Përparim Spahiu për ”KJ”: Kushtetuta ndryshohet vetëm me Referendum
Nga: Redjon Shtylla
Për ish-deputetin e LSI-së, Përparim Spahiu, ndryshimi i Kushtetutës duhet të ndodh veç me referendum. Në një prononcim për ”Koha Jonë”. ai thekson se çdo ndryshim i njëanshëm, pa konsesus politik i kushtetutës, do të sjellë goditjen e fundit të demokracisë në vend. Nga ana tjetër, ai thekson se opozita i ka të fituara zgjedhjet. ”Si do ti bëjë ndryshimet Edi Rama, me koalicione pa koalicione, me lista të hapura pa lista të hapura. Ajo që unë besoj është se deklarimi i palëve përpara zgjedhjeve me koalicione, me programe të qarta ku ajo që të thuhet të ketë të gjitha garancitë që do të bëhet, do te ishte qasja korrekte e të gjitha partive politike përpara zgjedhësve”.
Prononcimi i plotë
Palët në Këshillin Politik kanë rënë dakord parimisht që listat e kandidatëve të hapen 100 %, por përplasja është vendosur tek formula e përllogaritjes së mandateve dhe tek mënyra e ngritjes së koalicioneve parazgjedhore. Më 30 korrik do të votohen ndryshimet Kushtetuese dhe se nëse do ndalohen koalicionet, vendi mund të shkojë në konflikt civil?
Nëse Rama bashkë me Rilindjen e ka vërtet seriozisht hapjen e listave, propozimi nga opozita i erdhi i qartë dhe shumë i thjeshtë. Zgjedhësi përveç koalicionit që absolutisht duhet të jenë të shpallura parazgjedhore, zgjedh dhe kandidatin, shumë thjesht me një numër që i korespondon çdo kandidati. Çdo ndryshim i njëanshëm, pa konsesus politik i kushtetutes, do të ishte një dëm mjaft i madh për vendin, do të ishte goditja e fundit e demokracisë në Shqipëri. Nuk mund të ndryshosh kushtetutën sipas qejfit, kushtetutë të votuar me referendum. U bënë dhe u pranuan ndryshimet në vitin 2008 por mos harrojmë që ishte konsensus shumë i gjerë, pozitë-opozitë, edhe pse ato ndryshime sollën situata që brenda 10 viteve po mendohet për ndryshime të saj përsëri.
Por nëse kryeministri Rama nuk do të tërhiqet dhe nuk do të kemi koalicione parazgjedhore, si do të përllogaritet vota për partitë që do të dalin të vetme në zgjedhje? Sa do të jetë pragu kombëtar, si do të jenë rajonet që nuk janë në kushtetutë, si do të jetë përllogaritja e mandateve etj?
E përsëris që mostërheqja e Ramës dhe ndryshimet e njëanshme do të ishin një dëm i madh për vendin. Jemi në situatë mjaft të rëndë, prag zgjedhjesh ku vendi ka nevojë emergjente të shprehet me votë, i lirë dhe i pa trysnuar për të ardhmen e vet. Se kush do ta drejtojë vendin katër apo tetë vitet e ardhshme duhet ta vendosin vetë shqiptarët dhe në asnjë rrethanë nuk mund ta vendosi asnjë kryetar i kujdo partie qoftë. Opozita i ka të fituara zgjedhjet, si do ti bëjë ndryshimet Edi Rama, me koalicione pa koalicione, me lista të hapura pa lista të hapura. Ajo që unë besoj është se deklarimi i palëve përpara zgjedhjeve me koalicione, me programe të qarta ku ajo që të thuhet të ketë të gjitha garancitë që do të bëhet, do te ishte qasja korrekte e të gjitha partive politike përpara zgjedhësve.