Skandal! Dritan Leli u heq banorëve të Vlorës dhe ujin që kishin

Çudirat nuk kanë të ndalur në Bashkinë e Vlorës të drejtuar nga Dritan Leli. E tillë është historia e një investimi të kryer për të rritur kapacitetin e furnizimit me ujë por që në fakt ka lënë pa ujë edhe ato zona që furnizoheshin më parë.

Bashkia Vlorë ka lidhur kontratë me firmën zbatuese “Shkëlqimi 07” sh.p.k., me vlerë kontrate 166,940,070 lekë me TVSH për projekt zbatimin e objektit “Ndërtimi i ujësjellësit në rrugën Transballkanike Vlorë” me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë në këtë zonë. Firma “Shkëlqimi 07” ka për pronar vëllain e ish-kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës.

Projekti është tenderuar nga Bashkia Vlorë pa kërkesën e Sh.A. Ujësjellës Kanalizime Vlorë. Sipas letërkëmbimit, rezulton se ujësjellësi nuk është pyetur as për hartimin e projektit, as nuk është njoftuar paraprakisht për fillimin e punimeve dhe as për zbatimin e projektit. Gjithçka ky institucion thotë se e ka mësuar përmes mediave. Nuk dihet kush e ka bërë projektin apo përse është zgjedhur për investim pikërisht kjo zonë.

Bashkia ka lidhur edhe kontratë me mbikëqyrësin e punimeve “Instituti Dekliada Alb” me vlerë kontrate 2,626,200 lekë me TVSH.

Në përfundim të investimit do duhej që të rritej kapaciteti i furnizimit me ujë për zonat e Pus Mezinit, Bonofikimit, ish-aviacioni, zona e Serave, zona e ish-parkut hekurudhor industrial. Do të përfitonte furnizim me ujë edhe Zvërneci e Narta.

Por këtu qëndron edhe skandali. Kompania e punimeve nuk ka zbatuar kriteret teknike dhe Bashkia nuk e ka kontrolluar në asnjë fazë zbatimin e punimeve ashtu sikurse nuk e ka azhornuar me rrjetin aktual të ujësjellësit.

Rezultati? Investimi ka përfunduar, lekët kanë mbaruar. Jo vetëm që nuk kanë ujë Zvërneci e Narta por situata është përkeqësuar edhe në lagjet e qytetit, të cilat deri përpara investimit pavarësisht problematikës kishin furnizim me ujë.

Teksa ndërmarrja e ujësjellësit të Vlorës ka nxjerrë në qarkullim botet me ujë për të plotësuar nevojat elementare të qytetarëve, e gjendur përballë presionit të tyre, Bashkia e Vlorës ka avancuar në çmendurinë e saj. Për të korrigjuar mangësitë e zbatimit të projektit, kërkon një financim shtesë prej rreth 100 milion lekësh nga paratë e taksapaguesve.

Alokimi i kësaj shume pret firmën e Këshillit Bashkiak të Vlorës. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, këshilltarët nuk e miratuan fondin shtesë pa marrë përgjigje nga Dritan Leli për skandalin e këtij projekti.

Këshilltarët bashkiak i kanë drejtuar Dritan Lelit 9 pyetje, konkretisht: Si lindi nevoja për të bërë një projekt të tillë?; Si ka funksionuar dhe si ka qenë situata me ujë të pijshëm para se të mendohej ky projekt?; Pse ky projekt nuk ka kaluar në këshillin teknik, specialistët përkatës(inxhinieret hidro)?; A është marrë parasysh ndikimi që do të kishte zhvillim i këtij projekti?; A e ka ndjekur ndërmarrja përkatëse zhvillimin e këtij projekti dhe çfarë problematikash ka konstatuar?; A është marrë ky objekt në dorëzim nga Bashkia pasi këshilltarët kanë patur ankesa të vazhdueshme nga qytetarët dhe banorët për seriozitetin e punës në këtë investim; Kush ka qenë personi nga Bashkia Vlorë që ka ndjekur zhvillimin e këtij projekti dhe a ka qenë në kontakt me ndërmarrjen sha Ujësjellës Vlorë; E kujt është përgjegjësia teknike dhe juridike që ky projekt është hartuar keq dhe kërkohet të harxhohen para nga taksapaguesit vlonjat, kush mban përgjegjësi?; Kush është mbikëqyrësi i punimeve, dokumentacioni që ka mbajtur gjatë zhvillimit të punimeve, a ka paraqitur relacion pranë ndërmarrjes UK Vlorë dhe Bashkisë Vlorë për problematikat?

Dritan Leli ashtu sikurse pritej nuk është përballur me Këshillin Bashkiak por ka gjetur rastin të mungojë në mbledhje me justifikimin e një vizite në Itali.

SHKARKO APP