Spaho: Lëvizja popullore sapo ka nisur, dhe opozita nuk mund të bëjë sehir

Demokratët janë të bindur që vendi po vuan nga një krizë e madhe politike, ekonomike dhe morale dhe shkaktari i vetëm i kësaj gjendjeje është kryeministri Edi Rama. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë” deklaron se protestat e Kukësit, apo ajo e biznesit të vogël janë vetëm maja e ajsbergut e përkeqësimit të gjendjes ekonomike të vendit. Dhe nisur nga kjo, Spaho thekson se protesta e opozitës në sallën e Kuvendit këtë të enjte i shërbeu pikërisht mbështetjes së lëvizjes qytetare.

“Si mund të pranojmë që 11 fukarenj nga Kukësi që protestuan për bukën e gojës të mbahen të arrestuar, kurse Sajmir Tahiri, ky narko-trafikant qeveritar, të bredhë i lirë, madje të sfidojë, duke dashur të flasë në parlament. Opozita nuk mund të bëjë sehir kur Kryeministri e krahason popullin e tij me organin gjenital. Ata që predikojnë të kundërtën dhe ngrenë pyetjen se a është e besueshme opozita, ose janë naivë, ose bëjnë lojën e Edi Ramës. Opozita nuk është perfekte, por e keqja e këtij vendi nuk është mosperfeksioni i opozitës, por qeverisja thellësisht korruptive dhe kundër interesave të qytetarëve e Edi Ramës dhe klanit që përfiton nga ai. Qytetarëve ju ka shkuar thika në palcë. Opozita po përpiqet të japë kontributin e saj maksimal, por në këtë drejtim duhet të angazhohet kushdo që ndjen një fije përgjegjësie për rrugën që ka marrë Shqipëria”- thotë Spaho.

Kreu i grupit parlamentar demokrat e cilësoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, e cila përjashtoi 6 deputetë të opozitës dhe ministrin Ditmir Bushati për 10 ditë nga punimet e Kuvendit si komedinë e radhës në ciklin e komedive dhe standartit të dyfishtë që zbaton prej shumë vitesh ky organizëm i Kuvendit. “Bushati është një nga zgjatimet e kancerit që quhet qeveri e Edi Ramës. Problemi i vërtetë është Edi Rama që është në krye të kësaj qeverisjeje, dhe jo Ditmir Bushati. Përqendrimi tek Bushati synon largimin e vëmendjes nga Rama”- thekson Spaho. Sa i përket alibisë se protestat dhe sjellja e opozitës mund të bëhen shkak për një përgjigje negative nga Brukseli për çëljen e negociatave, Spaho thekson se protestat nuk pengojnë dhe dëmtojnë procesin e integrimit europian.

“Edhe me interpretimin për gjoja dëmtimin e procesit të integrimit Europian, synohet të transferohet faji dhe vëmendja tek opozita. Ne kemi deklaruar dhe po punojmë me të gjitha mjetet dhe mundësitë që negociatat të hapen dhe të hapen pa kushte”- tha ai. Ndërsa lidhur me punimet e Kuvendit Kombëtar të PD-së që do të mblidhet në fund të muajit prill, ku vëmendja do përqëndrohet tek kritikët e Bashës brenda PD-së, numri 2 i selisë blu shprehet se në këtë Kuvend as do përjashtohet dhe as do refuzohet njeri. “Kushdo që dëshiron të kontribuojë për të forcuar Partinë Demokratike dhe për ta rikthyer atë në pushtet, është i mirëpritur dhe i ka të gjithë portat të hapura. Kuvendi do krijojë kushtet për përmirësimin organizativ të PD-së, si dhe rritjen e demokracisë brenda saj, nëpërmjet ndryshimeve në statut dhe dhënies të më shumë kompetencave anëtarësisë së PD-së”- tha Spaho.

Spaho, seanca e kësaj të enjteje në Kuved u shënua me tensione të forta, ku risia ishte “sulmi” me miell ndaj kryeministrit dhe ministrave. Por e parë nga jashtë, duket se aksioni i opozitës po diktohet apo paraprihet nga vetë qytetarët, ndërsa vetë opozita po ndjek ata. Kam parasysh një protestë spontane si ajo e Kalimashit, e naftëtarëve pak ditë më pas në Fier, apo edhe ajo e biznesit të vogël. Ju si i shikoni këto zhvillime dhe a është opozita e besueshme sa duhet për të nxitur mosbindje civile?

Nuk është opozita që nxit mosbindjen civile. Janë qytetarët të cilët po shohin që interesat e tyre po nëpërkëmben me arrogancë, prepotencë, korrupsion pa fre, me lidhjet me krimin e organizuar, rritjen e taksave, mbylljen e vendeve të punës dhe largimet masive në emigracion. Opozita po përkrah dhe mbështet këtë lëvizje qytetare. Protesta në Kukës ishte maja e ajsbergut të përkeqësimit të gjendjes ekonomike të vendit. E njëjta gjë duhet thënë për protestën e biznesit të vogël. Opozita e ka detyrë të mbështesë çdo reagim qytetar ndaj një qeverie të korruptuar, e cila sheh vetëm interesat e një grupi narko-trafiku dhe oligarkësh rreth saj. Protesta në Parlament i shërbeu mbështetjes së lëvizjes qytetare. Si mund të pranojmë që 11 fukarenj nga Kukësi që protestuan për bukën e gojës të mbahen të arrestuar, kurse Sajmir Tahiri, ky narko-trafikant qeveritar, të bredhë i lirë, madje të sfidojë, duke dashur të flasë në parlament. Opozita nuk mund të bëjë sehir kur Kryeministri e krahason popullin e tij me organin gjenital. Ata që predikojnë të kundërtën dhe ngrenë pyetjen se a është e besueshme opozita, ose janë naivë, ose bëjnë lojën e Edi Ramës. Opozita nuk është perfekte, por e keqja e këtij vendi nuk është mosperfeksioni i opozitës, por qeverisja thellësisht korruptive dhe kundër interesave të qytetarëve e Edi Ramës dhe klanit që përfiton nga ai. Qytetarëve ju ka shkuar thika në palcë. Ne nuk është se e kemi shumë të zhvilluar reagimin dhe solidaritetin qytetar. Opozita po përpiqet të japë kontributin e saj maksimal, por në këtë drejtim duhet të angazhohet kushdo që ndjen një fije përgjegjësie për rrugën që ka marrë Shqipëria. Tjerrjet pa fund për “pabesueshmërinë” e opozitës janë drunj nën rrota që i vihen qytetarëve dhe mbështetje e regjimit korruptiv dhe narko-trafikant të Edi Ramës.

Byroja e Kuvendit si asnjëherë më parë përjashtoi një sërë deputetësh, por dhe vetë ministrin Bushati, si provokator të revoltës së opozitës në Kuvend. Në fakt, pse opozita votoi kundër përjashtimit të Ditmir Bushati?

Mbledhja e Byrosë ishte komedia e radhës në ciklin e komedive dhe standartit të dyfishtë që zbaton prej shumë vitesh ky organizëm i Kuvendit. Përse duhet të përjashtohet Ditmir Bushati që hodhi ujë kur Kryeministri i tij tallet me qytetarët, duke i quajtur organ që nuk ngrihet.

Nga ana tjetër, përjashtimi i ministrit Bushati u shit si risi edhe nga vetë Kryeministri Rama, në një kohë që kemi të bëjmë me një fakt të thjeshtë që mazhoranca pranon se akti i kreut të diplomacisë s’ka lidhje me diplomacinë! Do ketë kërkesë për dorëheqje të z. Bushatit nga ana e opozitës?

Bushati është një nga zgjatimet e kancerit që quhet qeveri e Edi Ramës. Problemi i vërtetë është Edi Rama që është në krye të kësaj qeverisjeje, dhe jo Ditmir Bushati. Përqendrimi tek Bushati synon largimin e vëmendjes nga Rama.

Kjo krizë parlamentare a përbën rrezik për përgjigje negative nga ana e Brukselit për çeljen e negociatave? Të paktën, ky është dhe pretendimi i mazhorancës.

Kriza nuk është parlamentare, por qytetare. Edhe me interpretimin për gjoja dëmtimin e procesit të integrimit Europian, synohet të transferohet faji dhe vëmendja tek opozita. Ne kemi deklaruar dhe po punojmë me të gjitha mjetet dhe mundësitë që negociatat të hapen dhe të hapen pa kushte. Protestat nuk pengojnë dhe dëmtojnë procesin e integrimit europian. Këtë e deklaroi para disa ditësh edhe deputeti i majtë i Parlamentit Europian Knut Flekenshtejn, i cili është raportues për Shqipërinë dhe që po përgatit raportin për këtë çështje për t’ja paraqitur Parlamentit Europian. Unë jam i bindur që Komisioni Europian do japë rekomandimin për hapjen e negociatave në datën 17 Prill. Hapja e negociatave sa më parë është në interes të vendit, por edhe të opozitës, sepse kjo qeveri do të jetë nën monitorim më të madh dhe më serioz pas hapjes së negociatave. Qeveria dëshiron që shkakun e protestave ta kalojë nga politikat e saj të dështuara tek gjoja përpjekjet e opozitës për të penguar integrimin e vendit që nuk i përgjigjet realitetit. Në të gjitha takimet me përfaqësues të Komisionit, Parlamentit Europian, Departamentit të Shtetit, apo përfaqësues të qeverive evropiane, ne kemi kërkuar hapjen e negociatave pa kushte. Këtë do të bëjmë edhe kur të jemi në Gjermani në ditët e ardhshme në Bundestagun Gjerman.

Ju si opozitë keni paralajmëruar përshkallëzim të protestave në gjithë vendin, por a është gati opozita për zgjedhje të parakohshme, dhe cilat janë sfidat e ekonomisë shqiptare sot?

As qytetarët, por as opozita nuk janë shprehur për zgjedhje te parakohshme. Ajo që është kërkuar është anullimi i tarifës 5 euro në rrugën e Kombit, anullimi i rritjeve të taksës së banesave dhe çmimit të ujit, anullimi i vendimit për të përfshirë biznesin e vogël me xhiro mbi 2 milion lekë në skemën e TVSH-së, si dhe ripërfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike të rreth 30 mijë familjeve të cilat u hoqën padrejtësisht nga skema. Këto kërkesa do vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha format dhe mjetet, sa kohë që do të jenë edhe kërkesa të qytetarëve.

Ky muaj është i rëndësishëm për Partinë Demokratike, e cila ka hyrë në një moment ristrukturimi, ku tërheq vëmendjen Kuvendi Kombëtar. A janë krijuar kushtet për një përballje reale argumentesh dhe alternativash, apo kush është kundër do përjashtohet, do refuzohet, etj? Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky Kuvend?

As do përjashtohet dhe as do refuzohet njeri. Kushdo që dëshiron të kontribuojë për të forcuar Partinë Demokratike dhe për ta rikthyer atë në pushtet, është i mirëpritur dhe i ka të gjithë portat të hapura. Kuvendi do krijojë kushtet për përmirësimin organizativ të PD-së, si dhe rritjen e demokracisë brenda saj, nëpërmjet ndryshimeve në statut dhe dhënies të më shumë kompetencave anëtarësisë së PD-së. Këto ndryshime, si dhe procesi i zgjedhjeve të reja në degët e PD-së që do na shoqërojë më pas, do përgatisin PD-në për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2019.

Intervistoi: Herion Mesi

SHKARKO APP