Sokol Hazizaj: Të inkriminuarit mbrohen nga partitë, problem institucioni verifikues

Ligji i dekriminalizimit

Flet për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur, Sokol Hazizaj

Nga: Redjon Shtylla

Swiss Digital Desktop Reklama

Ligji i dekriminalizimit, i cili mori një vit punë u trumbetua me të madhe se do të largonte pushtetarët e inkriminuar. Deri më tani nuk kemi parë asnjë të larguar, ndërsa u deklarua se të inkriminuarit e politikës do të shkonin në burg, do kishte lënie mandatesh. Akuzat partiake janë të shumta, veçse në procedim nga prokuroria janë Kryebashkiaku i Kavajës dhe i Krujës. Për t’i dhënë një shpjegim ligjit në fjalë, përgjigjeve pse ende nuk ka dhënë rezultat ky ligj ende pa nisur i cilësuar dështim, gazeta “Koha Jonë”, ka kontaktuar me konstitucionalistin e njohur, Sokol Hazizaj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Juristi i njohur ka shprehur qëndrimin se ky ligj sipas tij referuar deklaratave të politikës, u tha se do të ishte fundi i një plage njëzet e pesë vjeçare, por Hazizaj shton se përveç deklarimeve të karakterit moralizues nuk ka se si të sjellë produktin. Ai thekson se: “Ligji i sipërpërmendur përveç numrit të madh të fjalëve apo dispozitave ndaluese, nuk bëri gjë tjetër veçse riartikuloi në formë më shpjeguese parashikimet e ligjeve të miratuara më parë nga ligjbërësit tanë”. Duke ju referuar legjislacionit, juristi shpjegon se ligjet e mëparshme, kanë pasur të përfshirë procese të tilla si, mënyra e zgjedhjes dhe ndalimit të personave të inkriminuar, verifikimin e tyre nëpërmjet zyrës së gjendjes gjyqësore etj.

Problemi që nxjerr në pah, z.Hazizaj është se ligji i dekriminalizimit, në vështrimin formal shërben më tepër si komentar i gjithë ligjeve të mëparshme, të cilat nga ana e tyre formalisht kanë mbrojtur dhe garantuar mirëfunksionimit demokratik të organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo atyre të krijuara me ligj, administratës publike.

Ai rithekson fenomenin e njohur, që problemi nuk qëndron mbi ligjet, por tek zbatimi tyre. Për këtë, konstitucionalisti Hazizaj, shton se: “Mungesa e zbatimit, nuk është plagë e sotme, por është “krim vijues”, vjen nga gjithë këto vite dhe siç duket do të vazhdojë dhe për disa kohë të tjera më pas. Nëse pjesa më e madhe e germave të fjalës “korrupsion” është vërtet e tillë si përmbajtja e saj, nuk ka “JO” të përmbys të gjitha germat e tjera të vendosura përpara ose mbrapa JO”.

 Organet nuk verifikojnë të dyshuarit

Hazizaj ka vijuar duke pohuar se nuk duhet pritur ndonjë proces  “zierje” apo “djegie”. Duke ju referuar rasteve të opozitës, e cila përgjatë dy vite pretendoi për 19 deputetë të inkriminuar në radhët e maxhorancës, që do të prekeshin nga ligji i dekriminalizimit, Hazizaj shton se fryma e ndryshimeve të fundit kushtetuese dhe ligjore, kanë në përmbajtjen e tyre parimin e detyrimit të personit ose barrën e provës për të provuar të kundërtën e dyshimit pranë organeve ligjzbatuese. Në kohën, kur akuza dhe kundërakuza vijojnë, ai shton se asnjë i “akuzuar” ose asnjë organ nuk ka marrë përsipër verifikimin ligjor të dyshimit ose deklarimit. “Beteja politike në mënyrën agresive si ndodh shërben  si shkaku dhe pasoja e vetme e dyshimit ligjor, duke mbytur  çdo institucion kushdo qoftë ai. Dhe i mbyturi nuk ka se çfarë shpëton, përveçse duhet shpëtuar duke e mëshiruar”,- shprehet Sokol Hazizaj.

 Mbrohen nga Partia

Për këtë pikë, juristi shpjegon se nga pamundësia e njohjes së demokracisë, mungesa e transparencës, i kanë kthyer partitë e mëdha, ndryshe nga sa flitet, në koncesionar neopotik. “Pamundësia e njohjes së demokracisë, mungesa e transparencës, i kanë kthyer partitë e mëdha, ndryshe nga sa flitet, në koncesionar neopotik. Në këtë kuptim mbrojtja ose ndryshe mosfunksionimi ligjit si dhe sa duhet, i kalon kufijtë partiak, ndonëse dhe kjo e fundit ka pjesën e vet të dëmit të shkaktuar”,- shprehet Hazizaj.

 Ndërkombëtarët

Të huajt janë parë si shpëtimtarë, siç ndodhi në orët e fundit të miratimit të reformës në drejtësi. Por për ligjin e dekriminalizimit, Hazizaj pohon se objektivi ndërkombëtar nuk ka qenë shumë i madh ndaj këtij ndryshimi, se sa profilizimi i dy institucioneve të posaçme, Byroja dhe SPAK-u. “Të cilat nga sa ndiej në kuptimin institucional do të përballen me një volum të madh pune, duke e lënë sado pak në hije dhe ndonjë gabim ligjor në organizimin e prokurorisë në përgjithësi. Por më themelorja në vlerësimin tim, është kujdesi që duhet ushtruar prej ligjbërësit në dy momente, garancia juridike e punonjësve në këtë sistem dhe realizmi i një procesi korrekt vetingu,  jo të politizuar dhe pa nota urrejtje”.

Zyrtarët me probleme

300 persona i kanë shpëtuar ligjit të dekriminalizimit. Të vetmit që janë prekur nga ligji i dekriminalizimit janë rreth 30 këshilltarë bashkiakë, të cilët janë dorëhequr vetë, ndërsa asnjë zyrtar tjetër i niveleve të larta nuk është larguar. Për kryebashkiakët dhe deputetët KQZ i ka mbyllur dosjet, përveç dy kryebashkiakëve, Elvis Roshit dhe Artur Bushit. Për sa i përket arenës politike, janë plot 10 deputetë, 5 kryebashkiakë dhe mbi 30 këshilltarë bashkiakë që në formularët e tyre të dekriminalizimit kanë deklaruar se, janë dënuar, proceduar apo akuzuar për vepra të ndryshme penale. Një pjesë e madhe kanë deklaruar se kanë dalë të pafajshëm, ndërsa disa të tjerë janë dënuar dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, numri më i lartë është në administratë. Bëhet fjalë për plot 150 persona që kanë deklaruar në formularët e tyre se kanë pasur probleme me ligjin.

Kleçka

Hazizaj bën të ditur se institucionit që i është lënë në ngarkesë që të verifikojë formularët e deputetëve më probleme, sipas reformës, ky institucion do të shkrihet. Ai deklaron se: “Në pritje të kalimit në Kuvendin e Shqipërisë të ndryshimeve ligjore për mënyrën e funksionimit të dispozitave të reja të Kushtetutës dhe institucioneve, produktë  i saj, nënvizoj se nuk është e rastësishme rënia e punës së këtij institucioni, veçanërisht e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe gjykatës për pasojë. Sepse, siç dhe ju e dini këto organe suprimohen dhe nuk do të ekzistojnë më pas. Në këtë kuptim pasiguria e vazhdimit të veprimtarisë tyre institucionale, duke u “harruar”, për formulimin e ndonjë dispozite tranzitore, e kthen institucionin në pasivitet. Pa asnjë ngurrim mund të theksoj se zgjerimi i hartës së krimit, veçanërisht atij të lëndës narkotike tregon se prej tyre është identifikuar kjo mangësi dhe si i tillë vepra penale e trafikimit ka marrë përmasa më shumë se çdo herë tjetër”.

 

 300

Është numri i personave të dënuar, proceduar, apo arrestuar për vepra të ndryshme penale dhe që janë ende në detyrë. Në formularët e dorëzuar nga deputetët, kryetarët e bashkive, këshilltarët bashkiakë, nëpunësit e shërbimit civil, si dhe disa emra të denoncuar nga komisioni hetimor për emërimet në administratë.

30

Janë këshilltarë bashkiakë, të cilët janë dorëhequr vetë, ndërsa asnjë zyrtar tjetër i niveleve të larta nuk është larguar.

10

Është numri i deputetëve, të cilët në bazë të ligjit të dekriminalizimit, kanë plotësuar formularët në të cilët ata rezultojnë me probleme. Disa prej tyre,  janë dënuar, proceduar apo akuzuar për vepra të ndryshme penale

5

Është numri i kryebashkiakëve që në formularët e tyre të dekriminalizimit kanë deklaruar se janë dënuar, proceduar apo akuzuar për vepra të ndryshme penale.

 19

Janë të akuzuar nga Partia Demokratike që janë të inkriminuar. Sipas tyre, deputetë dhe zyrtarë të maxhorancës janë të lidhur me krimin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?