Shtyhet gjyqi për Mediun, avokatët kërkuan riekspertim të dëmit ekonomik

Në Gjykatën e Posaçme është duke u zhvilluar gjyqi për Fatmir Mediun për dosjen “Gërdeci”.

Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu kanë kërkuar të kryhet një akt i ri ekspertimi të dëmit ekonomik, “pasi ekspertët që kane bërë aktin e parë nuk kanë qenë të pavarur, por shtojcë e grupit të hetimit”.

Sipas tyre, në kryerjen e aktit të parë nuk kanë qenë të pavarur ekspertët, por shtojcë e grupit të hetimit.

Në seancë janë paraqitur 5 ekspertët që kanë bërë aktin e mëparshëm. Ekspertët e paraqitur në gjykatë kanë kërkuar kohë të rifreskojnë edhe një herë të gjitha konkluzionet e kryera në aktin e parë. Po ashtu, dy prej tyre nuk e administronin fare aktin e ekspertimit.

Debatet në seancë:

Klodian Braho: Donim të dinim ekspertët janë njohur me aktin e ekspertimit?

Ekspertët: Kemi nevojë patjetër të njihemi me ekspertizën. Kërkojmë kohë të njihemi me aktin sepse ka ndodhur që në 2008.

Ymer Stafa: E kam aktin!

Rasim Metallari: E kemi kopjen tonë të asaj kohe nuk kemi nevojë. Mua për vete s’më duhet akti. Do e diskutojmë mes kolegëve

Latif Çela: Dua të sqaroj pozicionin tonë. Ne nuk jemi ekspert të licencuar, raporti jonë nuk mund të merret si ekspertizë. Ne kemi bërë një verifikim dokumentacioni, i kemi dhënë mendim prokurorit të çështjes por jo ekspertizë. Kemi dhënë mendim të specializuar që na është kërkuar

Irena Gjoka: Kështu i bie të keni kryer akt ekspertizë të rremë?

Latif Çela: Absolutisht jo, ne s’jemi thirrur si ekspertë.

Mondi Hoxha: Kërkojmë kohë të njihemi!

Fatmir Mediu: Gjithë kjo situatë tregon tendencë për të vazhduar në absurditet. Ekspertët këtu tregojnë se nuk kanë pasur cilësinë e ekspertit dhe nuk janë betuar. Kjo tregon që nuk ka dëshirë nga ana e prokurorisë për t’u thelluar në të vërtetën. Ky proces është krejt formal, pa asnjë substancë për të shkuar tek e vërteta. Unë mendoj që ka nevojë për akt-ekspertimi të ri. Mos të bëjmë proces sa për të kaluar radhën.

Pas këtyre diskutimeve Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për Mediun, për t’i dhënë kohë ekspertëve për t’u njohur me aktin. Seanca u radhës u vendos që të mbahet më 26 qershor në orën 09:00.

Ish ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre për shpërthimin e ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008.

SHKARKO APP