Sot 9 vite pas ikjes së Sokol Olldashit. Nëse Zoti nuk e merrte para kohe, ai do ta kishte kthyer PD në pushtet

Nga Albert Vataj-

Sokol Olldashin e kam takuar për herë të parë në selinë e Partisë Demokratike mbrëmjen e 23 dhjetor të vitit 1997, unë i gazetës i “55”, me Agron Balën e “Radio Kontakt”, Astrit Patozin e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe ai i gazetës “Albania”.

E kam përcjellë tragjikisht humbjen e tij në mbrëmjen e kobshme të 20 nëntorit, 9 vite më parë. Asokohe punoja në “Koha Jonë”.

Ishte vonë, binte shi kur i’a behu në redaksi botuesi Nikoll Lesi.

-Ka vdekur Sokol Olldashi!

Kaq tha dhe hyri në zyrën e tij, duke folur me gazetarë dhe deputetë të PD.

Fjalët e tij ranë si një shpërthim dhe heshtje në ambientet e gazetës. Ishte një natë e gjatë. Gazetarët e kronikës merrnin dhe jepnin ngado ku kishte informacion, krejtkund gjësend bëzante rreth kësaj ngjarje kaq të beftë dhe kaq tragjike.

Kishte vdekur Sokol Olldashi, gazetari dhe një nga vepimtarët më të zëshëm të Partisë Demokratike. Një nga ikonat e kësaj partie ishte ndarë nga jeta.

Ajo që telegrafisht thuhej dhe që kurrë nuk e besova ishte se më 20 nëntor të vitit 2013, Sokol Olldashi vdiq pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Krrabë. Aksidenti ndodhi në mbrëmje, shkak i aksidentit ka qenë lagështia dhe shpejtësia e lartë, me të cilën Olldashi ka udhëtuar. Kështu u tha zyrtarisht. Makina e tij për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kthesës së pjerrët humbi kontrollin, duke u rrëzuar 20 metra poshtë në humnerë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme, ishin njoftimet nga policia e shtetit.

Sokol Olldashi, gazetari simpatik dhe politikani konseguent, kolegu i mirë e miku me cigaren në buzë, ai të cilit mund ti besoje në gjithçka që thoshte dhe në çfarë bënte, sepse ishte një potencial njerëzor i mbushur me qëllime të mëdha dhe një zë i fuqishëm në atë kohë heshtjeje të makthshme; nuk jetonte më.

Ai ishte në PD një nga figurat karizmatike më të besueshme dhe më i zoti, pas Berishës që kishte dhënë dorëheqjen.

Nëse Zoti nuk e merrte para kohe, ai do ta kishte kthyer PD në pushtet.

Përjetësia është e merituar për shpirtin tënd, miku dhe kolegu i pashoq, Sokol Olldashi!

SHKARKO APP