Strukturim i stafeve, ministri Mazniku: Paga të njëjta në 61 bashkitë e vendit
Arbajn Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor, thotë se është përmbyllur diskutimi me 61 kryetarët e bashkive për strukturimin e ri të stafeve dhe organigramës së re të propozuar për to. ”Kjo do të pasohet edhe me rritjen domethënëse të pagave ku çdokush që bën të njëjtën punë, do të paguhet njësoj në çdo bashki”,-shkruan në një postim në Facebook.
Postimi i plotë
Përmbyllëm diskutimin me 61 kryetarët e bashkive për strukturimin e ri të stafeve dhe organigramës së re të propozuar për to.
Ndarja në tre shtylla kryesore, aparati i cili kujdeset vetëm për politik-bërje, planifikimin e punëve, monitorimin dhe akteve rregullatore, struktura e funksioneve, e cila kujdeset për zbatimin e punëve në territor dhe struktura e shërbimeve që merret me mirëmbajtjen e objekteve dhe territorit të bashkive, do të sjellë efikasitet më të lartë dhe cilësi shërbimi më të mirë për qytetarët.
Kjo do të pasohet edhe me rritjen domethënëse të pagave ku çdokush që bën të njëjtën punë, do të paguhet njësoj në çdo bashki. Me këtë masë, bashkitë do të mund të konkurojnë në tregun e punës me sektorin privat duke zbutur vështirësinë për burime njerëzore.