SPAK nis aksionet, merr të pandehur kreun e Bashkisë Mallakastër

SPAK merr të pandehur kryetarin e Bashkisë së Mallakastër, Qerim Ismailaj. Referuar njoftimit nga SPAK, ai akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. SPAK bën me dije se në kuadër të procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës së falsifikimit, duke e marrë në cilësinë e të pandehurit. Pas përfundimit të hetimeve Prokuroria e Posaçme e dërgoi për gjykimin çështjen pranë Gjykatës së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.

Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.

SHKARKO APP