Sot/ Shën Ndoj, reportazh nga “Fortesa” e Paqes
Pa as më të voglin dyshim, Kisha e Shën Ndojt në Laç të Kurbinit,është mjedisi që zë vendin e parë në Shqipëri për sa i përket numrit të pjesëmarrësve vizitorë-pelegrinë. Është një mrekulli e vërtetë pjesëmarrja e mijëra vizitorëve në këtë ditë të dielë të 13 qershorit,ku përmblidhet një gjeografi e gjerë e pjesëmarrësve pothuajse nga të gjitha trevat e Shqipërisë,e pse jo edhe nga shtete te ndryshme. Vendosur në faqemalin shkëmborë të Sebastes, mbi Laç të Kurbinit, Kisha e Shën Ndojt, sipas autoriteteve të këtij vendi të shenjtë, përgjatë 13 të martave ka mbledhur mbi 1 milionë pelegrinë-vizitorë. Po kush është ky vend i mrekullive të Zotit,figura e Shenjtit-simbol, i cili do të bëhej kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh duke u dhënë atyre kurajën për të përballuar vështirësitë e jetës e sfiduar mbrapshtësitë? Shën Ndoj i Padovës u lind në Lisbonë në ditën e pesëmbëdhjetë të Gushtit 1195. Kjo ditë përkonte me festën e ngjitjes në qiell të virgjëreshës Mari-nënës së Jezu Krishtit. Maria Tereza Tavera, pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, lindjen e fëmijës që mori emrin Ferdinand e vlerësoi si një dhuratë të virgjëreshës që në vogëli e edukoi atë me kultin e saj. Që në moshë të njomë, gjatë lutjeve i premtonte asaj virgjërinë për të mbetur adhurues i saj i përhershëm. Ai do të rritej mes librave dhe lutjeve ,i cili në qendër te shpirtit do të mbante fort dashurinë për Jezu Krishtin dhe nënën e tij. Formimi i brendshëm i tij mbështetej në parime të shenjta;përvujtëria, dëlirësia dhe mëshira që ishin edhe mësimet kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit duke studiuar veprat e tij ,por edhe vëllimet e Biblës,komentet e etërve te kishës mbi to,veprat bashkëkohore enciklopedike. Prej këtu Ferdinandi do të shkonte në abacinë e Shën Kryqit të Koimbres-kryeqytet i at’hershëm i Portugalisë,qytet universitar më i famshëm i saj, vend ku do të bënte përparime te shpejta në përsosmërinë dhe studimin e fesë në të cilën arriti majat më të larta. Kronikat e abacisë thonë se “…Ferdinandi ishte një njeri i famshëm ,i ditur dhe i shenjtë,i pajisur me njohuri te mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme”.
Pas afro një dekade e njohjes , me përkrahjen e Shën Françeskut të Asizit vendos e hyn në Urdhrin e Fretërve minorë, ndërron emrin në Anton (Ndue) dhe niset për në Marok, atje ku ishin vrarë 5 martirë me misionin për të përhapur mësimet e Ungjillit. Prej këtej shkon në Sicili duke nisur veprimtarinë baritore të Tij që u zhvillua në shumë qytete të Italisë. Këtu shpalosi gjithë përgatitjen e Tij fetare e intelektuale, ku iu dha titulli “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Mentfort. Predikimet e Tij janë shoqëruar shpesh me mrekulli të atilla duke krijuar tek njerëzit thjesht adhurim e besim të jashtëzakonshëm. Vetë Shën Françesku , krijuesi i urdhrit të ri të kishës do të vlerësonte atë si “Më të diturin e bijve të tij” duke e dërguar me mision në Francë më 1224 pas herezisë së përhapur atje kundër krishtërimit. Edhe këtu ai do të shpaloste dijen, përkushtimin, talentin e tij të spikatur duke u konsideruar si një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues i jashtëzakonshëm. Predikimet e tij më pas në javën e Pashkës në kryeqytetin papnor ku mijëra pelegrinë do të shpërthenin në entuziazëm do të bënin që vetë Papa Gregori IX ta quante atë “Arka e gjallë e Biblës”.Veprimtaria e tij fetare do të rrokte gjithë Italinë. Pasi themeloi kuvendin në Venezo, do të kryente një mrekulli të rrallë një nga kryeveprat e Tij.

Një grua fisnike në Ferrara, bashkëshortja e princit Obizzi akuzohej për tradhti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkon ndihmën e At Antonit. Ai që i besonte asaj pasi i dëgjoj të dy, mori fëmijën ne krah, ngriti sytë nga qielli dhe tha: “N’emër të fëmijës hyjnor të përgjërohem o vogëlush të thuash publikisht me fjalë të qarta e pozitive se cili është autori i ditëve të tua. Atëherë fëmija edhe pse ishte në shpërgenj u kthye nga i ati duke i thënë këto fjalë: -“Je babai im”. Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit .At Antoni do të vazhdonte me përkushtim shërbesat në Francë, Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti i jetës dhe fundit të saj do të ishte Padova, atje ku do të mbyllte sytë në atë 13 Qershor të 1231, ku do të ishte vetëm 36 vjeç duke mos ju trembur asnjë pushteti tokësor. Këto pak penelata-pasqyrë e figurës së Shenjtit,emrin e të cilit do ta mbante kisha e njohur tashmë botërisht në malin e Sebastes në Laç të Kurbinit, ngritur në vitin 1971 nga sistemi diktatorial për t’u rindërtuar ashtu e bukur me ndryshimin e sistemit pas viteve’90…
…Celebrimi i meshave të shenjta,bashkimi i të gjithëve në lutje e adhurim, fjalët përshëndetëse mes njerëzve Shën Ndoj ju ndihmoftë!”, përshkrimi i shenjave të ndryshëm në gurë dhe mure, prekjet drithëruese të trupit dhe syve të Shenjtit, ndezja e qirinjve, vizitat tek shpella e Shën Vlashit për të kulmuar me meshën tradicionale të kremtuar me këtë rast … janë të gjitha këto “misioni” i çdo pelegrini-vizitorë, katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe ateistë, të gjithë bashkë në lutje dhe adhurim duke pohuar në vazhdimësi gjithshmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor. Nga ky vend i shenjtë thuajse në mes të Shqipërisë mbivendoset një dëshmi e madhe paqeje e respekti ndërmjet religjioneve dhe besimeve të ndryshme fetare. Harmonia e thellë që ekziston tek ne midis katolicizmit, ortodoksisë dhe islamit është shenjë e një forma mentis që e përcakton larminë, jo si problem apo rrezik. Duke u njohur me realitetet e kësaj bashkëjetese e duke u ballafaquar me shembuj të shumtë të fisnikërisë e pashoqe shqiptare të njohura tashmë, mund të pohojmë realitetin e gjallë të Shqipërisë si shembull europian i bashkëjetesës e harmonisë fetare . Dëshmi e fortë është edhe kjo që të gjithë shohim këtu ne kishën e Shën Ndojt. Është udha e bukur e paqes realizuar përmes kësaj harmonie.
…E të gjithë marrin rrugën për këtu, shpresëplotë, plot besim. Këtu në kishën e Shën Ndojt, njerëzit mbajnë në kujtesë shumë mrekulli. Të sëmurët kanë gjetur shërim. Në familje të tëra kanë ngulur rrënjë paqja dhe dashuria, ndaj edhe vijnë këtu për t’u lutur. Gjithë ky “det” njerëzish. Organet qeverisëse, e ato policore kanë marrë të gjitha masat e duhura që kjo ditë e shënuar të kalojë mbarë. Zef Laska, drejtori i policisë së qarkut Lezhë, na pohon se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të përcillet në harmoni e pa probleme. Masat ligjore i kemi parë gjithnjë të gërshetuara me rregullat njerëzore që aplikohen në vendet e shenjta. Të gjithë bashkë në këtë vend marrin e japin me njëri-tjetrin, gjejnë e marrin me vete Shën Ndojn dhe jo vetëm këtë njeri të madh të Zotit, por edhe Shtjefën Gjeçovin, Mati Prenushin, Klement Mirjan, Robert Ashtën, Zef Pëllumbin, personalitete këto me famë kombëtare, të cilët kanë shërbyer me përkushtim të lartë në këtë vend të shenjtë. Marrim e japim mes njëri-tjetrit gjithçka të mirë që gëlon në këtë tokë të papërsëritshme për t’u rikthyer sigurisht përgjatë 13 të martave e 13 qershorit të ardhshëm, se askush nuk mund ta harrojë rrugën për këtu…
KOHA JONË SONDAZH

