Spaho: S’mund të flitet për zgjedhje pa ç’instaluar më parë sistemin kriminal të Edi Ramës

Nënkryetari i PD-së: Hetim edhe ndaj deputetit Rrahman Rraja, si dhe duhen verifikuar akuzat ndaj Kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë

Intervistoi: Herion Mesi

Për opozitën mbajtja në burg e Rrexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, me akuzën e përndjekjes së Xhisiela Malokut, është një akt për ti hedhur hi syve publikut, pasi për të, duhet të nisë hetimi edhe për vetë deputetin Rraja, kryetarin e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, si dhe ndaj kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, të cilët akuzohen nga nënoficeri Emiljano Nuhu si persona që kanë kërcënuar për fshehjen e rastit të Xhisielës.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një intervistë për “Koha Jonë” shprehet se kërcënimet shkuan deri në dënim me vdekje ndaj nënoficerit të policisë. Sipas Spahos, i turpshëm dhe i dënueshëm ishte edhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili duke u rreshtuar në mbrojtje të larove të tij e cilësoi nënoficerin që kryente detyrën “horr”. “Hetim duhet ushtruar edhe ndaj deputetit Rrahman Rraja si dhe duhen verifikuar kamerat e stacionit të policisë Fushë-Krujë për akuzat ndaj Kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë”, shprehet Spaho.

Nënkryetari i demokratëve nga ana tjetër pohon se me zgjedhjet në strukturat në bazë të partisë, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet edhe për zgjedhje të reja. Por për Spahon, nuk mund të ketë zgjedhje pa ç’instaluar më parë sistemin kriminal, sipas tij, që ka vendosur Edi Rama. “Për çfarë zgjedhjesh flasim kur djali i arrestuar i deputetit Rrahman Rrahja i drejtohet Kryetarit të opozitës me fjalët ta tregojmë ne në zgjedhje ty?! Për këto zgjedhje flasim, për zgjedhje me banda dhe para krimi të organizuar?! Në këto kushte detyra e parë e opozitës është të çmontojë krimin e organizuar dhe qeverisjen e Edi Ramës të lidhur me të”- u shpreh për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.

z.Spaho prej disa ditësh ka një përplasje politike për sa i përket një deklarate të një oficeri të policë, Emiliano Nuhu, ku përfshihet edhe një vajzë e cila ka bërë denoncim për dhunim ndaj djalit të deputetit socialist Rrahman Rrahja, dhe po sipas dëshmive të Nuhut në media ka ndërhyrë edhe Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Krujës në tentativën për fshehjen e saj. Si e komentoni ju këtë ngjarje?

Ngjarja ka më shumë se dy muaj që ka ndodhur, por mazhoranca për një farë kohe ja arriti ta mbulojë. U desh intervista e një nënoficeri të guximshëm të policisë për ta risjellë në vëmendje të publikut këtë skandal të vërtetë, ku shteti merr në mbrojtje njerëz të veshur me pushtet, të cilët i kanosen, e përndjekin, e masakrojnë, e rrëmbejnë qytetaren e pafajshme. Tre kallëzime penale bëri ajo dhe asnjë prej tyre nuk u mor nga policia, përkundrazi, kërcënohej t’i tërhiqte. Më pas presioni dhe kanosja u drejtuan ndaj Emiljano Nuhut për të mos hetuar dhe mbyllur çështjen, madje kërcënimet shkuan deri në dënim me vdekje ndaj tij. Megjithëse u njoftuan organet më të larta të shtetit, asnjë veprim nuk u ndërmor derisa nënkomisari në mbrojtje të vetes dhe familjes së tij u detyrua të bëjë denoncim publik. I turpshëm dhe i dënueshëm ishte reagimi i Kryeministrit, i cili duke u rreshtuar në mbrojtje të larove të tij e cilësoi nënoficerin që kryente detyrën “horr i kthyer në hero, që ka penguar hetimin dhe e ka përdorur atë për të fituar strehim politik”. Ky skandal është një tjetër shembull në rastet e panumërta të abuzimit të rëndë me pushtetin të përfaqësuesve të Rilindjes, të lidhjeve të tyre kriminale dhe të përdorimit të policisë dhe prokurorisë si mburoja të veprimeve të tyre.

Ndërkohë, të dielën ka pasur zhvillime mbi këtë ngjarje, ku ndaj djalit të deputetit është ekzekutuar një urdhër arrestimi, një arrestim ky që vjen pas akuzave të kryeministrit ndaj oficerit Nuhu që është dhe denoncuesi i kësaj ngjarjeje. Si e shikoni këtë qasje? Dhe në gjykimin tuaj, a mbaron historia me arrestimin e djalit të deputetit?

Është një tentativë tjetër për ti hedhur hi syve opinionit publik. Duke mos pasur rrugë tjetër, në tentativë për të shpëtuar sa më shumë që të jetë e mundur, e arrestojnë dhe akuzojnë  për përndjekje në një kohë që ai duhet arrestuar për kanosje, dhunim, përdhunim, plagosje, rrëmbim personi, mbajtje arme pa leje. Pa folur pastaj për kanosjet, kërcënimet me vdekje dhe pengimin e hetimit që kanë ushtruar ndaj nënkomisarit Emiljano Nuhu. Hetim duhet ushtruar edhe ndaj deputetit Rrahman Rraja si dhe duhen verifikuar kamerat e stacionit të policisë Fushë-Krujë për akuzat ndaj Kryetarit të Grupit parlamentar të PS-së dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë.

Por nga ana tjetër, vajza e dhunuar mohoi këtë të hënën çdo dëshmi të saj të dhënë qoftë në polici, qoftë në prokurori. Pse ky ndryshim? A kemi të bëjmë me dëshmi të rreme nga ana e saj, apo vajza është seriozisht e kërcënuar nga pushteti?

Çfarë pritet të bëjë vajza e pambrojtur, e cila ka kaluar në një kalvar të gjatë pothuaj një vjeçar? Çfarë të bëjë ajo vajzë, kur policia nuk i merr denoncimin, por thërret fajtorët në komisarit të armatosur që ta kërcënojnë të tërheqë denoncimin, çfarë të bëjë ajo vajzë kur Kryeministri radhitet me kriminelët dhe i drejtohet me fjalën “horr” punonjësit të policisë që heton në mënyrë të ndershme rastin? A mendoni që ka drejtësi dhe mbrojtje të qytetarit këtu?

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje zëra të ndryshëm nga opozita kanë nisur të kërkojnë radikalizim të qëndrimit të opozitës, me bojkot përfundimtar të Kuvendit dhe djegie mandatesh, a është koha për një qëndrim të tillë?

Ne kemi paraqitur në Kuvend një paketë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me qeverisjen, ekonominë, drejtësinë, policinë. Elementi i parë dhe më i rëndësishëm është projektligji për vetingun e politikanëve, të cilëve duhet t’u hetohen lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe të nxirren jashtë politikës. Sado që mazhoranca ta zvarrisë këtë propozim ai do të vijë në Kuvend për t’u votuar. Deri në këtë moment do mbajmë marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin. Nëse kjo iniciativë nuk votohet të gjithë opsionet janë të mundshëm.

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku po diskutohej dhe çështja e Teatrit Kombëtar u bojkotua nga anëtarët e opozitës në këshill. Do të depozitohet nga ana e opozitës kërkesa në Kuvend për hapin e radhës për pengimin e shembjes së Teatrit?

Edi Rama dhe lakejtë e tij janë të vendosur në këtë çështje, pasi mendojnë të bëjnë miliona euro fitime nga ndërtimi i kullave. Ata nuk njohin asnjë barrierë ligjore në këtë drejtim sikurse e kanë treguar gjithë zhvillimet rreth Teatrit Kombëtar. Është përgjegjësi e gjithë qytetarëve që të ngrihen dhe të mos lejojnë qoftë edhe fizikisht shembjen e godinës, duke ruajtur historinë dhe kulturën e qytetit.

Para pak ditësh Ministri Gjerman që erdhi në Tiranë, tha që nuk futeshim në mënyrë automatike në Bashkimin Europian? Si e shikoni situatën politike në vend, pasi duket se dy kampet janë shumë larg një bashkëpunimi mes tyre për çështjen e integrimit?

Për çfarë bashkëpunimi bëni fjalë, kur Kryeministri gënjen qytetarët e tij, duke ju thënë që negociatat janë hapur dhe bisedimet fillojnë në Qershor 2019? U desh Ministri Gjerman për të vërtetuar atë që ka thënë opozita se me Edi Ramën nuk ka negociata, se ai nuk e do Europën, se ai nuk plotëson dot asnjë kriter të vendosur nga BE, se ai prioritet ka vetëm të rrijë në pushtet sa më gjatë dhe të përfitojë sa më shumë nga pasuria publike.

PD ka nisur riorganizimet në bazë në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, çfarë synohet me këtë proces? Dhe a jeni gati për zgjedhje të parakohshme?

Partia Demokratike po përgatitet për zgjedhje dhe këtë synon procesi i zgjedhjeve në Parti. Por për çfarë zgjedhjesh flasim kur djali i arrestuar i deputetit Rrahman Rrahja i drejtohet Kryetarit të opozitës me fjalët ta tregojmë ne në zgjedhje ty? Për këto zgjedhje flasim, për zgjedhje me banda dhe para krimi të organizuar? Në këto kushte detyra e parë e opozitës është të çmontojë krimin e organizuar dhe qeverisjen e Edi Ramës të lidhur me të.

Ndërkaq, së fundmi kampit opozitar i është bashkuar PDIU-ja, parti që deputetët e saj janë rreshtuar me PS-në. Sa i nevojshëm dhe sa i besueshëm është një koalicion me këtë parti për të djathtën? A mund të ndikojë në prishjen e bashkëpunimit me PBDNJ-në?

Nuk ka asnjë prishje të bashkëpunimit opozitar, pasi PDBNJ është pjesë e këtij fronti. Ne i bëjmë thirrje çdo force politike që ka dëshirë të kontribuojë në çinstalimin e diktaturës kriminale të Edi Ramës që të bashkohet me ne. Kjo është e vetmja rrugë dhe mundësi për ta rrëzuar këtë klikë nga pushteti.

SHKARKO APP