Spahiu: Në 18 qershor LSI do arrijë rezultat fantastik, jashtë çdo parashikimi

Deputeti i LSI-së pro listave të hapura: Koalicioni ka mjaft “detyra” të papërfunduara në qeveri, vendimi për zgjedhjet do merret në kohën e duhur

Intervistoi: Herion Mesi

Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vetmja forcë politike që rritet çdo ditë, dhe do të ketë një rezultat tejet pozitiv në zgjedhjet e 18 qershorit që do të tejkalojë dhe pritshmëritë, aq sa dhe parashikuesi më optimist nuk do ta besonte. Është kjo bindja e deputetit të kësaj partie Përparmi Spahiu, i cili në një intervistë për “Koha Jonë” rithekson qëndrimin e tij të shprehur gjatë kohës që ai kandidonte në garën për kryetar të LSI-së, ku sipas tij, LSI-ja duhet të ketë një rol parësor dhe një rol udhëheqës në politikën shqiptare dhe në shoqërinë shqiptare. Duke analizuar sistemin aktual zgjedhor, që parashikon pjesëmarrjen në votime përmes listave të mbyllura, Spahiu shprehet se ky sistem duhet ndryshuar, pasi sipas tij kemi të bëjmë me një imponim të drejtpërdrejtë të kryetarëve të partive ndaj zgjedhësve. “E ky imponim nuk është korrekt në demokraci pasi minimizohet fjala “zgjedhje”. Listat e hapura ua japin mundësinë zgjedhësve që përveç partive të votojnë dhe kandidatin”- shprehet Spahiu. Deputeti i LSI-së ndan të njëjtin mendim me ministrin e LSI-së në kabinetin qeveritar, Ylli Manjani, se koalicioni qeverisës ka mjaft detyra të papërfunduara dhe më shumë se diskutimi për firmosjen e koalicionit parazgjedhor, ai i bën thirrje PS-së që të përqëndrohet tek realizimi i këtyre detyrave. Sipas tij, nuk është koha e duhur që të flitet për koalicion, dhe siç thotë Spahiu, diskutimi në kohën e duhur në strukturat e reja të LSI-së do çojë në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Ndërkaq, deputeti i qarkut të Dibrës analizon dhe situatën më të fundit të krijuar nga reshjet e borës në zonën që ai përfaqëson. “Po kalojmë vërtet një situatë të vështirë, temperatura mjaft të ulëta dhe reshje të shumta bore. Them që, edhe pse pa përvojën dhe financat e duhura për situata të tilla, bashkitë kanë bërë maksimumin dhe kjo ka bërë që sot vetëm pak fshatra të largët të jenë të palidhura me qendrat administrative”- thotë Spahiu. Nisur nga kjo, deputeti i LSI-së shpreh mendimin që në një përballim dhe menaxhim të këtyre situatave në të ardhmen duhet që Qeveria qendrore të mendojë për një financim më të mirë dhe për pajisjen me mjetet e nevojshme për Bashkitë, sidomos veriore, verilindore dhe juglindore të vendit.

Zoti Spahiu, ky vit ka nisur me temperatura tejet të ulëta në të gjithë vendin, ku një nga zonat më të prekura është Qarku i Dibrës, ku ju jeni deputet. Nga të dhënat që ju keni si paraqitet situata?

Po kalojmë vërtet një situatë të vështirë, temperatura mjaft të ulëta dhe reshje të shumta bore. Them që, edhe pse pa përvojën dhe financat e duhura për situata të tilla, bashkitë kanë bërë maksimumin dhe kjo ka bërë që sot vetëm pak fshatra të largët të jenë të palidhura me qendrat administrative, si Tërnova e Vogël në Bulqizë, Lura dhe Selishta në Dibër, Fshati Lami i Madh nj.ad. Derjan dhe Lagjia Daznjane Njësia Administrative Macukull në Bashkinë Mat dhe në Bashkinë Klos, Fshati Kete Njësia Administrative Xibër. Ndërsa rruga nacionale, përveç një momenti në Maqellarë, si shkak i erës dhe reshjeve të forta, ka funksionuar normalisht dhe pa probleme. Që prej ditës së djeshme po shpërndahen ndihma ushqimore dhe veshje nga emergjencat! Problem mbetet ngrirja e tubacioneve të ujit që vështirëson dhe kufizon furnizimin me ujë, gjë që vë në vështirësi banorët e qendrave të banuara në të gjithë vendin.

Sipas jush, si po përballohet kjo situatë nga strukturat e shtetit? Kujtoj që opozita kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, a jemi në të tillë situatë?

E përmenda dhe më lart që me mundësitë që janë, situata është menaxhuar mirë, ka angazhim maksimal të të gjitha strukturave, si vendore ashtu dhe qendrore. Janë situata shumë të vështira që dhe në vende më të zhvilluara se vendi ynë, kanë mjaft probleme për t’i përballuar. Ajo që unë doja të këshilloja është që Qendra duhet të mendojë për një financim më të mirë dhe për pajisjen me mjetet e nevojshme për Bashkitë, sidomos veriore, verilindore dhe juglindore të vendit.

Ashtu siç pritej ky vit ka nisur me debate të forta lidhur me reformën zgjedhore. Partia Socialiste së fundmi refuzoi propozimet e LSI-së për zgjedhjet, lidhur me listat e hapura,  por dhe ndëshkim të fortë të shitblerjes së votës. Si e shikoni këtë përplasje?

Nuk më duken debate të forta, them që është një debat normal, që gjithësecili të bëjë maksimumin për një reformë zgjedhore që siguron votën e lirë, barasvlefshmërinë e saj dhe, më kryesorja, të bëhen zgjedhjet më të mira të kandidatëve më të mirë, gjë që me listat e hapura, siç mendojmë ne, sigurohet më mirë! LSI-ja për çdo reformë ka qenë e gatshme të japë maksimumin për më të mirën. Kur LSI-ja u shpreh për listat e hapura Twiti im ishte: “Listat e hapura? Atëherë ka më shumë kuptim shprehja: çdo popull meriton qeverinë dhe politikanët që ka”! Po, në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe nga diskutimet e debatet e sinqerta që përpiqen të çojnë përpara demokracinë në Shqipëri.

Në fakt ky refuzim i PS-së sa do ndikojë në përfaqësimin e LSI-së, por dhe të partive të tjera të vogla në Kuvendin e ri?

Sistemin aktual, me lista zgjedhore do ta quaja një imponim të drejtpërdrejtë të kryetarëve të partive ndaj zgjedhësve. E ky imponim nuk është korrekt në demokraci pasi minimizohet fjala “zgjedhje”. Listat e hapura ua japin mundësinë zgjedhësve që përveç partive të votojnë dhe kandidatin. Më kujtohet hera e parë kur kam votuar në diktaturë, ku në listë ishte një emër i vetëm, dhe nuk e di a kish vend që unë të bëja zgjedhje tjetër veç atij të fletës së votimit!

Duket se ka një nervozizëm nga aleati juaj kryesor në qeverisje për moskolaudimin e koalicionit parazgjedhor me LSI-në, ku kryetari Ilir meta është shprehur se është herët për marrëveshjen. A po mendon LSI-ja të tentojë pjesëmarrjen në zgjedhje si forcë e vetme?

Ka vërtetë mjaft “detyra” të papërfunduara. Sa i takon koalicionit e them që duhet të jemi vërtet mjaft të përqendruar në realizimin e tyre. LSI-ja ka përfunduar me sukses zgjedhjet e saj, kryetarit dhe të gjithë strukturave drejtuese dhe them që diskutimi në kohën e duhur në këto struktura do çojë në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.

Në realitetin politik tashmë janë shfaqur forca të reja politike,  si LiBRA e Blushit, lëvizja e Bojaxhiut, PAA e z. Duka, a pritet të ndikojnë këto parti në votat e LSI-së? A ka ardhur koha për krijimin e polit të shumëpërfolur, atij të tretë, që të sfidonte seriozisht dy forcat e mëdha?

Nuk e kam fare të vështirë të them që LSI-ja do ketë një rezultat fantastik në zgjedhjet e ardhshme, aq sa dhe parashikuesi më optimist nuk do ta besonte! Unë garova në garën për kryetar të LSI-së dhe besoj e dini mendimin tim personal për këto çështje. Edhe pse nuk mora shumicën nga anëtarësia me votë besoj që shumica e saj kanë të njëjtin mendim me mua.

Duke qenë se jemi në një vit elektoral, cili është bilanci i qeverisjes PS-LSI i këtyre 3 viteve e gjysmë? Z. Rama ka kërkuar ndjesë për gjërat që s’janë bërë mirë, por nga ana tjetër është shprehur se nuk është bërë asnjë gabim. Si e gjykoni ju?

Kjo është një analizë që i përket së ardhmes së afërt e do të bëhet në momentin e duhur dhe besoj që do të jetë dominante sa i takon diskutimit për koalicionit në zgjedhjet e ardhshme.

SHKARKO APP