Skandal i FSHZH së Dritan Agollit: 500 milion lekë për menunë e kuzhinës tradicionale
Skandal me tenderin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për përgatitjen e menusë së kuzhinës tradicionale shqiptare e cila do të kushtojnë plot 500 milionë lekë. Përveç se kostot janë të fryra dhe fituese ka dalë oferta më e lartë, sipas News24 drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, ia ka dhënë tenderin kuzhinierit që punon në restorantin e djalit të tij.
Kështu në tenderin për shërbime konsulence, me objekt “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menunë e 100 Fshatrave”, zbulohet se një menu e tillë do të kushtojë plot 500 milionë lekë. Siç e do tradita Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zgjedhur ofertën më të lartë dhënë nga një bashkim shoqërish kryesuar nga Mascarpone shpk, e cila ka administrator dhe aksioner kryesor kuzhinierin e njohur Alfio Rrotani.
Ndërkohë një bashkim tjetër shoqërish pati dhënë një ofertë rreth 15 mijë dollarë më të lirë për menunë e kërkuar nga fondi shqiptar i zhvillimit. Por skandali thellohet edhe më shumë pasi mësohet se Alfio Rrotani administrator dhe ortak kryesor i kompanisë që ka fituesi i tenderit, ka punuar verën e shkuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hallamaj tek gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agollit, i biri i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Është vetë ky restorant që ndodhet brenda një resorti turistik, që ka reklamuar në faqen e tij të facebook shërbimet e shefit të kuzhinës Alfio Rrotani teksa përgatit tavolinat, apo kur prezantohet bashkë me stafin.
“Jemi shumë të kënaqur që kemi një ekip yjor kuzhinierësh dhe personeli në shtëpi. Krahas Alfio Rrotanit dhe pjesës tjetër të ekipit drejtues, të gjithë në Bedouin do të sigurojnë që të gjithë klientët që vizitojnë ‘Bedouin Beach Bar’ të kenë përvojën më të mirë të mundshme”, – thuhet në postimin në facebook të restorantit.
Dyshimet janë të mëdha si për kostot, pasi përgatitja e menusë të kuzhinës shqiptare do të kushtojë rreth 500 milionë lekë, ashtu edhe për shpalljen e fituesit, ku me një qark të shkurtër drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, ia ka dhënë tenderin kuzhinierit që punon në restorantin e djalit të tij./BW/