SPAK-u, zonë ”blloku” për politikanët. Do ketë arrestime?

Nga: Redjon Shtylla

SPAK-u është kthyer në vendin më të populluar për politikanët, ku me ironi mund të themi që është kthyer në një zonë ”blloku”. I fundit që vizitoi SPAK-un këtë pasdite është kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, i cili i është rikthyer dosjes së privatizimit të Kompleksit Partizani, që PS akuzon se është bërë nga dhëndri i Sali Berishës. Jamarbër Malltezi e quan Ballën mashtrues dhe i kujton dënimin nga Gjykata e Tiranës për shpifje.

Më herët po këtë të hënë u paraqit në SPAK edhe kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, i cili tha se ”Dhashë sqarime për një çështje për të tretë, nuk ka lidhje me institucionin që drejtoj”. Në deklaratën e Gonxhes është e paqartë se për çfarë çështje bëhet fjalë, ndërkohë që pritet të sqarohet në vijimi.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli po ashtu pas kritikave nga ana e Ramës që si bashki është në gjumë, dje ishte në SPAK për rreth një orë, për disa hetime të SPAK që kanë të bëjnë me një aferë për tjetërsimin e pronave. Pronat janë një rrjetë që mund të çojnë shumë zyrtarë pas hekurave, pasi masakrat që janë bërë me tjetërsime dhe ndryshime të dokumenteve, është një plagë e thellë që ende sot tokat nuk janë në duart e pronarëve të vërtetë.

”Nuk ka patur shkelje ligjore, janë ndjekur procedura korrekte”, edhe pas 8 orëve të gjykimit para hetuesve Eneid Nakuci dhe Edvin Kodilli, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka mohuar të ketë shkelur ligjin në lidhje me kontratat për Sterilizimin.

Pra çdo ditë zyrtarë nga qeveria, ose pjesë e PS-së, paraqiten në SPAK, në një kohë që thirrjet që të dënojë këta nuk mbarojnë nga PD-ja. Edhe në fjalën e parë si Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se drejtësia e re duhet të godasë krimin dhe korrupsionin.

Me kaq shumë përqëndrim politik tek SPAK-u, kjo e fundit mund të jetë në fazën që po i merret fryma, nga kaq shumë presion që lëshohet çdo ditë mbi të. Të gjithë duam drejtësi, të shohim zyrtarë pas hekurave nëse kanë abuzuar me postin, por NJË SPAK është, dhe problemet janë njëqind. Më shumë sesa një aksion politik, në jë kohë që edhe zgjedhjet lokale po afrojnë, vizitat e zyrtarëve tek SPAK-u janë edhe një tregues që problemet janë, por ZGJIDHJA dhe DËNIMI i tyre ndodh rrallë, ose ndodh kur direktivat i jep pushteti.

Në vend të një trendi të vajtjes në SPAK, politika duhet ta lërë të qetë SPAK-un që të hetojë skandalet që denoncohen çdo ditë, pasi shqiptarët presin drejtësi, nuk duan më tallava politike.

SHKARKO APP