Spaho: Rikthehemi në Kuvend vetëm pas marrëveshjes me Ramën që do garantohet nga të huajt

Partia Demokratike insiston për arritjen e një marrëveshjeje me mazhorancën përsa i takon respektimit të vendimeve gjyqësore dhe dekriminalizimin e politikës, si kushte për rikthimin e deputetëve të saj në Kuvend.

 

“Duam një marrëveshje që këtej e tutje maxhoranca të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të angazhohet për të dekriminalizuar politikën”, shprehet Nënkryetari demokrat i Kuvendit Edmond Spaho.

 

Në limitet kur mandatet e deputetëve të PD dhe partive të saj aleate, përjashtuar PDK e Nard Ndokës dhe PDIU e Shpëtim Idrizit, mund të digjen për shkak të bojkotit 6 mujor, Nënkryetari i PD-së Edmond Spaho ka paralajmëruar ligjvënësit demokratë se po thyhen vendimin politik do të merren masa.

 

“Ne kemi një regullore, kur marrim vendime politike i qëndrojmë. Kur ka thyerje politike janë përcaktuar mënyrat si veprohet”, theksoi Spaho, duke ripërsëritur në këtë mënyrë paralajmërimin e bërë para pak ditësh nga kreu demokrat Lulzim Basha dhe Kreu i Grupit Parlamentar Edi Paloka.

 

“Nuk shqetësohemi për çështje afatesh apo mandatesh. Këto janë dy probleme të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe nuk ka të krahasuar me mandatin e një apo më shumë deputetëve.

 

Bëhet fjalë ta ruajmë vendin të mos bjerë në krimin e organizuar dhe të mafias dhe të mos putinizohet si republikat e ish Bashkimit Sovjetik”, thekson Spaho, duke shtuar se vetëm një reflektim i kryeministrit, të cilin e garantojnë dhe ndërkombëtarët i kthen demokratët në Parlament.

SHKARKO APP