Skandali/ Beketi vazhdon konfiskimet, komplikohet situata në Holandë
Biznesmeni italian, Françesko Beketi vazhdon konfiskimet e pasurive të shqiptarëve nëpër Europë, pasi qeveria shqiptare refuzon që të paguajë gjobën prej mbi 100 milionë euro që ka marrë në arbitrazhin e Bankës Botërore.
Çështja e konfiskimeve ka mbërritur në Holandë, ku historia është komplikuar ndjeshëm.
Sipas gazetës së njohur financiare në këtë vend, FD, shteti holandez ka përfunduar duke u implikuar në çështjen delikate të shpronësimit të një stacioni televiziv në Shqipëri.
Çfarë ka ndodhur?
Beketi ka kërkuar në gjykatë të sekuestrojë aksionet e Shqipërisë në kompaninë gjigante holandeze, Shell, e cila ka marrë kontrata koncesionare për kërkim nafte në Shqipëri. Po ashtu nga gjykata kërkohet që të sekuestrohen pasuritë shqiptare te kompania tjetër e njohur, ENI.
Këtu ka vendosur të ndërhyjë shteti holandez, për të mbrojtur kompanitë e mëdha pasi në lojë janë jo vetëm paratë e shqiptarëve, por edhe të holandezëve.
Pra në mënyrë indirekte, duke mbrojtur pasuritë e këtyre kompanive, Holanda po mbron shtetin shqiptar, shkruan gazeta.
Ministria e Drejtësisë në Holandë ka thënë se Holanda ka një detyrim bazuar në ligjin ndërkombëtar që të dalë në mbrojtje të kompanive. Në parim, nuk mund të sekuestrohen fonde nga kompanitë nëse paratë kanë një qëllim publik.
“Çështja bie shumë në sy për shkak se Holanda ka një marrëdhënie të ndjeshme me Shqipërinë, e cila po përpiqet që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian që prej vitit 2009. Danimarka, Holanda dhe Franca i vunë veton negociatave në vitin 2019.
Shqipëria ka një reputacion të keq për një sistem gjyqësor të pafuqishëm, korrupsion dhe probleme me lirinë e medies. Vendi është gjithashtu shpesh në lajme për përfshirjen e tij në krimin ndërkombëtar të drogës në shkallë të gjerë. Konfiskimi i Agon TV në Shqipëri në vitin 2015 ishte i lidhur me mungesën e lirisë së shtypit në Shqipëri. Kanali ishte shumë kritik në raportimet e tij ndaj qeverisë”, shkruan gazeta.
Sipas saj, biznesmeni italian është detyruar që të dalë nëpër Evropë duke kërkuar sekuestrimin e pasurive shqiptare, pasi shteti shqiptar nuk pranoi të paguante gjobën.
Gjyqe për pasuritë shqiptare po zhvillohen në Austri dhe Belgjikë. Për shembull, në Belgjikë ai ka konfiskuar paratë e Shqipërisë në kompaninë e madhe të kontrollit ajror, Eurocontrol.