Spahiu: Rilindja, një dështim total në ekonomi. Dhe ky dështim është drejtuar nga timonieri Rama

Për deputetin e LSI-së, Përparim Spahiu, që kandidon në 25 qershor për një mandat të dytë si deputet në Qarkun e Dibrës, “Rilindja” e kryesuar nga Edi Rama në katër vitet e saj të qeverisjes së vendit shënoi një dështim total në ekonomi, dhe kjo shkak se vendi u drejtua nga kryetarë bashkishë, si Rama apo Niko Peleshi, të cilët kanë qenë më herët njëri kryebashkiak i Tiranës, e tjetri kryebashkiak i Korçës.

Për anëtarin e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, në këto 4 vite janë shënuar dështime me investitorë e investime të huaja, , dështim me krijimin e vendeve të reja të punës, dështim në investimet në sektorë si bujqësia e me radhë.

Në një intervistë të publikuar në web-in e tij zyrtar ish-kandidati në garën për kryetar të LSI-së, ka dhe një përgjigje lidhur me batutën që po përdor kryeministri Rama, njëherësh dhe kryetar i PS-së lidhur me çështjen e timonit, ku justifikohet se kanë qenë aleatët që ia kanë prishur drejtimin  gjatë qeverisjes.

Për Spahiun kjo historia e timonit nuk është aspak interesante. “Unë them që ky dështim është drejtuar nga një timon, me mungesë vaji në hidraulik, e ky drejtues ka qenë kryeministri aktual. Shqiptarët do ta dënojnë me votë arrogancën qeverisëse me mungesa totale të dijeve elementare sesi duhet të qeveriset”- shprehet Përparim Spahiu.

Ai kandidon në zgjedhjet e 25 qershorit, për një mandat të dytë në po këtë qark. Ekonomist me një karrierë të gjatë në fushën e financave kombëtare dhe jo vetëm. Gjithashtu mban postin e nën/kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe atë të kryetarit të “Komisionit për Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Territorit” në LSI.

Intervista e plotë:

Spahiu, ju keni qenë deputet në legjislaturën e kaluar të Kuvendit ku edhe ishte mandati i parë për ju. A e patët të vështirë të përshtateshit me situatën politike e atë parlamentare në veçanti?

Varet se a kemi limite me fjalën “përshtatje”. Them që është një proces që s’mbaron asnjëherë, sidomos në politikë kjo gjithmonë lidhet me angazhimit e gjithsecilit në punën që bën. Them që katër vite janë mjaftueshëm që të formatohesh me të gjithë skemën se si funksionojnë marrëdhëniet, me elektoratin, anëtarësinë, grupin parlamentar etj.

A mendoni se në katër vite qeverisje në koalicion, Shqipëria ka bërë hapa progresiste?

Të flasësh për katër vite qeverisje besoj që duhet jo pak kohë, por ajo që dua të them është se kjo qeverisje ka dështuar totalisht në ekonomi. Kam qenë mjaft kritik sa i takon kësaj fushe që në fillimet e mia, dhe këto kritika besoj që i mbylla në fushatën time për kryetar të LSI-së. Dështim me investitorë e investime të huaja, kujtoj këtu rastin flagrant të dhunimit të një biznesmeni të huaj, dështim me krijimin e vendeve të reja të punës, dështim në investimet në sektorë si bujqësia e me radhë. Kjo ka qenë dhe arsyeja që kam kërkuar qeverisjen nga një Kryeministër ekonomist, që njeh sesi funksionon financiarisht një shtet. Jemi koshient që ky vend në katër vite është qeverisur nga ish kryetarë bashkish, dy gjëra shumë ndryshe në menaxhim, bashkia me qeverinë. Ajo që i dallon më shumë janë prioritetet. Kujtojmë që prioritet i qeverisë që po lëmë pas ka qenë Rilindja Urbane, dështim total financiar, diçka që nuk prodhon asgjë, përveç shesheve të pushimit për pensionistët, pasi rinia e dimë që është dyndur drejt emigrimit në perëndim.

Spahiu, të gjithë e dimë që premtimi për ndërtimin e “Rrugës së Arbërit” vazhdon të mbetet një problem që nuk po gjen zgjidhje akoma. A mendoni që ishte serioze qeveria shqiptare kur premtoi ndërtimin e kësaj rruge në fushatën e vitit 2013?

Kam një përgjigje shumë shkurt për këtë çështje. Kjo rrugë nuk u ndërtua, për faktin që politika ka qenë “e garantuar” për votat që merr në qarkun tonë dhe këtë investim se ka parë asnjëherë si strategiik, jo vetëm për zhvillim e zonës por dhe me gjerë, lidhjen me Shkupin e më tej në lindje. Këtë herë do ndodhi ajo që kam shprehur më herët. Dibra do t’i dënojë, dërrmojë me votë të dyja ato.

Jeni përfolur shpeshherë si “deputet rebel” si brenda partisë tuaj LSI, ashtu edhe brenda parlamentit për shumë qëndrime që deri diku dilnin jashtë frymës së zakonshme, që ne jemi mësuar të shohim në politikë. Kujtojmë këtu kritikat tuaja të bërë në adresë të qeverisë për mosmbajtjen e premtimit për ndërtimin e rrugës së Arbërit, qëndrimin kritik ndaj vetingut, apo edhe qëndrimin ndaj ish kryetarit të bashkisë Dibër në lidhje me video-skandalin, ku ju kritikuat edhe kryeministrin etj etj.

Pyetja është: a pendoheni për këto qëndrime që keni mbajtur?

Aspak, madje ndjehem i keqardhur për mjaft çështje të pa zgjidhura. Unë kam përgjegjësitë e mia dhe di t’i kalkuloj mirë ato, si me votuesin ashtu dhe me qëndrimet politike të miat që mbase bien ose kanë rënë ndesh me ato të partisë. Dhe jo për fatin tim, por në mjaft çështje që kam ngritur koha më ka dhënë të drejtë. Mjafton këtu të kujtojmë qëndrimin tim, në seancën plenare të 22 shtatorit ku u miratua “Ligji i Mbetjeve”.

Në atë seancë paralajmërova kolegët e mi deputetë se do të dilja në protestë bashkë me Shoqërinë Civile për të penguar kalimin e këtij ligji, pasi isha dhe mbetem i bindur në kauzat që ngre shoqëria civile. Dola në protestë me to. Koha më dha të drejtë, pasi ky ligj u kontestua fuqishëm dhe më pas edhe u anulua.

Spahiu, ju rikandidoni për një mandat të dytë në qarkun e Dibrës. Çfarë të reje mendoni se mund t’i sjellë rikandidimi juaj bashkëqytetarëve tuaj dibranë?

Besoj fort që LSI-ja do ketë mbështetje absolute dhe do jetë forcë e parë në Dibër, e kjo them që vjen nga sjellja ndryshe me votuesin dibran e imja, por jo vetëm. Sjellje e “imponuar” nga lideri historik dhe gjithë grupi i LSI. Ne dëgjojmë më shumë sesa flasim, që minimalisht të “qajmë” hallin e atyre që janë në vështirësi, por edhe të mundohemi ti zgjidhim aty ku janë mundësit.

Do donim të zbulonim diçka më shumë rreth ambicies tuaj politike, edhe për publikun që do të lexojë këtë intervistë. Nëse ju do të zgjidheni deputet në zgjedhjet e qershorit, keni ndonjë ambicie konkrete se ku e shihni veten nëse do jeni pjesë e koalicionit që do të qeverisë Shqipërinë?

Po kam, fitoren e të gjitha bashkive në qark nga LSI-ja.

Spahiu si i komentoni qëndrimet e fundit të kreut të socialistëve dhe teorinë e tij të timonit që drejton i vetëm Shqipërinë? E kam fjalën këtu edhe për akuzat që Kryeministri ka lëshuar në drejtim të ish aleatit të tij LSI.

Kjo historia e timonit nuk m’u duk aspak interesante. Unë them që ky dështim është drejtuar nga një timon, me mungesë vaji në hidraulik, e ky drejtues ka qenë kryeministri aktual. Shqiptarët do ta dënojnë me votë arrogancën qeverisëse me mungesa totale të dijeve elementare sesi duhet të qeveriset.

Së fundmi, besoj është edhe në interes të publikut që të merrnim nga ju një parashikim, në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit. Cilat janë parashikimet tuaja për zgjedhjet në Dibër, dhe më pas për gjithë Shqipërinë? Si e shihni situatën dhe parlamentin e pas 25 qershorit?

Kësaj pyetje iu përgjigj mjaft mirë Presidenti i zgjedhur zoti Meta disa javë më parë. Do ketë shumë surpriza dhe unë po pres i qetë që t’i shijoj!

Intervistoi: Edison Balla

SHKARKO APP