Si u shpëtuan 55 emigrantë në det, Zëri i Amerikës: Rikthehet trafiku me gomone nga Shqipëria drejt Italisë
Një gomone me 55 emigrantë në bord u shpëtua mesnatën e së premtes nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa.
Sipas dëshmive të emigrantëve, gomonia u ça nga dallgët dhe për pasojë një pjesë e tyre, kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjypti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni dallgëve.
14 emigrantë u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, sipas burimeve spitalore, ndërsa të tjerët morën ndihmë në spitalin e Vlorës dhe më pas u dërguan në mjediset policore.
Mes tyre në Vlorë ndodheshin edhe katër gra dhe një fëmijë, ndërsa mes të lënduarve, që u dërguan në Tiranë, ishin edhe tre fëmijë të tjerë.
Emigrantët kanë dëshmuar se paguan nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë tek skafistët, që u kishin premtuar se do t’i dërgonin në Itali me jaht.
Sipas burimeve policore, emigrantët njoftuan vet me telefon policinë e Vlorës dhe të Fierit, pasi kanë qëndruar gati tre orë në det të hapur në rrezik mbytjeje, ndërsa skafistët i kanë shpëtuar arrestimit nga policia./VOA