu edhe komunikimet e te vjetërve me pushtetin. Qëndrimi i saj i prerë dhe ndoshta pak partiak, që vuri ne fokus të saj të rinjtë, gratë, figurat e reja, i vendosi të gjithë njerëzit që në pushtet konsideroheshin nga baza që kishin ngrenë në kurriz të LSI-së, përpara një alternative: Ose me LSI-në e Monikës për të mbështetur dhe hapur krahun të rinjve, ose te shkonin të bashkoheshin me Edi Ramën.

Vendosja e saj në pozicione të forta krijoji një katarsis të thellë në LSI dhe përmirësoi ofertën e njerëzve me të cilët ajo i paraqitet sot publikut.

Sot nuk ke çfarë thua për Klajda Gjoshën, Floida Kërpaçin, Endrit Braimllarin, Elona Gurin, Kejdi Mehmetajn, Erisa Xhixhon apo Silva Cakën dhe shumë të tjerë që përbëjnë lidershipin e ri, të papërfshirë në pushtetin e vjetër por shumë të aftë të drejtojnë pushtetin e nesërm me vlerat dhe virtytet që qëndrojnë në themel të LSI-së. Por pa harruar ndërthurjen me dy-tre figura si Luan Rama dhe Petrit Vasili, që janë personalitete të pëlqyera nga partia, nga socialistët dhe më gjerë.

Por efekti Monika i kalon kufijtë e partisë LSI.

Qëndresa e saj për të mbajtur pozicionet ekstreme të opozitës, si djegia e mandateve apo bojkoti i zgjedhjeve, pozicionimi i fortë i LSI-së kundër Ramës, detyroi që ta tërhiqte edhe Bashën apo atë pjesë të PD, të cilët mund të kishin dëshirë të bënin një koalicion me PS-në në vend të luftës ballore më të keqen. Qëllimi me këpucë dhe pozicionet radikalo-parimore përballë keqqeverisjes së Ramës dhe Rilindjes, nxitën të gjithë frontin opozitar të kapte ekstremitetet e mundshme dhe ta linin Edi Ramën të izoluar, pa shtigje komunikimi. Dhe nxori zbuluar ata që në fshehtësi u interesonte komunikimi me pushtetin. Pozicioni i egër për të cilin shumë kanë ngritur pikëpyetjet e tyre mbi sjelljen e Kryemadhit, sot kuptohet se është mbajtur për shkak te ndarjes përfundimtare që Opozita, LSI dhe PD duhet të realizonin nga PS.

Ndryshe nga katër vite më parë, sot Edi Rama është më i vetmuar se kurrë dhe opozita më e bashkuar së çdo opozitë në historinë e Shqipërisë. Dhe ky produkt është në fakt vepra e betejës me zemër të një gruaje si Monika Kryemadhi. E gjendur mes punëve brenda partisë, brenda opozitës dhe komunikimit publik, kjo kohë ka qenë jo e lehtë. Sulmi nga Rama ka qenë i egër ndaj LSI. Rama në ikje është angazhuar në një sulm ndaj mbështetësve të LSI. Por, mos bashkëjetesa me padrejtësinë është motoja e LSI-së dhe kjo tashmë është kthyer në modë për të rinjtë dhe të rejat shqiptare. Ndoshta kjo është dhe arsyeja e një pamje më të qetë të Kryemadhit në daljet e fundit televizive. Kryetarja e LSI duket sot më e bindur dhe e sigurt për rezultatin e zgjedhjeve të Prillit 2021. Kryemadhi i ka vendosur një mision vetes dhe partisë së saj: Ta bëjmë Shqipërinë të ndihet sërish si shtëpi. Duke e bazuar ofertën e saj tek projekti politik për të krijuar punësim të mirëpaguar, arsim cilësor dhe standarde jete këtu në vend të emigrimit në Evropë. Me një frymë të re në drejtim LSI e Monikës pritet të sjellë surpriza këtë prill 2021 dhe duket se do shënojë këtë dekadë, ashtu si vetë kryetarja e ka cilësuar për të qenë Dekada e Shpresës dhe Ndryshimit.

Një biografi e shkurtër e Monika Kryemadhit:

Monika Kryemadhi lindi në Tiranë në 9 prill 1974.  Znj. Kryemadhi është diplomuar për “Bio-Kimi” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Gjatë periudhës Gusht 1999 – Dhjetor 1999 ka kryer “George C. Marshall European Center for Security Studies”. Ndërkohë në vitin 2000 – 2002 ka kryer Master në “Administrim Biznesi”, nga Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës në bashkepunim me Universitetin e Nebraskës, ShBA. Në prill të vitit 2002 ajo ka marrë “Certificate of Appreciation” nga Qendra George C. Marshall. Njëkohësisht në prill 2002 ka mbaruar “Leadership for the 21 st Century: Chaos, Conflict and Courage” në Harvard University. Gjithashtu në vitin 2015 ka përfunduar Doktoraturën për “Analiza e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore në Këndvështrimin Ekonomik dhe Juridik”. Znj. Kryemadhi gjatë viteve 1999 – 2001 ka punuar si Specialiste në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Nëntor 1991, Monika Kryemadhi anëtarësohet në PS dhe zgjidhet anëtare e Komitetit Drejtues të PS Tiranë. Më 15 Janar 1992 zgjidhet anëtare e Kryesisë së FRESSH dhe në 10 Maj 1992 në Kongresin e I-rë të FRESSH, ajo zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e FRESSH. Më 1994 zgjidhet Zv presidente e Internacionales së Rinisë Socialiste dhe në 1996 rizgjidhet sërisht Zv presidente e IUSY.

1996-2001 zgjidhet anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke shërbyer 2 mandate si përfaqësuese e Partisë Socialiste. Gjatë kësaj kohe, ajo zgjidhet Sekretare e Delegacionit të Pushtetit Vendor në Këshillin e Europës. Në 2001 ajo zgjidhet deputete e Kuvendit të Shqipërisë për zonën e Kombinatit, duke garuar me Partinë Socialiste ku arriti një nga rezultatet më të larta në atë kohë prej 79% të votave.  Monika është një nga deputetet e cila në 2004 firmosi për krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013, duke garuar për LSI në qarkun e Lezhës ajo zgjidhet deputete për herë të dytë në Kuvendin e Shqipërisë. Në 2017 ka fituar mandatin e saj të tretë në pushtetin legjislativ, këtë herë si deputete e Elbasanit.

Gjatë periudhës 2012-2017 Kryemadhi ka mbajtur pozicionin e Sekretares Organizative në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndërsa nga Maj 2017 deri në Korrik 2017 ka mbajtur pozicionin e Zv kryetares të LSI.  Më 5 Korrik 2017 Kryemadhi zgjidhet Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga Konventa Kombëtare, duke zëvendësuar Z. Petrit Vasili i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve. Ajo rikonfirmohet në detyrë përmes procesit të votimit ‘1 anëtar – 1 votë’ të mbajtur më 21 Nëntor 2020. Znj. Kryemadhi njeh në nivel shumë të mirë dhe dy gjuhë të huaja, anglisht dhe frëngjisht. Kryemadhi është e martuar me Ilir Metën, me të cilin ka tre fëmijë: Bora, Besar dhe Era Metaj. Në vitin 2017, kur Meta u zgjodh President i Shqipërisë, Kryemadhi refuzoi të bëhej Zonja e Parë e vendit, duke zgjedhur të vazhdojë të ishte deputete e parlamentit.

Moderatori më i mirë televiziv i vitit 2020- Arian Çani

Në foto: Arian Çani

Arian Çani në vitet e para të pluralizmit erdhi direkt nga Parisi në gazetën KOHA JONË. Ai ngjiti rrufeshëm shkallët e medias së shkruar, por për dreq nuk u bë asnjëherë kryeredaktor në KOHA JONË! Kishte konkurrentë dhe plot “ujqër” në redaksi, ndaj Ariani erdhi ashtu, si zhurmaxhi i papërsëritshëm, plot patos, debatues, profesionist, si dhe përherë sherrxhi për rrogën kur i vonohej.

Ai iku nga KOHA JONË, por përherë mbeti këtu, si shumë të tjerë që sot janë shpirti, zjarri dhe kuraja e medias së lirë shqiptare.

Arian Çani nuk njeh korniza strikte, ai vrapon edhe duke u ngjitur; ai bëri të parën radio private në vend, dhe njerëzit rrinin zgjuar për të dëgjuar Arianin në mesnatë.

Ai thyen tabu!

Ndaj Arian Çani është një ndër ikonat e medias televizive, ndërsa lexuesit online të Koha Jonë e kanë votuar si Moderatori televiziv më i mirë i Vitit 2020.

Kur Arianit ia komunikuam si redaksi çmimin, nisi një mesazh, të cilin po e botojmë:

Arian Çani: Ishte e premte dhe për pak minuta duhej të hyja live në studio, kur një batare sms nga Niko Lesi ma këputi hovin me të cilin hyj zakonisht në Zonë e Lirë.

Mos!

Diçka duhet t’i ketë ndodhur Nikos… Por jo! Ishin 17 screenshots të një sondazhi që gazeta e Nikos, “Koha Jonë” bën çdo vit, ku shpall një fitues të vitit. Kësaj here kisha fituar unë. Ua! Po pse në 2020 dhe jo në 2019?

Shkullaku më tha të nesërmen se sondazhi i Nikos shpallte çdo vit një fitues të ndryshëm. Epo mirë! Falënderova Nikon. Të paktën, s’më kishte harruar që nga koha kur unë punoja për gazetën e tij në vitin ‘95. Atëherë isha akoma i ri. Sapo isha kthyer nga një stazh jete nga Parisi dhe puna te “Koha Jonë” ishte një aventurë e vërtetë në ato kohëra.

Me Nikon, Sandrin, Shkullakun e shumë të tjerë nisi kështu një rrugëtim që vazhdon ende dhe sot pas 30 vitesh. “Koha Jonë” ishte shkolla e parë e vërtetë e gazetarisë modeste shqiptare. Pa kaluar andej, me siguri që sot s’do bëja këtë që bëj sot. Vitet kalonin dhe ne rriteshim nga pak të gjithë.

Rrugët tona më vonë u ndanë, por ndjesia se i përkisnim të njëjtës familje, nuk është shuar as sot. Me Niko Lesin takohemi më rrallë. Por sa herë që ndodh, ai është i njëjti. Nuk plaket asnjëherë, Niko! (Arian Çani).

Biznesmeni i vitit 2020 ose biznesmeni bamirës- Kadri Morinaj

Në foto: Kadri Morinaj

Ndonëse 2020 ishte një vit për t’u harruar, Kadri Morinaj është një emër që duhet mbajtur mend në kujtesën e shqiptarëve.

Presidenti i Grupit Financiar Eurosig-Insig & UBA Bank, Kadri Morinaj, në çdo fatkeqësi që kanë pësuar shqiptarët, me dashamirësinë më të madhe ka dëshmuar që është i gatshëm të jetë në krah të popullit të tij. Ai ka vërtetuar vazhdimisht që ndjen dhimbje kur Shqipëria lëngon. Por, gjatë 2020 shënjoi edhe njëherë gatishmërinë e tij për t’u ardhur në ndihmë me të gjitha mënyrat atyre shqiptarëve që u prekën nga lëkundjet e forta tërmeteve dhe Covid-19.

Pas tërmeteve të forta që tronditën Shqipërinë, 2020 pritej të ishte një vit shprese dhe mbarësie, por fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu siç u mendua. Shqipëria dhe mbarë bota ra pre e një pandemie të quajtur Covid-19. Kadri Morinaj menjëherë u pozicionua përkrah bluzave të bardha, duke akorduar 50 mijë euro në favor të mjekëve që po mundoheshin çdo ditë të shpëtonin jetë njerëzish.

Mjaft familje shqiptare u përballën me papunësi dhe vështirësi financiare për t’u ushqyer. Nisur nga kjo, Kadri Morinaj ndërmori një fushatë unike për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe higjienike në mbarë vendin, nga Tropoja në Konispol.

Puna e përditshme në kompanitë e z. Morinaj ndaloi dhe u ndezën motorët për të ndihmuar shqiptarët që u përballën me vështirësi jetike. Grupi Eurosig-Insig dhe UBA Bank, nën dirigjimin e Presidentit të saj u angazhua në të gjitha qytetet, duke bërë të mundur dërgimin derë më derë të mbi 12 mijë pakove me ndihma ushqimore dhe higjienike në mbi 12 mijë familje në mbarë vendin.

Mirëpo gjatë kësaj fushate, Kadri Morinaj u përball me një familje në fshatin Lleshaj të Gramshit. Banesa ku strehoheshin 8 anëtarët e familjes Roci ishte në kushte të mjerueshme dhe skamja kishte kapluar këtë familje. Fati i keq deshi që ata të përballen dhe me humbjen e nënës. Bashkëshorti i saj, Guri Roci, duhet të kujdesej për 5 fëmijët nënën e moshuar dhe motrën e paralizuar. Por në ditën e shenjtë të Kurban Bajramit, Kadri Morinaj i dhuroi familjes Roci një shtëpi te re në qytetin e Gramshit, duke u krijuar një mundësi fëmijëve për një jetesë më të sigurt dhe mundësi shkollimi. Projekti nisi në mesin e muajit prill në një tokë të siguruar nga bashkia. Banesa prej 150 metër katror u ngrit nga zero dhe u mobilua për tre muaj ndërsa familja e mori atë dhuratë për Kurban Bajram, gjithashtu iu dha edhe një shumë monetare në atë ditë të shenjtë.

Kadri Morinaj u ka qëndruar pranë edhe fëmijëve jetimë, duke ndihmuar disa herë Shoqatën Kombëtare të Jetimëve me nevojat emergjente të tyre. Gjithashtu, ai i ka dhuruar Shoqatës Vatra në Amerikë, një shumë prej 10 mijë dollarësh, për nevojat e shqiptarëve atje.

Por mos të harrojmë atë që ndodhi në fund të vitit që shkoi. Shqipëria u lëkund, u lëndua dhe pati pasoja në jetë njerëzisht dhe pasoja materiale nga tërmetet e forta të fundit të 2019. Kadri Morinaj, mëngjesin e 26 nëntorit u gjend menjëherë në Thumanë, aty ku ishin pasojat më të rënda. Sapo u kthye në zyrë, ai dhuroi 50 mijë euro për operacionin e shpëtimit të njerëzve nga rrënojat. Në të njëjtën kohë dhuroi edhe 20 mijë euro për nevojat emergjente të shqiptarëve të mbetur në qiell të hapur.

Kadri Morinaj mbetet një biznesmen që sakrifikon dhe rrezikon. Ai shquhet dhe ka fituar publikun në votimin online, ndonëse kishte emra të fortë të biznesit si konkurrentë, por falë bamirësisë dhe shpirtit të tij fisnik ai doli Biznesmeni i Vitit 2020.

Gazetari i vitit 2020-Agron Gjekmarkaj

Në foto: Agron Gjekmarkaj

Agron Gjekmarkaj është pedagog, analist dhe një intelektual i cili provoi gjatë vitit 2020 në shtypin e shkruar dhe në debatet televizive, një integritet e profesionalizëm të lartë, duke u bërë admirues për publikun. Duke qenë oponent i çdo pushteti, Gjekmarkaj, ka treguar se qëndrimi kurajoz dhe pa asnjë kompromis me të keqen e pushtetit (dhe çdo pushteti) mbetet mision fisnik, por edhe patriotik i çdo analisti në media.

Gjatë vitit 2020, Agron Gjekmarkaj është dalluar në shtypin e shkruar si editorialist pranë gazetës “Panorama” ku ka spikatur me stilin e tij unik dhe referencat kulturore në disa zhanre të publicistikës duke kulmuar me satirën ndaj fenomeneve politike të përditshme shqiptare. Në disa studio kryesore televizive ka qenë debatues dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut me një oratori mbresëlënëse, sikurse dhe një denoncues i aferave të pushtetit. Logjika e ftohtë, kultura solide europiane, argumenti si dhe nervi e etika e një njeriu që do një Atdhe me të mirë, e ka bërë Gjekmarkajn që të marrë vota online duke u shpallur GAZETARI I VITIT 2020.

CV e shkurtër e Agron Gjekmarkaj

Në vitin 1996 ka qenë Kryeredaktor i gazetës “Ora e Shqipërisë”. Në vitin 1996 bashkëpunëtor  i Revistës kulturore “Hylli i Dritës” drejtuar nga At Zef Pllumi dhe Aurel Plasari! Vitet 2002-2005,  bashkëpunëtor i Radio Vatikanit, Konsulent Radio Vatikani, Romë, Itali.

Shtator 2005 – mars 2007, këshilltar për politikat kulturore i Ministrit të Kulturës Bujar Leskaj! Gjate vitit 2007 – shkurt 2008,  Drejtor i Drejtorisë së Arteve dhe Letrave në MTKRS. Po kështu ndër vitet  2007 – 2010 ka qenë anëtar i Jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë. 2006-2008 Anëtar i Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare. Nga viti 2010 opinionist i gazetës “Panorama”.

Tetor 2011 merr gradën Doktor i Shkencave në studime letrare me punimin me temë “At Zef Pllumi: Vepra e Jetes”

Ne vitin 2005 diplomohet në specialitetin “Teori Letërsie” në Fakultetin e  Letërsi-Filozofisë pranë Universitetit “La Sapienza” (Romë, Itali) me vlerësimin “Shkëlqyeshëm” 110 e “lode” me temë “Miti dhe Fantastikja në veprën e shkrimtarit Ismail Kadare”.

Korrik 1996 diplomohet në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, i vlerësuar me notën 10.

Agron Gjekmarkaj nga muaji nëntor i vitit 2011 dhe aktualisht është Pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Publik të Tiranës ku prej tre vitesh kryen detyrën e zëvendësdekanit të këtij institucioni.

Veprimtaria kryesore dhe përgjegjësitë

Titullar/ligjërues për lëndët:  Letërsi e “Mesjetës dhe e Rilindjes” Histori e shtypit”, “Histori e  qytetërimeve”  dhe  “Letërsi italiane”.

Ai gjithashtu ka punuar si Ndihmës i Presidentit të Republikës për një periudhë kohe shkurt 2008 deri në vitin 2011.

Ai flet dhe shkruan në gjuhe të ndryshme. Pjesëmarrje sistematike në konferenca shkencore kombëtare dhe  ndërkombëtare  mbi studimet letrare si dhe njëri prej parathënësve të veprës  së plotë të shkrimtarit Ismail KADARE.

Botime (libra):

  1. “La letteratura fantastika di Kadare”, Rieti, Itali, 2012
  2. “Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët” Tiranë, 2009, Përgatitës i botimit!
  3. “Reaksionari”, kritikë dhe publicistikë, shtëpia botuese “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2015.

Çmimi Special i “KOHA JONË” shkon për Vjosa Osmani (Sadriu)

Është ushtruese e detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës dhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në foto: Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka treguar se mbetet një politikane me dinjitet dhe që ka refuzuar politikën e vjetër të servilizmit ndaj kryetarit të partisë, sikurse ka manifestuar besueshmëri në elektoratin e Kosovës e jo vetëm, si dhe këtej në Shqipëri. Me kurajën dhe kulturën e saj euro-atlantike, por edhe si patriote, Vjosa Osmani manifestoi gjatë vitit 2020 vendosmëri dhe përballje me klasën e korruptuar politike në Kosovë dhe në Shqipëri.

Ajo pati guximin t’ia thotë në sy kryeministrit Edi Rama në Tiranë dhe në zyrën e tij e më pas edhe në sallën e parlamentit të Shqipërisë se kushdo ka negociuar me Serbinë për ndarjen e Kosovës ka bërë tradhti kombëtare (nënkupto Vuçiç,Thaçin e Ramën), që “shengeni ballkanik” është lojë e Serbisë dhe se duhet hequr trau-kufi në Rrugën e Kombit.

Përveç votimeve online në www.kohajone.com, redaksia e gazetës KOHA JONË vendosi për cilësitë, integritetin personal e politik si dhe patriotizmin që ka treguar Vjosa Osmani t’i jepet Çmimi SPECIAL për vitin 2020.

 

Një biografi e shkurtër e Vjosa Osmanit:

Dr. Vjosa Osmani-Sadriu lindi më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Republika e Kosovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka mbaruar në Mitrovicë. Ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka mbaruar në Universitetin e Pittsburg-ut në Pensilvani, ShBA.

Është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Në mandatet e kaluara ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformën Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 5 nëntor 2020, Vjosa Osmani bëhet u.d. Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit e Presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburgut në SHBA. Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjërata tematike në universitete të tjera në Evropë e në SHBA.

Nga Universiteti i Pittsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”. Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht. Është e martuar me Prindon Sadriun me të cilin ka dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Jeton në Prishtinë.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP