Spahiu: Referendumi i 25 prillit do të na rikthejë tek vlerat e protestës sublime, heroike dhe historike të Dhjetorit ’90
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Përparim Spahiu ka përkujtuar “8 Dhjetorin”, Ditën e Rinisë. Përmes një mesazhi të përcjellë nëpërmjet rrjeteve sociale, Spahiu i uron gëzuar këtë ditë çdo shqiptari që zgjedh të jetojë me dinjitet në këtë vend.
Ish-deputeti i LSI-së shpreh bindjen se Referendumi i 25 prillit do të na rikthejë tek vlerat e protestës sublime, heroike dhe historike të Dhjetorit ’90.
““E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Me këto thirrje që dolën nga thellësia e shpirtit të rinisë në fund të shekullit të kaluar, Shqipëria zgjodhi pas disa brezash, më në fund, t’i kthejë sytë nga Perëndimi.
Fiks 3 dekada më parë, më 8 dhjetor 1990 mori udhë rebelimi më fisnik që nga koha e themelimit të shtetit shqiptar.
Mijëra të rinj e të reja u derdhën në sheshin e “Qytetit Studenti” për të kërkuar atë që mungonte më shumë në kohën e diktaturës: LIRI, DEMOKRACI.
Pas rënies së murit të Berlinit, Shqipëria vendosi të rreshtohej me Europën duke e hedhur komunizmin në koshin e plehrave të historisë.
Fatkeqësisht, 30 vite pas asaj dite historike, vendi ndodhet përballë sfidave të ngjashme.
LIRIA është ajo që mungon më shumë: liria e fjalës, liria e lëvizjes, liria për të bërë biznes, për të jetuar me dinjitet në një vend ku pushteti të shtyp përditë.
DEMOKRACIA: Mungesa e institucioneve, shkelja dhe kontrolli mbi drejtësinë, mungesa e balancës mes pushteteve, zgjedhjet monopartiake, Parlamenti njëngjyrësh.
A nuk janë sfida të ngjashme me Dhjetorin ’90?
Asnjë diktaturë dhe diktator nuk janë të përjetshëm. Dëshira e rinisë, por edhe e çdo brezi për një vend të lirë, tejkalon çdo forcë.
Kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë. Referendumi i 25 prillit do të na rikthejë tek vlerat e protestës sublime, heroike dhe historike të Dhjetorit ’90.
Gëzuar 8 dhjetorin, çdo shqiptari që zgjedh të jetojë me dinjitet”, shprehet Përparim Spahiu.