Situata shqetësuese e koronavirusit, Rama poston videon: Kujdesuni për veten dhe tjetrin
Prej ditësh numri i rasteve të reja me Covid-19 është rritur ndjeshëm. Dje u raportuan plot 82 raste duke shënuar një tjetër ditë rekord. Kjo ka bërë që autoritetet të shtojnë thirrjet për kujdes dhe respektim të masave anti-covid.
Ditën e djeshme Edi Rama doli sërish në një komunikim live në Facebook, duke kërcënuar me mbyllje e izolim nëse situata vijon me këtë ritme të shtimit të rasteve.
Ndërsa, këtë mëngjes, Rama postoi në Facebook video-mesazhin e bërë nga doktoresha Najada Çomo e cila tha situata është shqetësuese dhe një pjesë e pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv janë në terapi intensive.
“Numri i rasteve ka ardhur duke u rritur. Dua të theksoj për qytetarët që një pjesë e të shtruarve në spitalin Infektiv janë në terapi intensive. Gjithashtu dua të theksoj se situata është shumë shqetësuese në aspektin e shëndetit tuaj. Virusi është midis jush. Virusi nuk është selektiv. Maska është e vetmja armë që kemi”- thotë në mesazh doktoresha Najada Çomo.