Spartak Ngjela poston poezinë e Naim Frasherit me aludime për defektet tona…

Nga Spartak Ngjela-

Kjo vjershë e Naim Frashërit është botuar në Sofje të Bullgarisë në fillim të nëntorit të vitit 1902,  plot 121 vjet më parë.  Dhe ai shkruan:

E ç’e dua trimërinë

Kur s’mu ndoth për Shqipërinë

Dy vargje të nderit dhe karakterit kombëtar…

Por poezia është aktuale, sikur të jetë shkruar sot. Është renditur me art poetik Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të mëdhenj, me radhë. Por aty, në këtë epope të shkurtër, Naim Frashëri poetizon bukur edhe defektet tona historike, me një realizëm që sigurisht se ndihmon çdo shqiptar të mendojë kalimin e historisë së Shqipërisë nga madhështia historike e udhëheqësit trim e shumë të ditur, në injorancën e Perandorisë Osmane.

Duke e lexuar me vëmendje, kupton se ne ende dhe sot kemi mbeturina të psikologjisë osmane, që shfaqen si defektet tona…

***************************************

SHQIPËRIA

Bota që kur është zënë

Shqipëria gjall ka qënë

Pellazg’u thonin më parë

Më së fundi Shqipëtarë

Gjuh’që flisnin Perënditë

Atë flisnin Pellazgitë

Atë kanë Shqipëtarët

Siç e kishin dhe të parët.

Greqishten ajo e polli

Llatinishtja q’atje dolli

Bijtë tanë jan’ Elinët

Sikundër edhe Llatinët.

Edhe gjithë Evropanët

Që duallë nga Romanët

Neve jemi më të parë

Në Evropë nga ç’do farë.

Gjithë bota vin që moti

Në Tomorr ku ishte Zoti

Që t’i falen Perëndisë

Zotit math të Shqipërisë.

Zëri, flaka s’ish kot

Që nxjerr Tomorri dhe sot

Ahere kish s’di se cinë

Tani ka Abas Alinë.

Shqipëtari trim me fletë

Ka rrojtur në këtë jetë

Kemi pasur mbretërira

Edhe fort shumë të mira.

Kemi bërë punë shumë

Po gjithë vanë në lumë

Aleksandri qe Shqiptar

Q’u tha i madh kordhëtar.

Selefkët dhe Ptolemenjtë

Edhe gjithë të mëdhenjtë

S’qenë grekër, s’qenë bullgarë

Po ishinë Shqipëtarë.

Pirua ish nga Shqipëria

Trim q’e lëvdon istoria

Skander Begu Kastrioti

Q’u dëftye aq’i zoti.

Ishte burr i Shqipërisë

Q’i dha dërmënë Turqisë

Ç’burra nxorri Shqipëria

Që i shkruan istoria.

Bajraktar’ e Qyprylinë

Shkodran e Mehmet-Alinë

Xhavella e Marko Sule

Babulin’ e Mihaule.

Q’i dhanë dërmënë Turqisë

I vunë nder trimërisë

Si këta e si të tjerë

Që qenë shumë të ndjerë.

Po nga gjithë trimëria

S’fitoj gjë dot Shqipëria

Për këdo që ne luftuam

Gjithë ç’u bëm’ i harruan.

Të gjithë na u harruan

Dhe sot të ligën na e duan

Me kaqë burra të vlyer

Qysh duallmë të gënjyer?

E ç’e dua trimërinë

Kur s’mu ndoth për Shqipërinë

Me nder tënë rron Turqia

Po aq vuan Shqipëria.

Ka vuar edhe vuan

Turqtë neve a na duan?

Neve e bëmë Greqinë

Po Grekërtë na e dinë?

S’duan fare të na shohin

Shqipërinë sot s’e njohin

Shqipëria ron si ropi

Mejtohet për të Evropi?

Mos durofsh o i madhi Zot

Të jet’në zgjedhë sot!

Burr i math që ka luftuar

Edhe botënë ke liruar!

Ç’të na bënjë trimëria

Sa me qënë gjallë padija?

Shqipëri! Pse s’qe e zonja

Të bënje tri katrë shkronja?

Se ti punëtë i mbarove,

E të tjerëtë nderove.

Sikur të paskëshe shkruar,

Gjësendi s’të ish harruar.

Do të kishimë Pllatonë,

Aristotel’ e Strabonë,

Omir, Pindar e Esqille,

Dant’ e Senek e Virgjillë.

Do të ish sot Shqipëria,

Që t’i mir botën zilia.

Po të shkuarat i lerë,

E mso mënt për tjatër herë.

O vëllezër Shqipëtarë,

Lereni kohën e parë!

Ejani tani të msojmë,

Paskëtaj të trashëgojmë!

Se në ndënçim t’pamësuar,

Kështu kemi për të vuar.

Është turp për farën tënë,

Të mos nxjerim fare zënë.

Po të rronjë e pandjerë,

E shkret’ e varfër’ e mjerë!

Pse të jesë Shqipëria,

Ta mbulonjë babëzia?

Duke patur burra trima

Të umbasë si vetëtima?

Ah! mos! Zoti mos e dhëntë!

Ejani, të mbledhim mentë.

SHKARKO APP