Shqipërinë e pret Vit i Ri i vështirë
Viti që po lëmë pas do të mbahet mend si një nga vitet më të rënda për vendin. Tërmeti i 26 nëntorit ishte fatkeqësia natyrore që prodhoi numrin më të madh të viktimave në dekadat e fundit. 51 të vdekur, rreth 1 mijë të plagosur dhe me mijëra shtëpi të dëmtuara është bilanci i një prej tragjedive që goditi ashpër Shqipërinë. Ndërsa fatkeqësitë natyrore janë të paparashikueshme dhe nuk ndalohen, zhvillimet politike dhe sociale në vend e bëjnë 2019 një vit me bilanc negativ që do të mbahet mend gjatë. 2019-ta do të mbahet mend si viti i parë në historinë e shtetit shqiptar kur parlamenti ra si institucion demokratik. Djegia e mandateve të deputetëve, për shkak të krimit dhe korrupsionit të denoncuar nga opozita sollën situatën e rënies së një prej shtyllave të demokracisë dhe ligjeve që është Kuvendi. Në të vertetë gabimi në këtë rast ishte i opozitës që dorëzoi mandatet, pasi duhej të luftonte në sallën e Kuvendit dhëmbë për dhëmbë më qeverinë. Ndonëse veproi gabim përsëri opozita nisi protestat masive në gjithë vendin, të cilat u goditën ashpër nga qeveria me dhunë dhe gazlotsjellës. Por rënia e Parlamentit nuk ishte i vetmi lajm i keq politik. Zhvillimi i zgjedhjeve lokale pa opozitën me 30 qershor i dha një tjetër goditje demokracisë. Që pas viteve ’90 Shqipëria iu kthye modelit të zgjedhjeve komuniste duke bërë hapa pas. Ndërsa partia në pushtet mori dhe pushtetin vendor, kontrollin total të Kuvendit, kapja e sistemit vijoi me mediat, ekonominë dhe deri të universitet e të Akademia e Shkencave. Në këtë mënyrë, Shqipëria e vitit 2019 nuk ndryshonte shumë nga ajo e vitit para vitit 1990, ku një parti kishte në dorë qeverinë, Kuvendin, bashkitë. Pjesë e këtij projekti për kontroll total të shtetit është dhe marrja e Presidencës dhe ngritja e komisioneve hetimore ndaj kreut të shtetit, i vetmi institucion me pushtet që po kundërshton qeverinë dhe mafien. Klima e rëndë politike dhe kontrolli total i një partie të vetme solli pasojat edhe ekonomi. Koncesionet qeveritare me biznesin dhe oligarkët janë të vetmet “investime” që ka patur në vend. Ndërkohë bizneset e huaja, me problemet me demokracinë dhe ligjin kanë nisur të mos e shohin më Shqipërinë si vend interesant.
Ngjarjet e zymta të 2019-ës që po lëmë pas nuk japin shpresë së viti 2020 do të jetë një vit normal. Përkundrazi, kriza që u gatua me vendosmëri nga qeveria gjatë këtyre 12 muajve do të shpërthejë dhe më e ashpër në vitin e ri që vjen. Qeverisja e Rilindjes hyn në vitin e shtatë të saj dhe pas lë një nga bilancet më të këqija qeverisëse. Parlamenti i kthyer në degë të PS, pushteti vendor që mbahet me të deleguar partie dhe kriza e gjithanshme institucionale do të krijojnë probleme të reja që në muajt e parë të 2020-ës. Ekonomia edhe nga parashikimet e vetë PS-së shihet me nota kritike, ndërkohë që eksodi i shqiptarëve drejt BE-së vazhdon njëlloj si vendi të jetë në luftë të pashpallur. Opozita e ndodhur jashtë të gjitha institucioneve dhe pushteteve nuk ka më çfarë të humbasë dhe as çfarë të presë. Ndaj është e detyruar që aksionet politike t’i bëjë më konkrete dhe të riktheje shpresën për ndryshim. Ndryshe ajo do t’ia lërë Shqipërinë krejt Rilindjes.
Viti 2020 duhet ta zgjojë opozitën në përballje jetike me bandën e pushtetit. Ndryshe më mirë të shkrihet!