Sondazhi i Dhomës Gjermane të Tregtisë: Ndihma gjatë pandemisë nuk ishte e mjaftueshme për biznesin

Një klimë e trazuar ekonomike ndikuar nga pandemia e Covid-19 gjatë vitit të shkuar dhe pritshmëri të stepura për vitin e ardhshëm tatimor: ky është rezultati i një anketimi të sipërmarrjeve anëtare të Dhomës Shqiptare Gjermane të Tregtisë (DIHA), që kjo e fundit prezantoi sot gjatë një aktiviteti virtual. Në praninë e Presidentes së DIHA-s Stephanie Sieg, Ministres së Financave dhe të Ekonomisë, Anila Denaj, Ministrit të Shtetit, Eduard Shalsi si dhe organizatave anëtare të DIHA-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare Ambasadori Peter Zingraf theksoi, që Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë. Por ai solli në vëmendje faktin, që përgjegjëse për këto pritshmëri të mbytura nuk është vetëm pandemia:

”Edhe pse vëllimi tregtar mes Gjermanisë dhe Shqipërisë vitet e fundit është rritur dhe në rrugën e integrimit në BE janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm reformash, një pjesë e madhe potenciali vazhdon të mbetet e pashfrytëzuar. Sipërmarrje gjermane dhe të huaja vazhdojnë të shprehin tepër shpesh skepticizmin e tyre lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri.

Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord: Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian. Në këtë rrugë Shqipëria mund të vazhdojë të ketë besim në mbështetjen e Gjermanisë”.

Sondazhi

Sipas rezultateve të sondazhit të realizuar me anëtarët e dhomës (42 kompani gjithsej), 57% e tyre e mbyllën 2020-n me rënie të shitjeve, 29% të pandryshuar dhe vetëm 14% me rritje.

Po në të njëjtën linjë, 57% e bizneseve nuk presin të ndryshojnë numrin e punonjësve të tyre, 29% do i ulin dhe 14% planifikojnë t’i rrisin.

38% e të anketuarve thanë se paketat ndihmëse të qeverisë nuk ishin aspak ndihmë, 40% pohuan se ishin një farë ndihme dhe vetëm 22% deklaruan se ishin të vlefshme ose shumë të vlefshme.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në ecurinë negative të aktivitetit të kompanive janë rënia e fuqisë blerëse dhe e porosive.

45% e bizneseve presin që efektet negative në kompaninë e tyre të vazhdojnë për rreth 12 muaj, dhe 19% më shumë sesa një vit.

67% e kompanive thanë se nëse vazhdon kjo situatë mund të mbijetojnë deri në një vit, 21% nuk ia kanë idenë dhe vetëm 12% mund të mbijetonin më shumë se një vit.

45% e kompanive thanë se po kombinonin punën nga shtëpia dhe nga zyra, ndërsa 41% kishin riorganizuar mjediset e zyrës.

25% thanë se ishin detyruar të shkurtonin punonjësit, ndërsa 67% thanë se do e konsideronin këtë nëse situate vazhdon e njëjtë.

Vetëm 2% presin që situata ti kthehet normalitetit shpejt, 41% mendojnë se do të duhet të përshtaten me realitetin e ri, 38% janë totalisht të pasigurt për të ardhmen dhe 19% thonë se kjo po e shkatërron ekonominë.

SHKARKO APP