Skandal me sondazhet e ORA NEWS, telefonatat bëhen nga numra të PD-së!
Shënim: Redaksia e gazetës online, më të madhe në hapësirat shqiptare, Express ka botuar një shkrim redaksional ku akuzon dhe ngre dyshime të forta mbi sondazhin e IPR Marketing.
Redaksia e Koha jone online po e boton dhe i lë hapësirë edhe redaksisë së oranews për të thënë mendimin e saj në lidhje me këto akuza.
Besueshmëria e sondazhit të RTV ORA NEWS-it duket se është tronditur nga hije të shumta dyshimi dhe komprometimi. Sondazhi i parë i këtij televizioni i organizuar nga kompania italiane IPR Marketing rezulton të jetë një mashtrim i madh për publikun shqiptar dhe i influencuar drejtpërdrejtë nga Partia Demokratike.
Ky sondazh përcaktoi përmes telefonatave që ju bënë shqiptarëve, se cila do të ishte partia e parë fituese më 25 qershor, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku çuditërisht, Partia Demokratike pati një rritje të befasishme duke dalë forcë e dytë, që duket disi artificiale për situatën ku ndodhet aktualisht kjo forcë politike.
Një nga numrat celular që është përdorur për të telefonuar qytetarët është numri 068 80 900 20. Express mëson se ky numër së bashku edhe me 30 numra të tjerë figurojnë te regjistruar në kompanitë celulare me emrin “Këshilli Kombëtar i PD”.
Të organizuar në formën e CALL Centerit, numrat në fjalë janë përdorur për të telefonuar qytetarët shqiptarë dhe për t’i pyetur se për cilën parti ata do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Telefonatat dhe numrat që i kanë marrë ata konfirmohen nga qytetarët, por rezultati që i është shitur publikut duket se është shumë larg së vërtetës, dhe tërësisht i manipuluar përsa kohë që numrat e sondazhit figurojnë të regjistruar në pronësi partiake. Ky fakt përbën një skandal të madh dhe një mashtrim i paprecedentë për opinionin publik.
IPR Marketing në qendër të skandalit në shtetin italian
Nuk është hera e parë që kompania italiane IPR MARKETING vihet në qendër të polemikave dhe skandaleve për aktivitetin e saj. Ndonëse radio-televizioni ORA News është përpjekur ta shesë këtë kompani si tërësisht të besueshme dhe profesionale, mjafton të bësh një research të thjesht në websitet italiane për të kuptuar se kjo kompani rezulton problematike, e pa besueshme dhe me probleme me ligjin. Sipas website-it: dati.camera.it rezulton se kjo kompani është investiguar dhe penalizuar zyrtarisht nga Dhoma e Deputetëve në Parlamentin Italian në nëntor të 2007-ës. Sipas website zyrtar të Dhomës së Deputetëve kjo kompani me qendër në Napoli rezulton se ka shkelur ligjet e kodit të punës.
Po ashtu, shkrime të shumta janë bërë në mediat italiane që e paraqesin këtë kompani si shfrytëzuese të punonjësve, dhe që nuk respekton të drejtat e tyre. “Punonjësve u jepen kontrata një ditore dhe pagesa 4 euro ora”, shkruajnë mediat.
Po ashtu marzhi i gabimit i kësaj kompanie të sondazheve është jaft i lartë, siç dëshmohet në foto.
Disa pyetje për sondazhin?
1-Si mund të jetë i besueshëm një sondazh i zhvilluar me numra që janë të regjistruar “Këshilli Kombëtar i PD”?
2- A mund të jetë i besueshëm sondazhi që paraqiste rritje te Partia Demokratike në shifra, kur në të vërtetë kjo parti ka pësuar një përçarje të madhe pas publikimit të listave që rezultoi me përjashtimin e figurave qendrore të saj?
3- A mund të jetë i besueshëm sondazhi që paraqiste rritje të PD-së në shifra, kur pjesa më e madhe e mbështetësve të PD kanë humbur besimin për shkak të marrëveshjes politike me kryeministrin Rama?
/Gazeta Express/