Shuhet Edi Luarasi, Meta: Figurë frymëzuese për artistët e rinj. Sfidoi diktaturën për të triumfuar

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka shprehur ngushëllimet familjes Luarasi për humbjen e ikonës së teatrit Edi Luarasi, sot në moshën 81-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Kreu i shtetit ka kujtuar vlerësimin me Dekoratën e Lartë ”Nderi i Kombit”, ku thotë se sot aktorja e ndjerë është një frymëzim për artistët e rinj, dhe përmend faktin që Luarasi sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit.

”Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar”.

Mesazhi i plotë

Me shumë keqardhje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, të cilën vetëm pak muaj më parë pata privilegjin ta vlerësoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.

Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar!

SHKARKO APP