Skenari i LSI për rrëzimin e Ramës, Spahiu: Kemi vullnetin shpërthyes. Një vend pa rini është pa të ardhme

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu: Opozita e bashkuar do të shënojë një rekord të ri përfaqësimi. Një vend pa rini është një vend pa të ardhme

Intervistoi: Redjon Shtylla

2020 nisi me thirrje të fortë të opozitës për rrëzimin e qeverisë “Rama 2”. Në Konventën e LSI-së, kryetarja Monika Kryemadhi tha se rrugë tjetër nuk ka. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu thotë se aksioni opozitar ka nisur që ditën e parë të uzurpimit të pushtetit nga Rilindja me vota të vjedhura, të blera e të grabitura.

“Protestat e vitit 2019 ishin nga më të mëdhatë që janë parë në 20 e ca vite demokracie dhe që shpërfaqën mërzinë e shumicës së shqiptarëve, gjë që u provua dhe me bojkotin nga 85% e tyre të zgjedhjeve moniste të 30 qershorit. LSI-ja që pardje ka nisur një fushatë organizimi strukturash, anëtarësimesh të reja e mobilizimi në të gjithë vendin”. Nga ana tjetër, Spahiu pohoi se aksioni opozitar do të jetë një front i përbashkët dhe i sinkronizuar me të gjithë faktorët që nuk duan më qeverisjen e rilindjes. Për më tepër, Spahiu thotë se rruga e krizës zgjidhet në këtë mënyrë. “Angazhimi për një proces zgjedhjesh korrekte, të pranueshme nga të gjithë, pa presione e blerje votash, pa përfshirjen e krimit dhe kriminelëve në to”.

Për ish-deputetin e LSI-së, opozita e bashkuar patjetër do të shënojë një rekord të ri përfaqësimi. “Do të përfaqësojë pra, me çdo kusht dhe me çdo çmim vullnetin shpërthyes të shumicës absolute të shqiptarëve për një ndryshim rrënjësor në çdo qelizë të jetës së tyre”.

Nëntë kushtet e Gjermanisë, që mbështeten edhe nga BE-ja, për opozitën janë shpëtimi nga keqqeverisja, siç e quani ju. Disa nga kushtet janë: “Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, miratimi i reformës zgjedhore; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.” Cilin prej tyre kushteve, sipas jush, ka frikë qeveria dhe çfarë po bën LSI-ja që këto kushte të gjejnë terren për zbatim?

Nëntë kushtet e Bundestagut tregojnë sesa shumë i jemi larguar Europës. Janë kushte shtesë dhe fjala e fundit e unionit, që vendi të hyjë në shina kushtetuese e ligjshmërie, të luftojë korrupsionin, të dënojë shitblerjen e votës por dhe mospërfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave të policisë në to. Kur Departamenti amerikan i Shtetit e cilëson Shqipërinë si qendër e krimit të organizuar është normale që të jetë kusht i Gjermanisë, Francës, Holandës e gjithë vendeve anëtare lufta ndaj tij. Shqipëria është kthyer në një shqetësim serioz për këto vende. Unë nuk pres dhe as besoj që kjo mazhorancë do t’i marrë seriozisht këto kushte, pasi “Rilindja” nuk ka asnjë interes dhe me qëllim i është larguar anëtarësimit në BE. Hapja e negociatave do të thotë më shumë kontroll, më shumë filtra nga unioni. A mendon njeri se Edi Rama dëshiron të kontrollohet e të futet në filtrat e BE? Jo, askush. Pra qeveria nuk ka asnjë plan për plotësimin e këtyre kushteve.

Në Konventën e LSI-së, znj. Kryemadhi lëshoi thirrjen: Ta rrëzojmë këtë kryeministër të krimit. Nuk ka rrugë tjetër. Përtej postit si opozitarë, ka opozita e përbashkët një plan konkret? Protesta, tubime, takime, apo keni rezervuar skenarin e “goditjes përfundimtare” për rrëzimin e qeverisë?

Degradimi i çdo qeverisjeje është gjithmonë në interes të opozitës, por ky nuk është rasti. Shqipëria po përjeton një krizë mjaft të rëndë, e krahasuar me atë të viteve 1991 e 1997 por kjo e fundit vjen pas 30 vitesh kur vendi është anëtarësuar në NATO dhe është kandidat për në BE. Aksioni opozitar ka nisur që ditën e parë të uzurpimit të pushtetit nga Rilindja me vota të vjedhura, të blera e të grabitura. Protestat e vitit 2019 ishin nga më të mëdhatë që janë parë në 20 e ca vite demokracie dhe që shpërfaqën mërzinë e shumicës së shqiptarëve, gjë që u provua dhe me bojkotin nga 85% e tyre të zgjedhjeve moniste të 30 qershorit. LSI-ja që pardje ka nisur një fushatë organizimi strukturash, anëtarësimesh të reja e mobilizimi në të gjithë vendin. Aksioni opozitar do të jetë një front i përbashkët dhe i sinkronizuar me të gjithë faktorët që nuk duan më qeverisjen e rilindjes.

Zëra të fortë thonë se kryeministri Edi Rama hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë. Për ju, pse Rama rri si pjesë e një marrëveshjeje që cënon Kosovën kur në qeveri ka ministra nga Kosova?

Edhe unë jam i mendimit se Rama duhet mëshiruar dhe se është bërë për të ardhur keq. Fakti që vendi gjendet në këtë krizë të thellë, fakti që nëse votohet sot dihet se ku dhe si përfundon, bën që të krijojë situata sureale të unioneve që nuk janë dhe nuk duhet të jenë fare në agjendën e opozitës. Shqipëria ka vetëm një detyrë, plotësimin e kushteve që përmendëm më lart dhe anëtarësimin në Bashkim Europian. Edhe nëse do të duhej ta trajtonim si çështje, “Minishengeni” si marrëveshje midis shteteve të rajonit duhet të jetë një çështje shtetërore dhe jo thjesht marrëveshje e një mazhorance të caktuar, pra duhej të kishte një konsultim dhe mbështetje nga të gjitha palët, gjë që nuk ekziston. Pa folur pastaj për mungesën totale të transparencës së kësaj marrëveshjeje. Përtej dakordësisë së brendshme të të gjitha institucioneve shtetërore dhe të opozitës, absolutisht duhej të ishte konsultuar me institucionet e Kosovës patjetër për mënyrën dhe objektivat e përfshirjes së saj.

Ka opozita ndonjë propozim ose sistem preferencial, të cilin e ka diskutuar në grupin e punës në lidhje më reformën zgjedhore? Çfarë pritet të ndodhë këtë vit me këtë reformë jetike për zgjidhjen e krizës politike?

Opozita u tregua e gatshme dhe u ul në tryezën e bisedimeve për Reformën Zgjedhore, si kusht nga Bundestagu por dhe si i vetmi kusht që kërkon angazhimin e saj. Për ne nuk ka shumë rëndësi sistemi, pasi çdo sistem ka problematikat e veta por më i rëndësishëm është angazhimi për një proces zgjedhjesh korrekte, të pranueshme nga të gjithë, pa presione e blerje votash pa përfshirjen e krimit dhe kriminelëve në to. Pa ndjekur penalisht dhe dënuar ata që të gjithë shqiptarët i dëgjuan në përgjimet që transmetoi Bild, nuk kemi bërë asgjë.

Qeveria “Rama 2”, deri në muajin mars ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, çka nënkupton se deri në këtë muaj nuk mund të ketë Zgjedhje të Parakohshme. Kur mund të jetë koha e përshtatshme që duhet për të implementuar Reformën Zgjedhore?

Edhe situatën e rëndë që krijoi tërmeti qeveria e pashpirt rilindase mundohet ta shfrytëzojë politikisht. Të gjithë pamë dhe po e shohim se qeveria ishte dhe është plotësisht e paaftë të zgjidhë krizën e mijëra shqiptarëve që kanë mbetur nëpër çadra në këto ditë dimri. Për qeverinë gjendja e jashtëzakonshme mund të zgjatet deri në qershorin e 2021. Opozita e bashkuar patjetër që do të shënojë një rekord të ri përfaqësimi. Do të përfaqësojë pra, me çdo kusht dhe me çdo çmim vullnetin shpërthyes të shumicës absolute të shqiptarëve për një ndryshim rrënjësor në çdo qelizë të jetës së tyre. Ne nuk kemi për qëllim vetëm kritikat a denoncimin e asaj që po ndodh në kaq vite qeverisje të Rilindjes. Opozita tashmë i ka bërë të qarta qëndrimet e saja si alternativë e besueshme për daljen nga kriza, siç janë çlirimi i ekonomisë nga mbingarkesa e taksave, çlirimi i arsimit nga tarifa të papërballueshme dhe ofrimi i një arsimi cilësor për të gjithë. Kemi plane për zhvillimin e sektorit bujqësor si sektori kryesor i punës bashkë me turizmin. Për rendin dhe sigurinë nuk mjafton vetëm reforma në drejtësi, BKH e SPAK, por një strategji e qartë që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, pra jo vetëm masa ndëshkuese nga drejtësia e re por edhe masa parandaluese. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët pasi ka vend për të gjithë e jo të jetë vendi që qeveriset nga një mendësi që imponon largimin e rinisë së saj. Një vend pa rini është një vend pa të ardhme.

SHKARKO APP