Si (s)janë aplikuar rekomandimet e Komisionit të Venecias në procesin e Vettingut?

Si (s)janë aplikuar rekomandimet e Komisionit të Venecias në procesin e Vettingut?

nga Gurali Brahimllari

Reformimi i sistemit të drejtësisë në vendin tonë ishte domosdoshmëri, pasi sjelljet devijante dhe  abuzimet me detyrën e disa magjistratëve, kishin krijuar perceptimin për korrupsionin e përhapur në sistemin e drejtësisë. Por kjo nuk do të thotë se në sistem profesionistët dhe magjistratët e ndershëm e të përkushtuar ndaj detyrës, ishin në minorancë. Në të kundërt, në sistem, i kufizuar ka qenë numri i gjyqtarëve e prokuororëve me mangësi, pasi në mjaft gjykata e prokurori, (përfshirë edhe ato të Krimeve të Rënda ku kam kryer funksionin e gjyqtarit), ka patur arritje të prekshme, të vlerësuara si nga institucionet kombëtare edhe nga ato ndërkombëtare.

Megjithatë, sjelljet abuzive të një pjese të magjistratëve dhe disa vendime me impakt negativ në opinionin publik, kishin dhënë efektin e pikës së bojës së hedhur në një gotë ujë të pastër. Duke përgjithësuar vendimet e gabuara, (ndonjë prej tyre, edhe për motive korruptive), si dhe mbështetur në faktin se KLD, si organ i qeverisjes së gjyqësorit, kishte hezituar apo dështuar të ndëshkonte rastet negative, u bë një propagandë denigruese ndaj gjithë magjistratëve, duke hedhur në tregun mediatik akuza për korrupsion galopant në rradhët e gjyqtarëve e prokurorëve, madje edhe për lidhjet masive të tyre, me eksponentë të krimit të organizuar. Kjo ”stuhi sulmesh” (që fatkeqësisht ende vijon), ndikoi në ”rrënimin” e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, duke bindur, jo vetëm faktorin politik e shoqëror vendas, por edhe Institucionet Ndërkombëtare, për nevojën e një procesi rivlerësimi të gjyqtarëve e prokurorëve, me masa të jashtëzakonshme.

Madje edhe Komisioni i Venecias, në Opinionin ndërmjetës, në Dhjetor 2015, vuri në dukje se Nevoja e procesit të vettingut shpjegohet nga një supozim, ……., që niveli i korrupsionit në gjyqësorin shqiptar është jashtëzakonisht i lartë dhe situata kërkon masa urgjente dhe radikale”. Por në vijim të këtij Opinioni, ndonëse e “bekon” këtë proces, Komisioni i Venecias për të parandaluar pasojat e rënda që mund të sillte, përshkroi përvojën e ngjashme në Ukrainë, duke këshilluar që procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve “… duhet trajtuar si tërësisht i jashtëzakonshëm dhe i duhet nënshtruar masave mbrojtëse shumë shtrënguese për të mbrojtur ata gjyqtarë, që janë të përshtatshëm për të mbajtur postet e tyre” (shih pjesës B. pikat 98 – 100, të opinionit të ndërmjetëm të Komisionit të Venecias). Garancinë për këtë, Komisioni i Venecias e shihte te vendi dhe roli që duhet të kishte në këtë proces “Komisioni  i Apelit” (aktualisht Kolegji i Posaçëm i Apelimit), për të cilin rekomandonte “Në thelb, Komisioni i Apelimit duhet të ketë karakteristikat bazë të një “gjykate” dhe t’u ofrojë gjykim të drejtë gjyqtarëve të shkarkuar” (po aty paragrafi nr 117).

Këtë qasje për Kolegjin, rezulton se Komsioni i Venecias e ka shtjelluar më tej në analizën e kompetencave të Dhomës së Specializuar të Kualifikimit, (DHSK- aktualisht përsëri KPA), në Opinionin final të miratuar në seancën plenare të datave 11-12 Mars 2016, kur këshillon që: “… gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen vlerësimit duhet të kenë mundësi të ankimojnë në një gjykatë ligji ose të paktën në shkallë apeli…”. Duke kontestuar shmangien e mundësisë së Subjekteve të shkarkuar nga detyra për të bërë Ankim në Gjykatën Kushtetuese (sepse DHSK, parashikohej, si instancë e fundit, por pranë Gjykatës së Lartë), Komisioni i Venecias, kërkonte nga autoritet shtetërore që  kjo e drejtë, të rikonsiderohej, si obligim i nenit 6 të KEDNJ-së dhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut, për shqyrtimin e çështjeve me natyrë disiplinore.             Për zgjidhjen e kësaj problematike, Komisioni i Venecias këshillonte: “Së pari është e nevojshme të specifikohet që DHSK-ja duhet të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur të drejtat themelore të të vlerësuarve.  Së dyti, rekomandohet të ruajë të drejtën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pushuar për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tyre themelore”.

Ndërsa lidhur me synimet e procesit të rivlerësimit, ashtu si në të gjitha Opinionet e tij, Komisioni i Venecias, ka pasur të qartë se “..dispozitat kalimtare në lidhje me masat e jashtëzakonëshme që synojnë vlerësimin e përshtatshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ekzistues dhe pastrimin e sistemit nga ata që janë të paaftë, të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar”(shih pjesa  shënime të përgjithëshme). Madje, duke e konceptuar procesin e vetingut sipas synimit të paracaktuar (për të cilin u lejua të kryhej me masa të jashtëzakonshme), në pjesën “F”, të Opinionit Final, Komisioni i Venecias është i mendimit se: “… këto masa, jo vetëm janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë ploëtsisht sistemin gjyqësor”.

Këto rekomandime të Komisionit të Venecias, u rikonsideruan nga kushtetutbërësi shqiptar dhe u përshkruan në disa dispozita që përmban Aneksi i Kushtetutës, (miratuar në mënyrë unanime në mbrëmjen e datës 21/07/2016),  jo vetëm në nenin 179/b/2 të këtij Aneksi, por edhe në disa dispozita të tjera të tij, përfshirë nenet “D” dhe “F” të tij.

Synimi thebësor i procesit të rivlerësimit, plotësohej me përmbajtjen e nenit “D”, që parashikontte në detaje rivlerësimin e kontrollit pasuror, duke i dhënë përparësi standartit të dyfishit të pasurisë së ligjshme, por edhe ata që përpiqeshin të fshihnin pasuritë apo t’i deklaronin ato në mënyrë të pasaktë.

Ndërsa dilemat e Komisionit të Venecias në Opinionin Final, për nevojën e shqyrtimit të Ankimeve të subjekteve të shkarkuar nga Komsioni, jo vetëm  nga një gjykatë ligji (të paktën në nivel apeli), por edhe nga Gjykata Kushtetutesepër tu ankuar për shkelje të të drejtave të tyre themelore”, u reflektuan, pikërisht, në mënyrën e formulimit të nenit ”F” të Aneksit të Kushtetutës. Kushtetutbërësi shqiptar zgjidhjen e këtyre problematikave, nga më thelbësoret në këtë proces, e parashikoi në këtë dispozitë kushtetuese, jo vetëm në formë, sepse Kolegji i Posaçëm i Apelimit u parashikua si pjesë e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (ndërkohë që DHSK ishte parashikuar si pjesë e Gjykatës së Lartë), por edhe në përmbajtje, sepse u përcaktua qartazi, përpos misionit të këtij Kolegji si “organ i vetëm gjyqësor që shqyrton ankimet,… ”, edhe obligimin e dyfishtë, (me veprimtari si të Gjykatës Kushtetuese edhe të Gjykatës së zakonshme të Apelit).

Sipas përmbajtjes së paragrafit të tretë të nenit “F” të Aneksit të Kushtetutës, u parashikua në mënyrë eksplicite se“ Kolegji mund të kërkojë mbledhjen e fakteve ose të provave, si dhe të korrigjojë çdo gabim procedurial të kryer nga ana e Komisionit, duke mbajtur parasysh të drejtat themelore të subjektit të rivlerësuar”.

Por, Institucionet e rivlerësimit, kanë vepruar në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili e shikonte synimin e procesit të rivlerësimit edhe si të mbrojtur ”me masa shtrënguese për gjyqtarët e ndershëm e të pershtatshëm për mbajtjen e detyrës”, bazuar edhe në standartet kushtetuese të nenit ”D” që kufizonte shkarkimin e magjistratëve nga detyra me standartin e dyfishit të pasurisë së ligjshme. Ndërsa në fakt, largimet jashtë këtij standardi,  kane qenë masive dhe mungesa e gjyqtarëve e prokurorëve në nivelet më të ulta të gjyqësorit, e në veçanti, në gjykatat e Apelit, po sjell vështirësi të mëdha për qytetarët, bizneset dhe këdo që pret të marrë drejtësi. Madje standardet e shumfishta dhe largimet e padrejta, në kundërshtim me  përmbajtjen e dispozitave kushtetuese, kanë zbehur pritshmëritë për suksesin e reformës, duke bërë që dëshira për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia, të mbetet edhe për shumë kohë  një ëndërr e bukur vere. Në këtë situatë, ndikim të drejtpërdrejtë ka patur edhe përjashtimi nga sistemi i gjyqtarëve e prokurorëve të ndershëm dhe me integritet, sepse, përpos uljes së mëtejshme të efiçencës së sistemit të drejtësisë, kanë krijuar ndjesinë e vendimeve të paracaktuara, duke afektuar edhe vullnetin e magjistratëve të tjerë drejt demotivimit për vijimin me të njëjtin përkushtim të detyrës. Madje për shkak të agresivitetit të Vettingut, magjistratët që presin procesin, janë frenuar për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.

Edhe pse janë përqendruar, kryesisht, në kriterin e kontrollit pasuror, Institucionet e Vettingut kanë  mënjanuar synimin kryesor të procesit të rivlersimit, që duhet të lidhej me ”pastrimin” e sistemit të drejtësisë nga ”magjistratët e korruptuar”, të cilët rezultojnë me pasuri të pajustifikuara, ose të fshehura,  sepse nuk e shohin të lidhur me ekzistencën e të dhënave që pasuritë duhet të rrjedhin nga abuzimet me detyrën dhe funksionin që mbanin në sistemin e drejtësisë.

Në kundërshtim me pritshmëritë, në pjesën më e madhe të tyre, shkarkimi i magjistratëve është bërë, në interpretime të gabuara, ose tepër të zgjeruara të nenit 61/3 të ligjit 84/2016, si dhe pa marrë në konsideratë standardet kushtetuese nenit ”D” të Aneksit të Kushtetutës. Për rrjedhojë, jo pak magjistratë janë larguar nga detyra edhe pse pasuritë e vëna në diskutim, jo vetëm nuk rezultojnë të kenë patur lidhje me detyrën, (madje  janë krijuar edhe jashtë periudhës së ushtrimit të funksionit të gjyqtarit apo prokurorit), por edhe se pasaktësitë e rezultuara në deklarim, kanë qenë të pavullnetshme, gabime njerëzore, madje edhe me vlera modeste.

Pa dashur të ndalem në raste konkrete, theksoj se këto vendime, justifikohen me përmbajtjen e nenit 61/3 të ligjit të Vettingut, i cili, çuditërisht, referon te elementët e nenit 33 të të njëjtit ligj (që rregullon veprimtarinë e organit ndihmës të ILDKPKI). Në këtë mënyrë janë shmangur standardet kushtetuese. Pra, largimet e padrejta të gjyqtarëve e prokurorëve, janë pasojë e drejtpërdrejtë e këtij interpretimi, sipas të cilit çdo ”pamjaftushmëri në deklarim” (madje edhe në Deklaratata vjetore para ILDKPKI-së) është vlerësuar në kundërshtim me vullnetin e kushtetutbërësit, si shkak për shkarkimin e magjistratit  nga detyra.

Kjo praktikë e procesit të rivlerësimit, është kritikuar, si nga disa ekspertë vendas, edhe nga disa Institucione ndërkombëtare apo përfaqësuesit e tyre, të cilët kanë kontribuar në hartimin e legjislacionit të Vettingut, përfshirë edhe Komisionin e Venecias. Kështu, duke ndjekur me vëmendje procesin e rivlerësimit, ky Komision, ka evidentuar deformimin në aplikim të legjislacionit të miratuar në vitin 2016, prandaj ka insistuar në nevojën e përmirësimit të veprimtarisë së Institucioneve të Vettingut. Sipas një projekt-raporti të publikuar në 07 mars 2020, Komisioni i Venecias, kritikoi qartazi procedurat e zbatuara gjatë proceseve të rivlerësimit, kur u shpreh se: “Ndërsa reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut mbeten një prioritet dhe duhet të përmbyllen me sukses, është e nevojshme që të vlerësohet nëse rregullat, në mënyrën si po zbatohen (si përshembull kërkesa për të justifikuar paratë e fituara nga personi nën veting dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij për një periudhë shumë më të gjatë se periudha që ligjet tatimore kërkojnë të ruhen dokumentat financiarë), çojnë apo jo në zgjidhje të mira dhe nëse nuk lejojnë shumë hapësirë për manipulim politik”. Në vijim Komisioni i Venecias, nuk heziton të kritikojë edhe rastet e shkarkimeve nga detyra të Subjekteve të Rivlerësimit, për shkak se “bashkëshortët nuk mund të shpjegonin të ardhurat e tyre të krijuara para martese.” Madje, duke konstatuar qasjen e gabuar në veprimtarinë e Institucioneve të Rivlerësimit, lidhur me “zbatim tejet të ngurtë të afateve proceduriale” për paraqitjen e dokumentacionit, Komisioni i Venecias, këshillon nevojën për rivlerësimin e modaliteteve aktuale të vetingut, përfshi objektin e shtrirjes së procesit të vetingut“, si dhe  rekomandon  rihapjen e disa prej tyre, duke veçuar raste të arsyeshme, me afate shumë të ngurta për paraqitjen e dokumentave”.  

Ndërsa zoti Marin Mrcela, president i GRECO-s, (trup monitorues anti-korrupsion pranë Këshillit të Evropës), në një intervistë për gazetaren Ilva Tare, duke shprehur rezerva, jo të pakta për mënyrën se si po zhvillohet procesi i Vettingut në Shqipëri, theksoi se konkluzioni nëse një gjyqtar apo prokuror është i korruptuar duhet bazuar mbi fakte dhe nuk duhet të ketë vendime subjektive. Madje ai shkon më tej kur ngre pyetjen : “Kush po e ndjek procesin se si po bëhet vetingu? Për të arritur në përfundimin se: “Nëse ka rezultate subjektive, të bazuara në perceptime, ky nuk do të jetë një rezultat pozitiv…”

Ndonëse me nota të larta në mbështetje të Institucioneve të Vettingut, edhe Komisioni Europian, nuk ka shmangur vërejtjet ndaj tyre, duke kritikuar mënyrën e zbatimit të dispozitave ligjore gjatë proceseve të rivlerësimit. Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ka meritën e publikimit, të mendimit kundër të vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së, z. Ferdinando Buatier de Mongeot, (në çështjen A.Sevdari), paraqitur me shkrim prej tij para KPA, që në Shkurt 2019. Sjellim në vëmendje faktin se ky qëndrim kundër i vëzhguesit të ONM-së, jo vetëm demonstroi një prej shkeljeve më të shpeshta, të legjislacionit të Vettingut, por edhe mbetet interpretimi më sfidues për vlerësimin e kriterit të pasurisë. Duket se edhe në disa procese të tjera rivlerësimi, ka patur vëzhgues të ONM-së që kanë shprehur qëndrime të kundërta me vendimet e organeve të Vettingut duke kritikuar zgjerimin e shkaqeve të largimeve nga detyra, tej standardit kushtetues. Nga përmbajtja e aktit të Komisionit Europian “Kundërshtime me shkrim”, në Ndërhyrjen si Palë e Tretë (në shqyrtimin e çështjes nr. 58997/18 B.Nikhasani VS Shqipërisë), rezulton se ndonëse në mënyrë të reduktuar, ka pohuar para Gjykatës së Strasburgut se Institucionet e Vettingut kanë gabuar në disa vendimmarrje : (Komisioni) “29. …nuk përjashton që, në raste individuale, rregullat e vettingut interpretohen ose zbatohen në atë mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me kërkesat e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtat themelore. Sidoqoftë, Komisioni pohon me respekt se nëse do të identifikoheshin mangësi të tilla, ato duhen korrigjuar pa i vënë në dyshim elementet thelbësore të Vettingut si të tilla…..”.

Duke evidentuar si më sipër këto opinione, theksoj se Institucionet ndërkombëtare, ndonëse vijojnë të mbështesin veprimtarinë e organeve të vettingut, kërkojnë qartazi ndryshimin e  praktikës së Organeve të Vettingut, qasjen e tyre drejt frymës së Kushtetutës.

Ndërsa ekspertët vendas kanë qenë edhe më të drejpërdrejtë në kritikat e tyre për procesin e rivlerësimit. Kështu duke kritikuar qëndrimin indiferent të Institucioneve të Rivlerësimit, ndaj standardit kushtetues të “dyfishit të pasurisë së ligjshme” i kërkuar nga neni D/4 i Aneksit të Kushtetutës,  z. Gent Ibrahimi, në një emision televiziv, theksoi se : “Kushtetuta thotë se, një magjistrat nuk e kalon vetingun nëse ka një pasuri dy herë më të madhe se sa ajo që mund të justifikojë me dokumente. Nëse unë do të duhej të kisha 100 milionë dhe kam 199 milionë, do të duhej ta kaloja ventingun. Organet e vetingut …… nuk e kanë interpretuar kështu….”  

Me interes të veçantë është përcjellë nga magjistratët edhe zbërthimi i detajuar i ndryshimeve Kushtetuese, në Komentarin ”Mbi reformën kushtetuese në sistemin e drejtësisë”. Me interpretimet bindëse, edhe për përmbajtjen e nenit ”D” të Aneksit të Kushtetutës, ekspertët e  nivelit të lartë, kanë dhënë ndihmesë për të kuptuar më mirë qëllimin e frymën e ndryshimeve kushtetuese në raport me mënyrën se si po zhvillohet procesi i rivlerësimit.

Duke ballafaquar në tërësi këto opinione, me arsyetimet e vendimeve të Institucioneve të Vettingut, standardet e shumfishta apo në kundërshtim me kushtetutën, kristalizohet bindja se,  ky proces, jo vetëm nuk është perfekt e po zhvillohet me ashpërsi të pa motivuar, por edhe se  nuk po aplikohet me drejtësi dhe korrektësi. Ky perceptim bazohet në faktin se, pjesa më e madhe e anëtarëve të organeve të vettingut, në kundërshtim me tagrat që ju njeh ligji e Kushtetuta, injorojnë shkaqet kushtetuese për shkarkimin e magjistratëve, të cilat, sipas nenit ”D” të Aneksit të Kushtetutës, duhet të aplikohen posaçërisht kur në Deklaratën Vetting, Subjekti ka deklaruar një pasurimë të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme”(D/4); kur nuk i ka deklaruar të gjitha pasuritë në pronësi, posedim ose përdorim, por me vullnet, ka synuar fshehjen e një ose disa prej pasurive të zbuluara nga hetimi adminsitrativ (D/5); kur në Deklaratën Vetting, ndonëse i ka deklaruar të gjitha pasuritë, nga hetimit administrativ del se me vullnetin e tij,  ka paraqitur, në mënyrë të pasaktë një ose më shumë pasuri (D/5).

Ndërsa, sipas përmbajtjes së arsyetimeve të vendimeve të bëra publike, rezulton se Komisionerët e KPK-së, jo vetëm kanë shfaqur pamjaftushmëri të theksuar të njohurive juridike për të kuptuar e aplikuar shkaqet kushtetuese, por duke interpretuar në mënyrë të zgjeruar vetëm nenin 61/3 të ligjit 84/2016, kanë qenë të njëanshëm, duke shkelur hapur parimin e “barazisë para ligjit”, sepse kanë mbajtur e mbajnë “dukshëm, standarde të shumfishta në trajtimin e rasteve të ngjashme. Madje vendimet e Komisionerëve të KPK-së, i ngjasojnë atyre të organeve të zakonshme administrative, sepse shpesh herë të krijojnë perceptimin se procesi i rivlerësimit është i paragjykuar dhe se rezultati përfundimtar i vendimit ka qenë i përcaktuar nga faktorë të jashtëm, pa lidhje me këtë proces.

Ndonëse kjo qasje nuk mund të thuhet për gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, përsëri, statistikat ende tregojnë se kanë tejkaluar çdo parashikim për rolin që pritej të kishin në këtë proces rivlerësimi. Megjithë disa ndryshime të pakta të vendimmarrjeve gjatë muajve të fundit,  qasja e kërkuar nga Komisioni i Venecias, për këtë Kolegj, sipas të cilit ”duhet të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur të drejtat themelore të të vlerësuarve”, për disa prej gjyqtarëve është një qasje krejt e huaj.

Në të kundërt me pritshmëritë e synuara nga Komisioni i Venecias dhe gjithë trupa e të rivlerësuarve, nisur nga premisa se KPA është konceptuar në Kushtetutë si ”organ i vetëm gjyqësor”, as që mund të mendohej se disa anëtarë të këtij Kolegji do të jepnin vendime në kundërshtim me parimin e mosrëndimit të pozitës së Subjekteve Apelues ( ndaluar nga parimi ”reformation in peius” i njohur, botërisht, për çdo lloj gjykimi në Apel).

Ndërsa shpresohet që të gjithë anëtarët e  Kolegjit, duke zbatuar obligim kushtetues të nenit F/3,  të kishin një qasje edhe më pozitive për shqyrtimin e pretendimeve të Subjekteve të Rivlerësimit, jo vetëm për shkeljet e të drejtave themelore të mbrojtura nga Kushtetuta dhe KEDNJ, por edhe  për shkeljet e ligjit të Vetting-ut; nuk mund të mendohej se disa anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për justifikimin e vendimit të shkarkimit nga detyra të Subjektit, ti jepnin përparësi  “mbrojtjes së interesit publik”. Sipas legjislacionit të vettingut, në dallim nga Gjykata e Apelit Administrativ, e cila sipas nenit 3/2 të ligjit nr.49/2012, duhet të “kujdeset” edhe për këtë parim të gjykimit, në gjykimin e çështjeve të rivlerësimit, në veçanti kur shqyrtohet mbi bazën e Apelit të Subjekteve të Rivlerësimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, nuk mund të ketë këtë atribut. Për më tepër, kushtetutbërësi këtë tagër, sipas përmbajtjes së nenit C/2 të Aneksit të Kushtetutës, ia besoi Komisionerit Publik, i cili plotëson “detyrën” e Kolegjit si gjykatë ligji, (apo si Gjykatë Apeli Administrativ), në rastet kur konstatohet se nga ana e KPK-së është neglizhuar “mbrojtja e interesit publik”.

 

Prandaj insistimi i vazhdueshëm i Komisionit të Venecias për të ndryshuar e përmirësuar qasjen e Institucioneve të Vettingut ndaj procesit të rivlerësimit, mbetet adekuat. Mangësitë në zbatim të këtyre këshillave dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, mund ta penalizojnë Shtetin Shqiptar sepse ka detyrimin për respektimin e tyre.

Për më tepër që rekomandimet  Komisionit të Venecias, përpos faktit se janë në harmoni edhe me praktikën e GJEDNJ dhe i paraprijnë qëndrimit të pritshëm të saj.

Prandaj edhe në procesin e rivlerësimit, neglizhenca në zbatim e këshillave të Komisionit të Venecias mund te reflektohet në vendimet e pritshme të Gjykatës së Strasburgut, e cila nëse do të gjejë shkelje të të drejtave të subjekteve të rivlerësimit si më sipërshtjelluar, mund të ngarkojë me kosto shtesë jo vetëm morale por dhe financiare Shtetin Shqiptar dhe buxhetin e tij të kufizuar.

Duke shpresuar në reflektimin e nevojshëm për përmirësimet e pritshme, në një opinion të dytë do të ndalem më në detaje, për shkaqet kushtetuese që parashikon “formula” e Vettingut dhe deformimet e aplikimit të nenit 61 në ligjit 84/2016, si në raport me standardin kushtetues, ashtu edhe me  përmbajtjen gramatikore të kësaj dispozite.

 

 Gurali Brahimllari, magjistrat, ish Gjyqtar, pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda

 

Tiranë më 05/02/2021

SHKARKO APP