Strategjia për Zhvillim dhe Integrimi 2021-2030, plani i qeverisë në pikat kyçe
Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2021-2030, u prezantua sot nga kryeministri Edi Rama pa praninë e mediave, dhe merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjithë organizatave politike e financiare ndërkombëtare, ku Shqipëri aderon. Në dokumentin prej afro 150 faqesh është përmbledhur gjithë vizioni që ka qeveria dhe institucionet e vendit për të përshpejtuar anëtarësimin e plotë në BE.
Procesin qeveria e sheh si një mundësi për demokratizimin e Shqipërisë, konsolidimin e institucioneve dhe të sundimit të ligjit dhe reformimit deri në anëtarësimin e plotë. Një vizion i tillë, siç theksohet në strategji, është i fokusuar te interesi politik, ekonomik si dhe në interesin e sigurisë të vetë Bashkimit Evropian.
Në dokument merret në analizë dhe vendosen qëllime e objektiva për çdo sektor. Në atë të zgjedhjeve që janë dhe “thembra e Akilit” e çdo qeverie, në 3 dekada pluralizëm vendoset si objektiv: “1-Të mundësohet votimi nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, emigrantët. 2-Implementimi i votimit elektronik dhe numërimit elektronik për gjithë qarqet. 3-Forcimi i kontrollit të financimit të partive politike”.
Në dokument analizohet dhe largimi i shqiptarëve jashtë vendit, si një mekanizëm që qeveria shqiptare vlerëson për ta ndalur është dhe marrja e masave për të shmangur largimin e përhershëm të individëve të kualifikuar dhe të arsimuar kërkon nxitjen dhe promovimin e migracionit të përkohshëm, në veçanti të migracionit qarkullues të individëve të kualifikuar. Si dhe aplikimi i kthimit vullnetar të emigrantëve të kualifikuar, nëpërmjet qëndrimeve afat-shkurtra për qëllime konsultimi, mësimdhënie apo trajnimi.