Spiropali: Sistemi i drejtësisë jo i përkryer, por në rrugën e duhur
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ishte e pranishme në tryezën e diskutimit “Vlerësimi i arkitekturës institucionale në funksion të performancës dhe integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për pavarësi dhe mekanizmat e llogaridhënies”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh se sistemi i drejtësisë është larg nga të qenit i përkryer, por në rrugën e duhur të funksiononimit, aq më tepër pas masave të marra që të jetë i pavarur nga politika, ndryshe nga sa ka qenë më parë, ndërsa foli edhe te kultura e pandëshkueshmërisë që ka qenë më parë.
“Kuvendi i Shqipërisë, një nga pushtetet kyç në Shqipëri, si miratuesi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 që jetësuan reformën në drejtësi ka qenë, është dhe do të mbetet një nga mbështetësit dhe përkrahësit më të fortë të pushtetit gjyqësor, në bazë të parimit të ndarjes, kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve, rrjedhojë e një akti me frymëzim politik të rëndësisë së jashtëzakonshme: ndryshimit të arkitekturës së sistemit gjyqësor.
Sot mund të thuhet pa dilemë se sistemi i drejtësisë është ende larg të qenit i përkryer, por është në rrugën e duhur të funksionimit, kryesisht për shkak të garantimit të pavarësisë së plotë nga humori i politikës së ditës.
SPAK e GJKKO, aty ku publiku ka investuar më së shumti besim e shpresë, janë shndërruar e do të vijojnë të shndërrohen në një model krahasimor për gjithë arkitekturën tjetër të sistemit, duke nisur me procese të rregullta e njehsuara, respektimin e të drejtave të individit dhe garantimit e dhënies së drejtësisë në mënyrë të shpejtë, të drejtë e të paanshme, me garanci kushtetuese.
Mbas çdo shifre dhe statistike është një jetë njerëzore, një dramë familjare e sociale, koston e të cilës, për të mirë apo për të keq, e paguan gjithë shoqëria”, ka thënë ndër të tjera Spiropali.
KOHA JONË SONDAZH

