Sonila Meço: Nëse nuk reagoni me votë, faji nuk është më i Ramës

Nga Sonila Meço –
U tha policëve, “pas orarit zyrtar, o burra në fushatë elektorale për të mbledhur vota”. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! I ka të tëra pushtetet!”
U tha të fortëve, “bujrum në lista zgjedhore se kështu maksimalizohet vota!”. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! S’pyet ai as për Amerikë, as BE. I ka blerë të tërë”.
U tha oligarkëve se e ka me merak vetë përgjysmimin e taksës mbi kapitalin, tatimin mbi dividendin (nga 15 në 8 përqind), që të majmen edhe më shumë. Nuk u ndien shqiptarët! “e mo kush do ta ndalë, aman! Ky shtet është i kapur nga një grusht, pikë!”
I tha popullit, “të thërrasin të ngrihesh, po ti i shkreti kokulur nuk i përgjigjesh dot”. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! Të mirët ikën e po ikin përditë, kush do protestojë?!”.
U tha ministrave të japin çdo pasuri publike me PPP, të shkojnë kostot e rrugëve si të lara me flori. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! Mashtruan me dokumente false shtetin e Delaware në SHBA, për të futur në xhep 30 milionë, po pyesin shumë me vjedh Shqipërinë”.
U tha zyrtarëve, “ma bëni tërmet me vota!”. U ndje Bild gjer në Alemanjë, me lemerí. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë aman! Ai shau Trump në kulm të fushatës majë CNN-it dhe s’e gjeti gjë”.
U tha infermierëve e mjekëve se mbetën pa punë po nuk votuan Rilindjen. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! Kështu punësohen njerëzit në shtet, me militantizëm”.
I tha administratës, “dua X vota nga secili, të dokumentuara, përndryshe ta qani vendin e punës”. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! Prap i blen votat ky, po hedh lek të madh!”
U tha institucioneve, “dua të dhënat personale të secilit, e nga një patronazhist puqur!”. Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman! Ai përgjon edhe veten, jo më ne që s’na ka gjë hiç!”
Tha e tha e tha, për pandeminë, “jepini se ia dilni vetë”; për Teatrin, “shembeni se s’na falin ata që presin të ndërtojnë kulla”; për betonin, “as mos e diskutoni” edhe pse financohet nga para të pista…
Nuk u ndien shqiptarët, “e mo kush do ta ndalë, aman!”
E megjithëse skeptik e indiferent, i dyshimtë e i trembur, e ke dhe një shans të fundit shqiptar, 25 prill. Ti mund ta ndalësh, sepse nëse arrin të të blejë, fyejë, kërcënojë, shantazhojë e miklojë derë më derë e ti nuk ia jep përgjigjen me votë, faji nuk është më i tiji.
Do jetë ndërgjegja e nën-i i saj që do të të thotë: “E mo varja, atë meriton!”

SHKARKO APP