Shqiptarët po ikin, por vendin e tyre po e zënë punonjësit e huaj: nga India e Bangladeshi, tek ata nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi

Mungesa e fuqisë punëtore është një fenomen që është hasur në shumë vende të botës dhe së fundmi po ndjehet edhe në Shqipëri.

Punëtoret shqiptarë janë duke parë gjithmonë e më shumë si zgjidhje për të punuar vendet e BE-së, ndërkohë që në qytete të ndryshme kërkesa për vende pune dhe për punonjës të thjeshtë apo të kualifikuar sa vjen e rritet.

Ndërkohë që në kryeqytet rekrutinet për punonjës të bareve dhe restoranteve janë fokusuar kryesisht në rajon.

Përfaqësuesi i Shoqatës së bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj tha për Monitor se mungesa e fuqisë punëtore është problemi më madhor që ka aktualisht sektori, veçanërisht në muajt e verës. Në këtë periudhë sipas Jahaj drejtuesit e bareve dhe restoranteve i kanë kthyer sytë për punësime nga rajoni.

“Nuk pritet që kjo krizë të gjejë ndonjëherë zgjidhje, pasi edhe zbatimi i politikës për të sjellë punonjës nga vendet e Azisë rezultoi se u përdor nga ta si trampolinë për të emigruar drejt Europës apo vendeve të tjera. Shumica e tyre vijnë me dy pasaporta dhe largohen pas 1 jave, pavarësisht se bizneset kanë investuar për ardhjen e punonjësve, që nga kontratat e punës dhe taksat që paguan. Shteti shqiptar nuk ndërhyn në zgjidhjen e këtyre problematikave, që sërish i ngelet sektorit privat t’i zgjidhë.

Momentalisht për të punuar në baret dhe restorantet e bregdetit, ku fluksi është më i lartë se në Tiranë bizneset kanë punësuar punonjës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Parashikohet që kjo do të jetë zgjidhja e vetme për të funksionuar tregu i punës, derisa edhe shqiptarët ta kuptojnë se si të punosh në Gjermani apo në Shqipëri në fund të muajit pa të ardhura do mbeten. Është vetëm çështje standardesh dhe vlerash”.

Po të dalësh në rrugët e kryeqytetit dhe të bësh një vëzhgim të bareve, restoranteve dhe butikëve në Tiranë të bie në sy shumë prej këtyre bizneseve që kanë vendosur njoftime për punë.

Në fotot vihet re që kërkesë më e lartë ka për shitëse ose kamarier/e.

Kriza vihet re në biznese të ndryshme si të shitjes së luleve, fast-food, optika, restorante, lokale dhe butik.

Në qytetin e Elbasanit në biznesmenët janë duke rekrutuar fuqi punëtore nga Bangladeshi apo nga India.

Njëri prej punëtorëve të ardhur nga Bangladeshi rrëfen për TCH se ai dhe 12 të rinj të tjerë kanë ardhur të punojnë në Elbasan. Ai thekson se nuk kanë eksperiencë, por po mësojnë dhe se pagat për ta është e kënaqshme.

“Unë jam nga Bangladeshi. Kemi zgjedhur të punojmë në Shqipëri sepse kjo punë është e rëndësishme për ne, që të ndihmojmë familjet tona. Ne kemi nevojë për këto para. Në këtë fabrikë jemi 13 persona nga Bangladeshi. Jemi të kënaqur nga paga edhe pse ne jemi fillestarë, mbi të gjitha njerëzit janë shumë miqësore me ne”, thekson ai.

SHKARKO APP