Sot afati i fundit për koalicionet, Mediu mbledh Këshillin Politik: PR nuk i ka kërkuar asgjë PD-së

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mëngjesin e kësaj të mërkure zhvilloi një takim me Këshillin Politik të partisë, ku diskutoi propozimet drejtuar PD-së për mënyrën se si do të regjistrohet koalicioni, ku sot është afati i fundit për të dorëzuar listat në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Mediut, e rëndësishme është që koalicioni të përfshijë logot e të gjitha partive, ndërkohë që ka theksuar se PR nuk i ka kërkuar asgjë PD-së, përveç vlerësimit të peshës elektorale.

”Është shumë e rëndësishme që koalicioni të përfshijë logot e të gjithë partive përkatëse, me një emër koalicioni të caktuar dhe po ashtu, edhe peshën e partive politike në të gjitha qarqet dhe rajonet. Neglizhimi i peshës së partive politike apo strukturave të tyre organizative dhe elektorale, mendoj që është në dëm të garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por edhe të suksesit elektoral.

Mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky koalicion, jo vetëm koalicioni rreth Partisë Demokratike, por dhe koalicioni me LSI-në, duhet të jetë një koalicion i cili të ketë një platformë të qartë pro europiane, pro interesit kombëtar, në shërbim të punësimit, ndërtimit të institucioneve, zhvillimit normal të demokracisë, problemeve që na shoqërojnë sot, sidomos problemi i pandemisë dhe zgjidhjen sa më shpejtë të saj, e cila duhet të jetë si platformë, një platformë që orienton programi, qëllimet tona të përbashkëta.

Dua ta ritheksoj; Partia Republikane nuk i ka kërkuar asgjë Partisë Demokratike, por ka kërkuar vlerësimin e peshës elektorale të Partisë Republikane dhe kemi kërkuar që të kontribuojmë me kandidatët apo me strukturat tona, në mënyrë që deputetët, që mendoj janë deputetë të koalicionit dhe jo deputetë të njërës apo tjetrës parti, por të koalicionit opozitar, të gëzojnë mbështetjen në çdo qendër votimi të Partisë Republikane”,-thotë Mediu.

SHKARKO APP