Sot, ora 18:00, opozita ka thërritur popullin para Kryeministrisë
Opozita do të zhvillojë sot një nga protestat më të mëdha kombëtare kundër qeverisë “Rama”. Fronti Opozitar ka thirrur qytetarët në tubimin që do të zhvillohet në orën 18:00, para godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mësohet se janë nisur nga rrethet e largëta mijëra veta, të cilët po udhëtojnë me furgonë, autobuzë, trena, vetura për të qenë në ora 18.00 para kryeministrisë.
Organizimi i partive të opozitës dhe thirrjet që krerët e saj kanë bërë për qytetarët, tregojnë se në shesh do të jetë një numër jashtëzakonisht i madh qytetarësh.
Kjo është protesta e radhës masive, që pas djegies së mandateve të opozitës në 16 shkurt. Kërkesat e Forontit Opozitar janë dy: Qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, si dhe zgjedhje të parakohshme.
Tubimi i ditës së sotme pritet të jetë masiv edhe për shkak të revoltës që kanë shkaktuar skandalet e fundit në vend. Vjedhja e 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit dhe paaftësia e shtetit për të kapur autorët, kanë rritur pasigurinë në vend dhe dyshimet për kriminalizimin e segmenteve të shtetit.
Nga ana tjetër, dhuna e përsëritur e policisë ndaj protestuesve si dhe pamjet e dhunimit të grave dhe fëmijëve në zonën e Bregut të Lumit kanë krijuar imazhin e një shteti policor që funksionon vetëm për të dhunuar qytetarët dhe për të mbrojtur qeveritarët e akuzuar për korrupsion.
Këto dhe një sërë skandalesh të tjera, në një klimë politike konfliktuale bëjnë që protesta e së shtunës të jetë e paparashikuar se si do të vijojë. Opozita deklaron se qytetarët do të protestojnë për keqqeverisjen dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Plani si do vijojë protesta pas orës 18.00 mbetet sekret.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka deklaruar se protesta e së shtunës dhe pjesëmarrja masive do të jetë mesazhi që shqiptarët do t’i japin kryeministrit Edi Rama për t’u larguar sa më parë.
Ndërkohë, sot kreu i PD-së, Lulzim Basha në një apel në rrjetet sociale ka ftuar qytetarët që të jenë në shesh për të ardhmen e fëmijëve të tyre. “Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në Tiranë! Për standarde të vërteta, për mirëqenie për çdo shqiptar, për shtëpine tonë, për fëmijët tanë, PËR SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA”, shkruan Basha.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/412034669593259/
Garda dhe policia rrethojnë Kryeministrinë
Garda e Republikës dhe Policia kanë marrë masa që ditën e premte për protestën e nesërme para Kryeministrisë. Në fotot e siguruara nga LSA, shihen kangjellat e vendosura përreth ndërtesës. Gjithashtu, shtyllat dhe pemët afër kryeministrisë janë lyer me graso për të mos lejuar qyetarët që t’i prekin.
Protesta e nesërme do të jetë e ngjashme me protestat e shkuara sa i përket mënyrës së organizimit. Qytetarët do të mblidhen para Kryeministrisë, dhe në dy pjesët anësore të saj ana e Piramidës dhe në rrugën “Ismail Qemali”.
Për protestën e nesërme, do të angazhohen rreth 1300 forca policie, shumica prej të cilëve do të qëndrojnë para Kryeministrisë.
Lexoni edhe…