Spiropali: Shqipëria mbështet multilateralizmin dhe paqen përmes diplomacisë parlamentare
Në Konferencën e Gjashtë të Kryetarëve të Parlamenteve, organizuar nga Unioni Ndërparlamentar në Gjenevë, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar në një botë të trazuar nga konflikte, pabarazi dhe sfida globale.
Duke kujtuar figurën e Simone Veil, Spiropali nënvizoi se paqja, drejtësia dhe mirëqenia janë arritje të përbashkëta që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional. Ajo u shpreh se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe rendit ndërkombëtar, duke përmendur rolin aktiv të vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Këshillin e të Drejtave të Njeriut.
Spiropali vlerësoi diplomacinë parlamentare si një mjet efektiv për paqe dhe siguri, ndërsa ftoi për më shumë bashkëpunim në përballimin e sfidave si agresionet ushtarake, ndryshimet klimatike dhe pabarazitë sociale.
Fjala e plotë:
I nderuar President,
Të nderuar Kryetarë të Parlamenteve, kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Në vitin 1979 Simone Veil u bë gruaja e parë që u ngjit në kry të Parlamentit Evropian. Pasi kishte përjetuar trazirat e Luftës së Dytë Botërore, pasi i kishte mbijetuar kampeve naziste të përqendrimit, ajo u bë Presidentja historike e Parlamentit Evropian.
Veil besonte se “ideja themelore që na bashkon, domethënë se pa një solidaritet gjithnjë e më të madh, asnjë nga vendet tona nuk do të mund të ruajë fuqinë, pavarësinë e ndoshta edhe ekzistencën e vet, ishte e rrënjosur fort në besimin demokratik mes votuesve dhe atyre që ata zgjedhin”.
E vërteta që Presidentja Veil tha për një kontinent të dalë nga lufta u bë busulla morale e Bashkimit Evropian, e këtij modeli unik që frymëzon liri, barazi, drejtësi, bashkëpunim dhe integrim në kontinentin tonë dhe përtej.
Po ashtu, ne, si përfaqësues të zgjedhur, kemi misionin dhe detyrën ti mbrojmë këto parime, përmes ndërveprimit të vazhdueshëm mes parlamenteve tona të ndodhur përballë sfidave globale.
Si parlamentarë, ne duhet të jemi në pararojë në përballjen me çdo formë rreziku, deformimi apo sfide që kërcënojnë shoqëritë tona.
Ne në Shqipëri jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Ukrainës në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, duke dënuar pa asnjë mëdyshje agresionin rus dhe duke mbështetur çdo nismë që ka për qëllim llogaridhënien, ndihmën humanitare dhe rindërtimin.
Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para që ka miratuar projekt rezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurinë evropiane”.
Gjithashtu, ne kemi luajtur një rol aktiv në organizmat ndërkombëtare, si në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, si vend anëtar jo i përhershëm, për të denoncuar agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, si një akt që cënon të drejtën ndërkombëtare dhe shkel rendin tonë të bazuar në rregulla dhe shkakton vuajtje të tmerrshme njerëzore.
Vështirë se gjendet një kohë tjetër kur bashkëpunimi ndërparlamentar për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien të jetë kaq i domosdoshëm dhe kaq kritik sa në kohën e sotme.
Nga kufiri lindor i BE-së, në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe më gjerë, bota po përballet me një krizë të rëndë dhe trazira të mëdha. Forcat e përçarjes, konfliktit të dhunshëm dhe pabarazisë po venë në provë vlerat tona të përbashkëta: paqen, stabilitetin, drejtësinë.
Përballja me sfidat globale, nga shkeljet e sovranitetit të shteteve tek ndryshimet klimatike dhe pabarazitë shoqërore, kërkojnë një angazhim të palëkundur ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndër-parlamentar.
Sot më tepër se kurrë ne duhet të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja për bashkëpunim dhe progres.
Shqipëria është tërësisht e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë, pasi e di mirë nga përvoja se paqja dhe drejtësia nuk janë dhurata, por fryt i përpjekjeve të përbashkëta, i mësimeve të nxjerra gjatë shtet-formimit dhe konsolidimit të institucioneve.
Vendi im, i cili pak më shumë se tre dekada më parë ishte ndër vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Presidenca Shqiptare e OSBE-së gjatë vitit 2020, si edhe kontributi si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, dëshmuan qasjen bashkëpunuese dhe paqësore të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare.
Aktualisht, Shqipëria është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ku është e angazhuar në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut kudo në botë, duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësie dhe abuzimi.
Ne jemi të hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh, me qeveri të vendeve aleate dhe fqinje, si dhe me organizata ndërkombëtare.
Në fakt, marrëveshjet ndërkombëtare përbëjnë rreth 37 përqind të akteve ligjore të miratuara gjatë legjislaturës që sapo u mbyll.
Ndërkohë, Shqipëria ka miratuar disa strategji kombëtare në përputhje me strategjitë globale, midis të cilave Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për gruan, paqen dhe sigurinë”.
Të dashur kolegë,
Diplomacia dhe bashkëpunimi duhet të jenë rrugëzgjidhjet mes vendeve në luftë e në konflikte, në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë.
Ne në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë diplomacinë parlamentare si një soft power për mbrojtjen e sigurisë, arritjen e paqes dhe garantimin e prosperitetit të kombeve dhe njerëzve tanë.
Kjo konferencë është një thirrje për veprim për të garantuar që kuadri ynë ligjor dhe politikat tona publike të kontribuojnë realisht për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më paqësor.
Pa parlamentarë të përkushtuar, multilateralizmi mbetet një teori. Me veprim të përbashkët dhe të koordinuar, ai bëhet mjet i fuqishëm për ndryshim.
Faleminderit për vëmendjen!
KOHA JONË SONDAZH

