Skadimi i kartave të identitetit, Rama pranon kërkesën e opozitës
Pas thirrjeve të vazhdueshme nga opozita e bashkuar për shtyrjen e afatit të skadimit të kartave të identitetit dhe të pasaportave biometrike, në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi që të votojë më 25 prill, sot është shprehur edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë e ka pritur pozitivisht këtë kërkesë.
”Zgjedhjet janë të përbashkëta. Rregullat e lojës janë aprovuar bashkarish. Çdo propozim i arsyeshëm që bën secila parti, dhe që është në interes të procesit zgjedhor, është i mirëseardhur. Bën sens dhe do të trajtohet me të gjithë seriozitetin e duhur në mënyrë që të gjitha palët në këtë proces të ndihen të barabarta në rregullat e lojës”, -tha Rama.
Numri i lartë i kartave të identitetit që skadojnë deri më 25 prill, datën e zgjedhjeve, po kthehet në një shqetësim shumë serioz. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë një deklaratë për mediat, tha se po shikohet me vëmendje dhe se është në kontakt me kreun e KQZ-së.
”Kemi marrë njoftimin që kërkojnë shtyrjen, po e shikojmë me shumë vëmendje dhe jam në kontakt me kryetarin e KQZ-së për të marrë një opinion lidhur me këtë çështje. Jemi në koordinim të plotë, mund ti garantoj shqiptarët se askush nuk do të mbetet pa votuar për shkaqe që nuk varet nga to. Po bëjmë të gjitha përpjekjet dhe me kompaninë e ALEAT që zgjedhësit të kenë një dokument jo vetëm si detyrim, por edhe si nevojë për të marrë shërbime. Jemi në një komunikim të vazhdueshëm me kompaninë”,-tha Çuçi.