Spiropali: T’i propozohen Kuvendit ndryshime ligjore për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali foli sot në takimin e grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve”, duke shprehur gatishmërinë për propozime dhe ndryshime në kuadrin ligjor për mbrojtjen e fëmijëve.
“Ky takim shumë i gjerë dëshmon për karakterin gjithëpërfshirës për kujdesin ndaj fëmijëve. Jemi të gjithë të tronditur nga ngjarja e rëndë, ku një 14-vjeçar humbi jetën nga një krim i bashkëmoshatarit të tij. Është detyra jonë të reagojmë dhe të bëjmë ligje më të forta kundër dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe abuzimit në rrjetet sociale dhe më shumë përkushtim dhe përgjegjshmëri në zbatimin e ligjeve, për modelet që u ofrohen të rinjve në media dhe në shoqëri. Çdo fëmijë lind në këtë botë me dritë, me dëshirë për jetën dhe me një ndjenjë pafajësie, me mundësi për jetën, potenciale zhvillimi të personalitetit. Mund ta imagjinojmë dhimbjen që ndjen një fëmijë, kur mizoritë e jetës i formësojnë pritshmëritë e tij për shkak të frikës dhe familjes, apo pamundësive apo pakujdesive të institucioneve, komuniteteve, prindërve apo shoqërisë.
Është detyrë e të gjithëve që të filtrojmë mesazhet, kuptimet dhe këshillat e fëmijëve, në të gjitha mikromjediset shoqërore për ta bërë jetën e tyre më të bukur dhe për të marrë masa që të ngrihen digat mbrojtëse ndaj të keqes, abuzimeve, dhunës që mund të vijnë nga drejtime të ndryshme.
Ne nuk mund të edukojmë fëmijët vetëm me këshillat tona të mërzitshme, por modelet që u ofrojmë. Në këtë stad të shoqërisë, është detyra jonë të rrisim një brez të shëndetshëm fizikisht, shpirtërisht dhe moralisht sepse presionet që vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore, nga patologjitë apo defektet që mund të shkaktojnë thyerje të mëdha të fëmijët”, tha Spiropali.
Spiropali bëri thirrje të mbrohen fëmijët nga forma të ndryshme të abuzimit, offline dhe online, nga format e këqija të dhunës, por edhe nga rreziqet që vijnë përmes shkëlqimi dhe joshjes, që më parë ishte televizioni, ndërsa sot xhungla e pakrasitur e rrjeteve sociale.