Shuhet në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani
Është shuar në moshën 89-vjeçare, aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani. Një prej “korifenjtë” e kinematografisë shqiptare humbi jetën në SHBA, aty edhe ku jetonte. Pirro Mani lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.
Artisti i njohur Elton Deda thotë se Mani ka sjell shumë gëzim në jetën e tij, mirëpo kjo e sotmja ishte trishtim. Përmes një postimi në facebook, Deda thekson se regjisori nuk e ka trajtuar si të dashurin e vajzës, mirëpo i ka dhënë vendin e duhur si artist e si koleg. ”Veprat e tij nuk do të kenë kurrë fund”.
Postimi i plotë i Dedës
Fluturo tashmë me enjgjëjt babai i Teatrit. Ke sjellë shumë gëzime në jetën time. Dhe çfarë trishtimi solle sot. Do të jem mirënjohës për gjithçka, për dashurinë që më dhe, për trajtimin jo si i dashuri i Jolës por si artist dhe koleg. Madhështia jote nuk ka fund! Ashtu si nuk do ketë kurrë fund vepra dhe pasuria që na le! Qofsh i parajsës babi Piro!