Silva Caka, Ramës: Zgjidhu hallin e naftëtarëve dhe mjaft i kërcënove nga televizori
Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka ka reaguar për deklaratat e kryeministrit Edi Rama kundër naftëtarëve që janë në grevë urie për pagat e pa marra. Caka shprehet se kryeministri Edi Rama ka detyrim të zgjidhë problemet e tyre dhe të mos i kërcënojë naftëtarët.
“Problemet e naftëtarëve të Fierit jo vetëm që nuk janë ‘hall i përbashkët’ i Edi Ramës, por tashmë u shndërruan edhe në shantazhistë për të! Dikush t’a këshillojë Ramën e t’i thotë se kërkimi i një të drejte të mohuar padrejtësisht, është nivel i lartë demokracie dhe qytetarie, jo shantazh! Shantazh i bën tjetërkush Kryemashtruesit, prandaj kjo fjalë i rri çekan mbi kokë!”,- shkruan Caka.
Ish-deputetja e LSI shprehet se Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku duhet t’u zgjidhin hallin qytetarëve dhe jo t’i mbajnë peng. “Çlirohu Kryemashtrues, mos rro me frikë; zgjidh hallin e naftëtarëve dhe mjaft iu dhe mesazhe nga televizori.
Shtoji telefonatat dhe mesazhet me ministren përgjegjëse dhe zgjidhni hallin e tyre, mos flisni për klientë, koncesione e PPP. Shantazh i bëhet vetëm atyre që janë peng i veprimeve të paligjshme. Ty nuk të dalin ditët e vitit për të numëruar paligjshmëritë, peng i të cilave je prej kohësh!”,- shkruan Silva Caka.