Shuhet gazetari dhe publicisti i mirënjohur shqiptar, Fatos Baxhaku

Fatos Baxhaku një nga pionieret e shtypit të pavarur që nga fillimi i viteve 90, autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar ka ndërruar jetë sot në moshën 55-vjeçare.

Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, “Emin Duraku” dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu ne gjimnazin “Ismail Qemali”.

Përgjate viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjise ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri ne 1998 ishte bashkethemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Në periudhen 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revises së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri ne 2005 ishte kryeredaktor dhë gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.

Fatos Baxhaku eshte autor ose bashkeautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb). si edhe i shumë dokumentarëve televizive. Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunetor në shumë projekte trainimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE.

Presidenti Meta: Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme të Fatos Baxhakut

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të publicistit të njohur Fatos Baxhaku. Kreu i shtetit shprehet në një mesazh në rrjetet sociale se Baxhaku spikat si një penë e mprehtë e tranzicionit shqiptar.

Mesazhi i plotë i kreut të shtetit, Ilir Meta:

“Dhembje e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të mirënjohur, Fatos Baxhaku!

Një nga pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90, Baxhaku spikati si një penë e mprehtë dhe kritike e tranzicionit shqiptar, por veçanërisht edhe si një nga autorët më të njohur të reportazheve të shkruara e dokumentarëve televizivë.

Fatosi u bë protagonist i rendit të parë në jetën publike të vendit për tridhjetë vjet me rradhë, duke e lidhur emrin e vet pazgjidhshmërisht me shtypin e lirë dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, që për të ishin mision i shenjtë!

Në këto momente dhembjeje të madhe, ju shpreh ngushëllimet e mia të ndjera dhe jam pranë familjes dhe gjithë të afërmve të Tij, të cilët humbën njeriun e tyre më të dashur, por edhe pranë komunitetit të gazetarëve që humbën shokun, mikun, kolegun e pazëvendësueshëm, modelin e profesionistit, i cili asnjëherë nuk bëri kompromis në dëm të përmbushjes së misionit, që iu dedikua me pasion dhe përkushtim shembullor.

Fatosi do të na mungojë të gjithëve, por do të jetojë gjithnjë emri, thjeshtësia dhe mirësia e tij!

Lutem që shpirti i Tij të prehet në paqen e përjetshme!”.

Basha: I tronditur nga ndarja e parakohshme e Fatos Baxhakut

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të publicistit të njohur, Fatos Baxhaku. Në një mesazh në rrjetet sociale, Basha shprehet se “Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie”.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë. Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtësin e të drejtave të njeriut.

Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie.

Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij.

Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!

SHKARKO APP