Skenari sesa mund të zgjasin masat? Rama: Mund të shkojë përtej 3 prillit
Shqipëria është në shtetrrethim dhe nuk dihet ende sesa do të zgjasin masat e forta të ndërmarra nga qeveria. Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ka marrë masa parandaluese para çdo vendi tjetër, përveç Italisë. “Kemi qenë të parët që kemi marrë masa pas Italisë dhe në çdo hap kemi shtrënguar këto masa me qëllim që të ulim tempin e shtrirjes së virusit”,-tha në “Euronews Albania”.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë bën të ditur se “Nuk e ka askush një skenar të tillë, askush nuk e di sa do të zgjasë. Duke parë Kinën, duke parë Italinë, konkluzioni jo përfundimisht i konsoliduar është se tre javët e para tregojnë shumë për agresivitetin dhe kapacitetin e përhapjes. Ne do të jemi të përgatitur se mund të zgjasë më shumë se kaq”.
Sa u takon masave, Kryeministri tha se për vendosjen e tyre konsultohet me Komitetin Teknik të Ekspertëve, ndërsa la të hapur që masat të zgjaten dhe përtej datës së caktuar deri tani, që është 3 prilli. Lidhur me faktin se gjatë këtyre ditëve ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe daljet e tij të shpeshta, kreu i qeverisë dha këtë përgjigje: “Është një kritikë që ma kanë bërë që kur lindë dhe do të ma bëjnë deri sa të vdes”.