Spartak Ngjela flet për incidentin me Tavon në Himarë: Aty nuk ka minoritarë, janë lebër. Shteti të çojë ushtrinë

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e ndodhura këtë të premte në bashkinë e Himarës, gjatë mbledhjes së Këshillit, ku u zgjodh kryetarja e re e komanduar, Blerina Bala. Lidhur me incidentin e ndodhur me prefektin e qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, ku një mbështetës i Fredi Belerit e ka pështyrë në fytyrë, Ngjela u shpreh se shteti duhej të kishte marrë masa për t’i parandaluar.

“Të çojë ushtrinë shteti, t’u thyejë hundët. Shteti është serioz, shkele ligjin të rras brenda. Ç’më duhet mua se çfarë do thotë Greqia, ne jemi shtet i pavarur. Aty nuk ka minoritarë, janë lebër, janë nja 100 veta në një lagje lart që i thonë vetes grekë, dhe flasin 60% shqip, 40% me fjalë greqisht. Aty paguajnë grekët se janë injorantë. Ata mbajnë akoma ligjin e luftës se kanë akoma interesa territoriale. Pse Greqia nuk njeh Kosovën? Janë grekë ata? Jo, i tremb Çamëria”, u shpreh Ngjela në TCH.

Vetë Vangjel Tavo reagoi edhe për incidentin, ku tha se fton atë pakicë që e kundërshtoi sot që të bashkëpunojnë pavarësisht ndasive politike dhe të gjithë bashkë të marrin seriozisht zgjidhjen e problemeve të Himarës.

”Nëse komuniteti i Himarës, që ju e quani një pjesë aq të vogël sa ç’ishte në takimin e sotëm që kishte kundërshtim. Logjika ime është që edhe ata të bëhen pjesë e kësaj motos time, për t’u bashkuar, për të bashkëpunuar, për ti lënë mënjanë ndasitë politike për qeverisjen lokale që kanë krijuar këtë vorbull në këtë gotë prej kohësh dhe të merremi të gjithë bashke seriozisht me problemet e Himarës dhe himarjotëve. Janë të pranueshëm të gjithë në këtë iniciativë që nis të martën dhe që do të përfundojë atëherë kur përfundon edhe misioni im”,-tha Tavo.

SHKARKO APP